Në gjykatën e Prishtinës, Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri janë ulur në bankën e të akuzuarve për t’u përgjigjur në akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Prokuroria po e akuzon Xhelil Bekteshin se në cilësinë e Sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës në Prishtinës, e kishte obliguar arkivisten Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistrojë një vendim me qëllim që një tender t’i jepet operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim më të lartë, ndërsa operatorit tjetër ekonomik “Famis CO” t’i pamundësohet fitimi i tenderit edhe pse ishte me ofertë më të lirë.
Gjykimi vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Hysen Merovci, ish- kryetar i Komisionit i zgjedhur më 23 maj 2016.
Dëshmitari deklaroi se gjatë vitit 2016 kishte qenë në pozitë si zyrtar i projekteve për rrugë dhe se kishte qenë anëtar i komisionit të shqyrtimit të kërkesave lidhur me tenderin e rrugës. Ai tregoi për kompetencat e punës e të cilat, sipas tij, janë administrimi me komisionin dhe se gjitha veprimet duhet të merren në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik që ishte ne fuqi atëherë.
Merovci tregoi se tenderi i zgjerimit te rrugës nacionale N9, segmenti ne Gjurgjicë, ka qenë i planifikuar për ndërtimin e disa mureve mbrojtëse për shkak te rrëshqitjes se dheut.
Ai shtoi se kriteret të cilat duhet t’i plotësojnë operatorët ekonomikë janë të kërkuara në njoftimin për kontratë dhe në dosjen e tenderit dhe këto tha se janë të gjitha publike.
“Ne si komision kemi vendosur në bazë të kritereve dhe në bazë të meritave, d.m.th. ata që i kanë plotësuar kërkesat e njoftimit për kontrate dhe të dosjes së tenderit dhe ky operatori ekonomik ka qenë ‘Sallahu’”, tha Merovci.
“Pasi e kam mbledhë komisionin e ri e kam kuptuar se ka qenë një komision paraprak dhe pastaj jam informuar se pikërisht ai komision e kishte zgjedhë fitues një operator tjetër, e që ishte ‘Famisi’”, shtoi ai.
Prokurori Ibrahim Berisha kërkoi nga dëshmitari që “edhe një herë” ta shpjegojë procedurën e dhënies së tenderit për kompaninë “Sallahu”.
“Me të marrë vendimin, në takimin e parë në komision, jemi dakorduar që pasi është komision i ri të bëhet ekzaminimi i dosjeve të tenderit, krahasimin dhe vlerësimin siç e parasheh Ligji për Prokurimin Publik”, tha Merovci.
“Pas ekzaminimit të dosjeve, kemi parë se operatori ekonomik “Famis” ka pasë një shkelje të rëndë të procedurave të prokurimit. Në këtë rast kishte shkelë Deklaratën nen Betim që është kërkuar ne një nga pikat e dosjes se tenderit, ku ka deklaruar në mënyrë të rrejshme në kundërshtim me kërkesat e dosjes së tenderit se njërin nga inxhinierët e kishte të angazhuar ne një projekt tjetër “Ura në lumin Sitnica në Pestovë”, do të thotë udhëheqësi i punishtes ishte i angazhuar edhe në atë projekt, me ç’rast kishte nënshkruar kontratën kompania “Famis” dhe për këtë arsye ai ka qenë i eliminuar nga ky aktivitet i prokurimit”, tha dëshmitari Merovci.
Ai shtoi se komisioni e ka gjetur të përgjegjshëm operatorin e radhës që ishte “Sallahu” pasi një ndër kërkesat administrative ka qenë që të mos jetë i angazhuar edhe diku tjetër.
Lidhur me kushtet teknike te operatorit ekonomik “Sallahu”, dëshmitari deklaroi se kjo kompani e kishte bazën e vet të asfaltit, bazën e gurthyesit, bazën e betonit dhe gjitha pajiset që nevojiten dhe po ashtu edhe degën në Gjermani.
