Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë sot vendim i cili liron nga obligimi për t’u karantinuar për 2 javë shoferët me shtetësi kosovare dhe të huajt që transportojnë mallra.
Megjithatë atyre do t’iu kryhen testet mjekësore për t’u siguruar që nuk janë të infektuar me virusin COVID-19.
Në pikën 1 të vendimit të MPB-së thuhet se të gjithë qytetarët që futen nga pikat kufitare në Kosovë detyrohen të karantinohen për 2 javë. Ndërkohë në pikën 2, lirohen shoferët që transportojnë mallëra.
“Përjashtohen nga pika 1 e këtij vendimi, shoferët shtetas të Kosovës dhe të Huaj të mjeteve transportuese të mallrave, të cilët pasi t’i nënshtrohen kontrollit mjekësor, vlerësohen se nuk janë të dyshimtë me COVID-19, të njëjtit duhet të veprojnë sipas Udhëzuesit nr. 107 të datës 16.03.2020, të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike”, thuhet në pikën 2 të vendimit të MPB’së.
Këtë vendim Sveçla e ka marrë në koordinim me Grupit Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve.
Ky vendim ka ardhur pas ankesave të afaristëve të Kosovës që u bë dje përmes një letre publike drejtuar kryeministrit Albin Kurti.