Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të thirrur mocionin e shkarkimit të kryeministrit Albin Kurti.
Mirëpo, në grupin parlamentar të LDK-së nuk janë të gjithë të unifikuar sa i përket propozimit të kryesisë së LDK-së.
Deputeti Haxhi Avdyli ka deklaruar se ai nuk e ka nënshkruar mocionin, për shkak të situatës së rëndë me pandeminë COVID 19.
“Dua të konfirmoj opinionin e mediat që unë si deputet i LDK-së nuk e kam nënshkruar mocionin për shkarkimin e KM Albin Kurtit. Arsyet për këtë veprim janë situata e rëndë pandemike që ndodhet vendi dhe paqartësia e veprimeve të ardhshme politike për dalje nga kriza institucionale që rrezikojmë të futemi”, ka shkruar deputeti Avdyli në Facebook.
Vjosa Osmani, ka deklaruar mbrëmë se si anëtarë e kryesisë së LDK-së ka votuar kundër propozimit të kryesisë për të shkarkuar Qeverinë Kurit.
Dje, kryeministri Kurti ka shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, me arsyetimin se ka tradhtuar Policinë e Kosovës dhe koalicionin.