5.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Projekti i “SharrCem” zhduk fshatra dhe lumenj

Dy fshatra, një kishë dhe një lum në regjionin e Dukagjinit pritet të shuhen nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta aprovojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për shfrytëzimin e thëngjillit nga kompania me pronësi greke “SharrCem”.
Fabrika për prodhimin e çimentos në Han të Elezit ka aplikuar me projektin “Prometheus” për eksploatim të thëngjillit në fushat qymyrore Tuçep dhe Kusar, në pjesën veriore të Basenit të Dukagjinit. Në fshatin Tuçep sipërfaqja është 5.6 kilometra katrorë, kurse në Kusar 5.1 kilometra, shkruan Gazeta Fjala.
Rezervat me qymyr tek të dyja shkojnë në 360 milionë tonë.

Gazeta Fjala ka siguruar raportin e Ministrisë se Financave mbi këtë projekt, i cili krahas zhvendosjes se banorëve, pritet të shkaktoj dëme të mëdha në ambient.
Sipas raportit, në fushoren e fshatit Tuçep kalon lumi Kujavçe i cili do të dislokohet si dhe do të bëhet zhvendosja e banorëve dhe trajtimi i objektit fetar, kishës ortodokse, e cila gjendet në afërsi të zonës në fjalë.
Përveç kësaj, raporti konstaton se projekti i SharrCemit, që tashmë është shpallur, përmes një vendimi nga Qeveria si projekt me interes publik, do të këtë pasoja të mëdha mjedisore për zonën ku do të eksploatohet qymyri.
Por pavarësisht kësaj, projekti ‘Prometheus’ i SharrCem ka kaluar në Qeveri dhe Komisionin për Zhvillim Ekonomik, pa pasur paraprakisht diskutim publik me banorët e fshatrave që do të preken.

sharr-cem-2

Drejtori ekzekutiv në INDEP, Burim Ejupi, thotë se Qeveria e ka të përcaktuar edhe me kushtetutë se për projekte të tilla të mëdha, të cilat kanë ndikim social dhe mjedisor tek banorët, para se të merret ndonjë vendim duhet të këtë debat se paku me ata banorë që preken direkt.
‘Ky projekt po i shkon Kuvendit për miratim më shumë të panjohura rreth dëmeve në mjedis dhe pa një studim se sa do të fitoj Kosova nga ky projekt’, ka thënë ai.
Edhe raporti i Ministrisë se Financave thotë se nga aspekti social, implementimi i këtij projekti mund të këtë impakt negativ.
‘Në hapësirën ku është aplikuar nga operatori ka vendbanime. Këto vendbanime pjesërisht janë të populluara edhe me pjesëtarë të minoriteteve. Përveç zotimeve se do të respektojnë standardet që janë aplikuar në shtetet tjera, SharrCem nuk ka prezantuar një zgjidhje konkrete lidhur me këtë problem social’, thuhet aty.
Për me tepër, nuk dihen sesa do të jenë përfitimet e ekonomisë se Kosovës.
Krejt çka thuhet për këtë në raportin e Ministrisë se Financave janë investimet që SharrCem do të kryejë në teknologjinë që do ta përdor për eksploatim dhe numrin e të punësuarve.
‘Për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për mihje, SharrCem propozon që në fazën fillestare të investoj 4 milionë euro. Në fazën e mëtutjeshme SharrCem zotohet të investoj 30 milionë euro në teknologjinë e terjes së thëngjillit dhe zvogëlimit të lagështisë së thëngjillit deri në 13 për qind. Në fazën finale, SharrCem zotohet të investoj 15-35 milionë euro në teknologjinë e bluarjes së thëngjillit, prodhimit të thëngjillit të imët për djegie’, thotë raporti.
SharrCem përdor qymyrin për nevoja të veta
Në projektin që SharrCem ka dorëzuar në Ministrinë e Financave, një kopje të te cilit e ka siguruar Gazeta Fjala, parasheh që produktet finale të përdoren për nevoja vetanake në prodhimtarinë e SharrCem, për t’i shitur impianteve tjera të Titan Grupit në rajon dhe subjekteve të tjera prodhuese të interesuara.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se nga aspekti komercial, një ide e tillë nuk paraqet problem. Megjithatë problematike për të është fakti se pse duhet që një prodhues i çimentos, të jetë edhe prodhues i qymyrit të terur.
‘Pra, Sharrcem në treg nuk do të paraqitet vetëm me çimento, por edhe me qymyr. Ndërkaq, Sharrcem po e mbyll qarkun, meqenëse dëshiron që gjithçka të prodhoj vet dhe në maksimum të lirohet nga furnizimet prej palëve të treta. Ndoshta, nesër, për shkak të nevojës për ushqimin e punëtorëve, do të ngritë ferma, apo edhe serra për perime, pasi që, edhe ato do të ndikonin në uljen e kostos së prodhimit’, ka ironizuar Rexhepi.
Sipas tij, të rasti i qymyrit, më e mira do të ishte që me terjen e tij të merrej një kompani e specializuar me këtë punë, e cila prioritet do të kishte furnizimin e Sharrcem.
Çështja tjetër sipas Rexhepit ka të bëjë me vizionin e Qeverisë e cila, sipas tij, krejt perspektivën e vendit po e mbështet vetëm në qymyr, pa u munduar që të gjej edhe alternativa të tjera. Ai thotë se qymyri sa do që të jetë potencial zhvillimor, bart edhe rreziqe. Fillimisht janë ato ambientale, pastaj nuk mundëson hapjen e numrit të madh të vendeve të punës dhe eksploatimi i tij degradon tokën.
‘Dukagjini, më konkretisht Komuna e Klinës ka potenciale të mëdha bujqësore, prandaj, duhet vlerësuar mirë se mos eksploatimi i qymyrit do të ndikoj dëmshëm në këtë sektor’, vlerëson Rexhepi.
KOSID: Rrezik, hapja e mihjeve të reja
Ndërkaq, në një raport që Rrjeti i organizatave joqeveritare KOSID dhe INDEP i kanë kushtuar këtij projekti, thuhet se Kosova nuk do ta këtë asnjë përfitim të dukshëm publik, pasi do të jetë vetëm një burim për kompaninë që të furnizojë me qymyr të tharë partneret e tij.
Sipas Visar Azemit nga KOSID, një problem tjetër do të jetë hapja e mihjeve të reja.
‘Për më shumë do të këtë hapje të mihjeve të reja dhe jo shfrytëzim i atyre ekzistuese çka do të mund të sillte pak dobi nga projekti. Në formën e tanishme, do të këtë vetëm mihje të reja me emetim të gazeve të dëmshme dhe përfitimet do të jenë vetëm të operatorit ekonomik dhe jo të shtetit’, thotë Azemi.
Azemi shton se ky projekt doemos do të shkaktojë zhvendosje të qytetarëve.
Dhe, gjykuar edhe nga rastet e mëhershme, pasojat sociale të një procesi të tillë veçse dihen.
‘Rasti i zhvendosjes së fshatit Hade në komunën e Obiliqit ka treguar se si mund të këtë pasoja të rënda sociale dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Degradimi i këtyre pjesëve mund të dëmtojë kulturat bujqësore dhe blegtorale, turizmin, biodiversitetin etj’, ka thënë Azemi.