“Sa më kujtohet, në këtë tender i ka pasur 500 mijë euro para të gatshme në xhirollogari, dhe edhe kjo ka qenë ndër kriteret që janë kërkuar”, tha dëshmitari.
Ai po ashtu deklaroi se tashmë i akuzuari Xhelil Bekteshi, gjatë kohës se procedurës së tenderimit nuk e kishte ftuar atë në zyrë për të biseduar për procedurën e tenderimit.
Ai mohoi që Xhelil Bekteshi e Besim tahiri të kenë ndikuar në mënyre direkte apo indirekte në përzgjedhjen e operatorit ekonomik.
Florin Lata, avokat i të akuzuarit Besim Tahiri, e pyeti dëshmitarin rreth çështjes së deklaratës nën Betim të komapnisë “Famis” e cila nuk e fitoi tenderin për shkak të një inxhinieri i cili kishte qenë i angazhuar edhe në një projekt tjetër.
“Udhëheqësi i punishtes ka qenë në 2 projekte që janë në kundërshtim në deklaratën që është dhënë nën betim. Pasi që unë jam në njësinë kërkuese ne e bëjmë edhe precizimin e pozitës se inxhinierit dhe në këtë rast ka qenë (inxhinieri) Resul Zejneli”, tha dëshmitari.
Dëshmitari deklaroi se një ndër kriteret për përzgjedhjen e operatorit ekonomik ka qenë edhe çmimi më i ulët dhe, sipas tij, operatorit ekonomik “Sallahu” e kishte plotësuar edhe këtë kusht edhe pse sipas prokurorisë, kompania “Sallahu” ka pasur çmim me të lartë sesa “Famis”.
“Ka qenë edhe çmimi më i ulët dhe operatori më i përgjegjshëm”, shtoi dëshmitari tutje.
Më pas prokurori ia parashtroi dëshmitarit Merovci pyetjen rreth çmimit të ofertuar nga “Sallahu” dhe “Famis”.
Dëshmitari tregoi se Ministria e Infrastrukturës i kishte planifikuar çmimet dhe se “çmimi i planifikuar nga “Sallahu” ka qenë më i ulët se çmimi jonë i planifikuar, dhe nuk ka pasur tejkalim nga çmimi”.
Seanca e radhës u caktua më 31 mars 2020, në ora 13:00
Prokuroria pretendon se i akuzuari Xhelil Bekteshi, gjatë vitit 2016 deri sa ishte sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë, kishte tejkaluar kompetencat duke e obliguar zyrtaren Valentina Rexhepi që është në librin e protokollit të regjistrojë një vendim me të cilin vendim është ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “ Zgjerimi i Rrugës Nacionale Gjurgjicë- Kijevë”, pjesë e magjistrales Prishtinë – Pejë, i cili vendim mbanë datën 26.6.2016 dhe regjistrohet me datën 23.5.2016, me qëllim që tenderi t’i jepet kompanisë “Sallahu”, i cili ishte me çmim prej 991,418.19 euro, përderisa kompania “Famis CO” kishte ofrtuar me 30 mijë euro më pak (961,590.16 euro).
Aktakuza thotë se me këto veprime, kompanisë “Famis” i ështrë pamundësuar që ta fitojë tenderi.
Ndërsa për të akuzuarin Besim Tahiri, aktakzua thotë se në cilësinë e personit zyrtar si Ushtrues i Detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës kishte shfrytëzuar detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat për të ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erëza Arifi, që e ta ndërrojë raportin e vlerësimit të tenderit të datës 2.5.2016, duke e obliguar atë të paraqes kërkesë me shkrim që të tërhiqet nga komisioni dhe të bëhet ndryshimi i vendimit të datës 29.4.2016, me qëllim që tenderi t’i jepet kompanisë “Sallahu” edhe pse për nga çmimi ishte më i shtrenjtë.