Eksperti austriak Shtefan Turner, profesor i shkencave për sistemet komplekse pranë universitetit të mjekësisë në Vjenë, paralajmëron për rrezikun e heqjes së parakohshme të masave kundër përhapjes së coronavirusit në Austri, pasi sipas tij një gjë e tillë do ta dërgonte vendin sikurse Italinë sa i përket numrit të vdekurve.
Gjatë një interviste dhënë agjencisë austriake të lajmeve APA, Turner tha se rënia e numrit të prekurve nuk mund të jetë një shenjë e optimizmit të tepruar duke theksuar se nuk duhet të hiqen masat e ndërmarra.
“Nëse përqindja e vdekjeve në Austri vazhdon të rritet në javët e ardhshme, atëherë do të arrijë përqindjen e vdekjes sikurse në Itali”, ka shtuar ai.
“Është mirë kur veprimet japin rezultate pozitive, por nëse çdo katër ditë dyfishohet numri i të infektuarve atëherë është e tmerrshme”, shtoi eksperti Turner.
Turner beson se nëse shikohet dhe analizohet se si ka filluar gjithçka në Itali kur është fjala për të vdekurit, Austria gjendet pothuajse në një krizë identike.
Ai madje ka përmendur dy skenarë të mundshëm të situatës aktuale.
Në rastin më të mirë në fillim të prillit do të vie deri te momenti kulmor i të infektuarve me të cilët do të duhej të ballafaqohej sistemi shëndetësor, kurse nga 14 prilli duhet planifikuar mënyra se si të kthehen njerëzit nëpër punë dhe të mos vjen deri te rritja e re e të prekurve me COVID-19.
Kur është fjala për skenarin më të keq, Turner tha: “Nëse po e zëmë se numri i të infektuarve do të shkonte në qindra mijëra deri në fund të prillit, një gjë të tillë nuk do të mund ta përballonte sistemi ynë shëndetësor”.
Se cili skenar është më i mundshëm të ndodh është vështirë të prognozohet në këtë rast.