sharrcem-1

SharrCem: Do ta ulim koston e karburantit
Por në SharrCem thonë se përmes projektit të tyre do të zëvendësohej një pjesë e madhe e karburantit të importuar, më atë lokal, cka do të kishim edhe uljen e çmimit.
‘Është e qartë se ulja e kostos së karburantit do të rrisë konkurrueshmërinë e prodhimit vendor. Për Kosovën, pa dalje në det dhe larg porteve, kostoja e karburantit është sot një disavantazh konstant krahasuar me vendet fqinje’, ka thënë për Gazetën Fjala Besa Ramadani, asistente ekzekutive e Bordit Menaxhues në SharrCem.
Sipas saj, Sharrcem ka përvojë të madhe në miniera dhe me një numër të llojllojshëm të karburanteve. Teknologjia e propozuar nga “Projekti Prometheus” është inovative dhe teknologjia më e avancuar, e bazuar në prodhuesit që zënë vendin e parë në prodhimin e pajisjeve dhe e zhvilluar në Gjermani.
Nëse aprovohet ky projekt, Ramadani thotë se efekti në ekonominë e Kosovës do të jetë i trefishtë.
‘Një investim i ri madhor, gjegjësisht fabrika industriale CEP me një zinxhir të ri të furnizimit për shërbime dhe kontraktuesve për pajisje që do të krijonin punësim direkt dhe indirekt. Të ardhurat e shtetit do të rriteshin nga aktiviteti në aspektin e tarifave dhe taksave, dhe çka është shumë e rëndësishme, përmes përmirësimit të bilancit aktual tregtar si duke reduktuar importet ashtu edhe duke rritur potencialisht eksportet’.
Detaje të projektit “Prometheus”
Projekti i Sharrcem “Prometheus”, ka për qëllim prodhimin në Kosovë të një karburanti nga burime vendore, përmes përdorimit të procesit të përforcimit të thëngjillit (CEP), e cila përmirëson efikasitetin termal të linjitit. Ky karburant do të jetë i përshtatshëm për industrinë e rëndë.
Ndryshe, me këtë projekt për vitet 2018-2033, periudhë 16 vjeçare, sasia e qymyrit të eskavuar parashihet të jetë 102,000 tonë në vitin 2018, duke u rritur gradualisht në 600,000 tonë në vitin 2027.
Sipas modelit financiar preliminar parashikohet që projekti Prometheus gradualisht të rris numrin e punëtorëve duke filluar nga 30 deri në 150 punëtorë.
/Gazeta Fjala/PishtinaPress.eu

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img