Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër nga Olivér Várhelyi, anëtar i Komisionit Evropian, Komisionar i Bashkimit Evropian (BE) për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, në të cilën thuhet se BE qëndron pranë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në gjetjen e mënyrave për t’ju ndihmuar në adresimin e shpërhapjes së pandemisë, sikurse edhe me pasojat e saj.
“Ne po shikojmë intensivisht se si ta lidhim Kosovën dhe partnerët e tjerë me nismat që BE po merr përsipër si përgjigje ndaj pandemisë COVID-19, si dhe se si të ofrohet më së miri mbështetje në zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të saj. Sa i përket qytetarëve nga rajoni që janë të bllokuar në BE, Komisioni gjithashtu është në diskutim me Shtetet Anëtare për qytetarët e vendeve të treta që mund të gjenden në një situatë ku ju duhet të qëndrojnë për një afat të pacaktuar në zonën Shengen si rezultat i kufizimeve të udhëtimit”, thuhet në letrën e z. Várhelyi, dërguar kryeministrit Kurti.
Letra e z. Várhelyi, drejtuar kryeministrit Kurti
I nderuar Kryeministër,
Unë do të doja t’ju përditësoj për mënyrat e mundshme me të cilat BE planifikon të mbështesë Kosovën në zbutjen e krizës COVID-19.
Evropa po përballet me një krizë të paparë të shëndetit publik dhe masa të gjera po merren në të gjithë kontinentin. Në këto periudha të vështira, bashkëpunimi dhe solidariteti janë thelbësore. BE qëndron pranë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në gjetjen e mënyrave për t’ju ndihmuar në adresimin e shpërhapjes së pandemisë, sikurse edhe me pasojat e saj.
Ne po shikojmë intensivisht se si ta lidhim Kosovën dhe partnerët e tjerë me nismat që BE po merr përsipër si përgjigje ndaj pandemisë COVID-19, si dhe se si të ofrohet më së miri mbështetje në zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të saj. Sa i përket qytetarëve nga rajoni që janë të bllokuar në BE, Komisioni gjithashtu është në diskutim me Shtetet Anëtare për qytetarët e vendeve të treta që mund të gjenden në një situatë ku ju duhet të qëndrojnë për një afat të pacaktuar në zonën Shengen si rezultat i kufizimeve të udhëtimit.
Për sa i përket ndihmës financiare, unë i kam udhëzuar shërbimet e mia që të:
· shfrytëzojnë deri në 5 milion € për nevoja të menjëhershme të financuara nga asetet e përafrimit me BE.
· fillojnë punën në ri-përcaktimin e ndihmës deri në 50 milion € nga programet e 2019 dhe 2020, të cilat tani duhet të përdoren për të zbutur ndikimin socio-ekonomik të shkaktuar nga kriza. Projektet e planifikuara fillimisht si rrjedhojë mund të financohen nga programi i radhës.
· t’i japin prioritet urgjent projekteve që tashmë janë në linjën e implementimit që mund të përmirësojnë likuiditetin dhe mbështetjen ndaj sektorit privat. Kjo përfshin kërkesat e ardhshme për pagesa deri në 13 milion € në pagesa të mbështetjes buxhetore përderisa plotësohen kushtet përkatëse. Përveç kësaj, ne jemi duke parë projekte të tjera dhe do t’i përshtatim në përputhje me rrethanat.
Për më tepër, ne jemi duke punuar së bashku me Institucionet Financiare Ndërkombëtare, duke parë se si më së miri mund ta adresojmë likuiditetin dhe problemet financiare të sektorit privat dhe duke shqyrtuar se si mekanizmat tona shumë-vendore, siç është Fondi i Ballkanit Perëndimor, mund të ndihmojnë më së miri rajonin.
Ne gjithashtu po punojmë ngushtë me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal dhe Sekretariatet e CEFTA dhe Traktatit të Komunitetit të Transportit për të adresuar çështjet që prekin furnizimin e mallrave esenciale për të lehtësuar lëvizjen e mallrave brenda rajonit, dhe midis rajonit dhe BE-së. Kërkesa juaj që pikat e kalimit kufitar me BE-në të konsiderohen si pjesë e propozimit të korsisë së gjelbër nga Komisioni është mbajtur në Komunikatën e miratuar me 23 mars. Ne bëjmë thirrje për bashkëpunimin tuaj të plotë për të punuar së bashku si një rajon, sepse vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe solidaritet mund të adresohet një sfidë e kësaj madhësie.
Kjo është një situatë që po zhvillohet me shpejtësi dhe do të na duhet të përshtatemi në përputhje me rrethanat. I kam kërkuar Shefes së Zyrës së BE/PLBE, Ambasadoren Apostolova dhe ekipin e saj në Prishtinë që të bashkëpunojnë ngushtë me ju për ta çuar këtë përpara, ndërsa shërbimet në Bruksel do të përditësojnë rregullisht Ambasadën e juaj.
Duke punuar së bashku, do të dalim nga kjo krizë më të fuqishëm. /Telegrafi/