Smaka, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese: Deri më 13 prill mbetet në fuqi kufizimi i qarkullimit, pastaj Qeveria mund ta modifikojë vendimin

165
Advertisement

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka aprovuar kërkesën e presidentit Hashim Thaçi, duke shpallur , të pavlefshëm vendimin e Qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve. Ky vendim, i cili u publikua sot, do të hyjë në fuqi tek pas dy javësh, më 13 prill.

Advertisement

Në lidhje me këtë vendim, i cili do të shfuqizonte vendimi e Qeverisë së Kosovës për kufizim e lëvizjes së qytetarëve gjatë orarit të caktuar, në një prononcim për Telegrafin, njohësi i Kushtetutës, Riza Smaka, ka thënë se Gjykata Kushtetuese shumë shpesh ka marrë vendime politike jo-kushtetutare.

Sipas tij, Qeveria në rastin konkret ka të drejtë të marrë vendime në të mirë të qytetarëve të vendit.

“Kur është kërkesë imediate, e nevojshme dhe e domosdoshme, për tu përfillur instruksionet e Institut Kombëtar të Shëndetësisë Publike edhe Qeveria ka autorizim sipas Kushtetutës për të caktuar masat e përkohshme, e ka bërë këtë punë”, tha Smaka.

Ndërsa, vendimin e Gjykatës Kushtetuese e quajti kontradiktor, për shkak se është bërë publik rreth dy javë para se të hyj në fuqi.

“Vet vendimi është kontradiktor, ai hyn në fuqi me 13 prill, ndërsa është publikuar sot. Është kontradiktor sepse nuk mund të apelohet, se po të ishte ndryshe edhe mundet. Gjithsesi vendimi i Qeverisë deri më 13 prill duhet të zbatohet, nuk mund të kontestohet, është ekzekutiv i sanksionuar”, u shpreh Smaka.

Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës, nëse e sheh të nevojshme që këto masa të kufizimit të lëvizjes të vazhdojnë edhe pas 13 prillit, atëherë do të mund ta harmonizonte vendimin e marrë nga ta bashkë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të nxjerrë një vendim të tretë të modifikuar.

“Unë sugjeroj që ta merr atë vendim të vetin, ta rishikoj dhe ta harmonizoj me atë të Gjykatës Kushtetuese, jo se është i drejtë, por për hirë të Kushtetutës. Kosova nuk është anëtare e Bashkimit Evropian edhe për atë nuk jemi në asociacion, sepse edhe shumë vendime të tjera të Gjykatës Kushtetuese do t’i kishim anuluar në procedurë të thjeshtë dhe të shpejt. Meqë nuk mund të apelohet, mund ta rishikojë e ta modifikojë vendimin e vet varësisht nga rrethanat”, tha Smaka për Telegrafin.

Në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili luti të gjithë qytetarët që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre pavarësisht vendimeve që merren.

“Ky vendim i gjykatës kushtetuese hyn ne fuqi me 13 prill. Deri atëherë apo deri në një vendim tjetër, mos dilni pas orës 17:00, dhe po ashtu me lutje mos dilni as para orës 17:00”, ka shkruar Ahmeti.

Po ashtu, pas këtij vendimi ka reaguar edhe lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili tha se qeveria përmes atij vendimi shpërfaqi synimet që kishte për të grabitur kompetenca të cilat nuk i takojnë deri në kufizimin e të drejtave civile të qytetarëve.

Kreu i Nismës ka thënë se të gjithë ata që kanë marrë pjesë në hartimin e këtij vendimi antikushtetues duhet së paku të kërkojnë falje për joprofesionalizëm.

“Gjykata Kushtetuese konfirmoi atë që kemi thënë nga fillimi se vendimi për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve është antikushtetues. Siç kam thënë edhe më herët, në asnjë rast dhe në asnjë ligj qeveria nuk ka të drejtë të marr apo të shpall masa të tilla siç i ka përshkruar në vendim. Qeveria përmes ati vendimi shpërfaqi synimet që kishte për të grabitur kompetenca që nuk i takojnë, deri në kufizimin e të drejtave civile të qytetarëve. Të gjithë ata që kanë kontribuar në hartimin e këtij vendimi antikushtetues duhet së paku të kërkojnë falje për joprofesionalizëm”,shkruan Limaj.

Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se kështu ndodhë kur me vonesë dikush fillon ta njohë Republikën, Flamurin, parimet dhe rregullat e funksionomit të saj.

“Ani kur po i dëgjoj politikanët e lëvizjes vetëvendosje duke interpretuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës..!! U kënaqen duke qarkulluar nëpër Nene të saj, por, nuk po e gjejnë veten askund..!!Kështu është kur me vonesë dikush fillon ta njohë Republikën, Flamurin , Parimet dhe Rregullat e funksionomit të saj..!!Kohë pandemike por gjithnjë duke i respektuar instruksionet e Institutit të shëndetësisë së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur në lidhje me kërkesën e Presidentit për vlerësimin e përputhshmërisë së vendimit të qeverisë me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata Kushtetuese ka vendosur se vendimi i Qeverisë i marrë me 23 mars 2020 nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

PostAdssFotoja e reklamës