-0.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Papunësia në Kosovë nuk zbutet as deri në vitin 2018

Papunësia në Kosovë vazhdon të jetë nga problemet thelbësore të qytetarëve të vendit, thuhet në një raport të Bankës Botërore të publikuar të martën, në të cilin vlerësohet edhe rritja ekonomike në vend brenda dy viteve të ardhshme.
Sipas shifrave zyrtare, papunësia në Kosovë ka arritur në shifrën prej 32.9 për qind, kurse sipas shënimeve të përfaqësuesve të punëtorëve, thuhet se niveli i papunësisë është mbi 45 për qind.
Bazuar në trendet e zhvillimit ekonomik në vend dhe parashikimet e Bankës Botërore, si dhe në vlerësimet e ekspertëve të fushës, kjo shkallë e papunësisë pritet të mbetet e njëjtë edhe për dy vitet e ardhshme.
Në raportin e fundit, Banka Botërore ka parashikuar që rritja ekonomike për vitin 2016 në Kosovë të jetë 3.6 për qind, që paraqet një shkallë më të ulët në krahasim me vitin paraprak, kur ishte 3.9 për qind. Por, sipas raportit parashihet një rritje prej 3.7 për qind në vitin 2018.
Kjo rritje ekonomike nga 3 deri në 4 për qind që e ka pasur Kosova në dy vitet e fundit, dhe sa do ta ketë edhe në dy vitet e ardhshme, sipas ekspertëve të ekonomisë do të jetë e pamjaftueshme për të absorbuar afër 25 mijë të rinj që çdo vit hyjnë në tregun e punës.
Muhamet Sadiku, profesor universitar në fushën e ekonomisë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se rritja ekonomike 3.6 për qind është nominale, por nëse zbritet edhe inflacioni në eurozonë, atëherë Kosova ka rritje ekonomike edhe më të ulët dhe atë nën 3 për qind.
“Kjo rritje ekonomike, duke pasur parasysh nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik të Kosovës, ku bruto produkti për kokë banori është rreth 2,700 euro, është tejet e pamjaftueshme për të adresuar problemet më të cilat përballet Kosova e ato probleme janë kryesisht probleme sociale”, thotë Sadiku,

Ai shton se rritja ekonomike në Kosovë nuk shndërrohet në zhvillim ekonomik, në përmirësimin e jetës dhe standardit të qytetarëve, si dhe në përmirësimin e standardeve publike.
Për të përmirësuar këtë gjendje të rëndë të papunësisë në Kosovë, profesor Sadiku thotë se Kosova duhet të realizojë rritje ekonomike mbi 6 për qind, si dhe duhet të krijohen politika ekonomike me orientim të qartë për shndërrimin e rritjes ekonomike në zhvillim ekonomik.
“Papunësia në Kosovë zbutet me zhvillimin e sektorëve privat, me zhvillimin e sektorëve prodhues, me përmirësimin e mjedisit biznesor, me inkurajimin e investitorëve të jashtëm, dhe ajo që ne po presim është që korporatat multinacionale të fillojnë t’i hapin repartet e veta prodhuese…vetëm në atë rast mund të absorbohen mbi 10 mijë punëtorë në vit”, thekson Sadiku.
Zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në anë tjetër, për ekspertin e çështjeve ekonomike, Naim Gashi, shihen si mundësi për uljen e nivelit të papunësisë në Kosovë.
“Rritja ekonomike nga 3 deri në 4 për qind, siç e kemi pasur dy vitet e fundit, është e pamjaftueshme për të gjetur vende pune për kontingjentin e të rinjve që futen çdo vit në tregun e punës. Në vit, në tregun e punës futen deri në 25 mijë të rinj dhe kjo rritje ekonomike nuk mund të absorbojë këtë kontingjent.”
“Ajo që duhet të bëjmë ne është që të nxisim investimet dhe kapacitete tona të brendshme që të rrisim shkallën e zhvillimit ekonomik deri në 8 për qind për të absorbuar kontingjentin e të rinjve që kërkojnë punë”, thekson Gashi.
Gjeneratori i krijimit të vendeve të reja të punës në të gjitha vendet e Evropës Juglindore, thotë Gashi, ka qenë fuqizimi i sektorit privat.
Sipas tij, tendenca që nëpërmes bizneseve të mëdha mund të luftohet papunësia nuk është treguar efektive në të gjitha vendet të cilat e kanë kaluar tranzicionin, si Kosova.
“Kosova duhet të orientohet në dy sektorë strategjikë: investimet në projektet e mëdha dhe fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Kosova duhet të ngutet që të aktivizojë kapacitete gjeneruese energjetike, të ndërtohet termocentrali “Kosova e re”, dhe në këtë mënyrë furnizimi i tregut me energji të mjaftueshme krijon kapacitete për zhvillim të afatgjatë”, shton Gashi.
Kosova rritjen ekonomike më të lartë e kishte shënuar në vitet 2010 dhe 2011 dhe atë mbi 5 për qind, por që edhe në atë kohë papunësia ishte një nga problemet më të mëdha që kishte përcjellë qytetarët e Kosovës. Shkalla më e theksuar e papunësisë në Kosovë është te grupmoshat 15-24 vjeçare. /Rel

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img