Turqia ka konfirmuar vdekjen e parë nga coronavirusi në vend, pasi një pacientë 89-vjeçar ndërroi jetë sonte.
Në një konferencë për media, ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, njoftoi se 51 raste të tjera të coronavirusit u diagnostikuan, me çka numri i të prekurve nga ky virus u rrit në 98, shkruan AnadolyAgency.
Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila merret me grumbullimin e rasteve të reja të coronavirusit, në mbarë botën nga mbi 197 mijë raste të konfirmuara numri i vdekjeve ka tejkaluar shifrën 7.900, ndërsa mbi 81 mijë të tjerë janë shëruar.
Numri i rasteve aktive është mbi 107 mijë, 93 për qind e të cilëve janë në gjendje stabile dhe 7 për qind në gjendje kritike.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur Evropën epiqendër të re të coronavirusit të njohur zyrtarisht si COVID-19, pasi fillimisht epiqendra ishte qyteti kinez Wuhan, ku në muajin dhjetor për herë të parë u shfaq virusi.
Ndryshe, Italia është vendi evropian më i goditur nga coronavirusi.
Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) e ka përshkruar pandeminë e coronavirusit si përcaktimin e krizës globale shëndetësore të kohës sonë dhe u bëri thirrje vendeve të testojnë të gjitha rastet e dyshuara të COVID-19.
Në nivel global, virusi ka infektuar pothuajse 180,000 persona, ndërsa 7,000 të tjerë kanë ndërruar jetë. Sipas OBSH-së, 80 mijë persona janë shëruar.