Marrëveshja e paqes me talebanët hap derën për SHBA-në që të përqendrohet “në luftën me Kinën”

162
Advertisement

Marrëveshja e paqes e administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, me talebanët hap derën për një tërheqje fillestare të trupave amerikane, që Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper e sheh si një hap drejt qëllimit më të gjerë të përgatitjes për luftë të mundshme në të ardhmen me Kinën.

Advertisement

Mark Esper i ka sytë kah “gara e madhe rreth fuqisë”, që do të thotë të qëndrosh një hap përpara Kinës dhe Rusisë në fushat e betejës të së ardhmes, duke përfshirë garën e hapësirës ​​dhe në armë strategjike të gjeneratës tjetër si raketa hipersonike dhe armë të përparuara bërthamore, shkruan Time.com.

Ai e sheh Kinën në veçanti si një kërcënim në rritje për mbizotërimin amerikan në skenën botërore, transmeton Telegrafi.

Për të bërë më shumë dhe për t’u përgatitur për sfidën e Kinës, Esper dëshiron të bëjë më pak në Afganistan, Irak dhe vende të tjera.

Kështu do të ketë një zhvendosje të trupave drejtpërdrejt në Azi, dhe më shumë zvogëlim të angazhimeve në rajone me interes më të ulët, në mënyrë që më shumë njësi ushtarake të mund të stërviten së bashku mbi aftësi që lidhen me luftën konvencionale.

Vetëm vitin e kaluar, SHBA ka dërguar 20,000 trupa në Lindjen e Mesme, kryesisht për shkak të shqetësimeve për Iranin.

Me theksin e presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftërave të SHBA-së kundër ekstremistëve dhe kryengritësve, përfshirë edhe atyre në Afganistan, Esper dëshiron të sjellë në shtëpi sa më shumë trupa, pasi ai mendon se duhet t’i përgatisin ata për një luftë “në nivel më të lartë”.

Stephen Biddle, një analist i politikave dhe një profesor i Universitetit Columbia për çështje ndërkombëtare dhe publike, është skeptik që Pentagoni do të jetë në gjendje të tërhiqet plotësisht nga Afganistani dhe pikat e tjera të nxehta rajonale si Iraku, duke kujtuar se administrata e Barack Obamas provoi të njëjtën gjë – edhe përkundër faktit se Kina gjithashtu rritej – në periudhën 2011-2014.

“Problemi ishte shpërthimi i Shtetit Islamik në skenë, në Irak dhe Siri, dhe kjo bëri që të përqendrohemi përsëri në Lindjen e Mesme dhe luftërat e vogla”.

Në komentet e së shtunës në Kabul, Esper mbajti fokusin për një tërheqje të plotë të SHBA-së, ndërsa paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara “nuk do të hezitojnë” për të goditur ato që ai e quajti kërcënime terroriste në Afganistan, nëse talebanët shkelin premtimet e tyre për të parandaluar grupet ekstremiste të përdorin tokën afgane për të filluar sulme ndaj SHBA-së ose aleatëve të saj.

“Ende kemi një rrugë të gjatë për të bërë”, tha Esper. Ulja e numrit të ushtarëve amerikanë në Afganistan është ‘objektivi ynë përfundimtar’”, tha ai, por shtoi se do të duhen “shumë muaj”.

Në fund të vitit të kaluar, Esper vuri në pah se do të ishte i gatshëm të ulë numrin e trupave edhe nëse nuk mund të bëhej ndonjë marrëveshje me talebanët.

“Unë do të doja ta bëja këtë sepse ajo që dua të bëj është të rialokojë forcat në rajonin e Azisë dhe Paqësorit”,tregoi ai në Forumin Kombëtar të Mbrojtjes në dhjetor.

Ai shtoi se dëshiron të bëjë të njëjtën gjë në Mesdhe, Afrikë dhe Evropë.

Pentagoni nuk ka shprehur publikisht një orar të saktë për zvogëlimin e trupave në Afganistan, por Esper ka thënë se marrëveshja e paqes e nënshkruar të shtunën në Doha, Katar nga zyrtarë amerikanë dhe përfaqësues të talebanëve do të ulë numrin e ushtarëve amerikanë, nga totali aktual prej gati 13,000 deri në rreth 8,600, i ngjashëm me numrin që trashëgoi Donald Trump kur hyri në Shtëpinë e Bardhë tre vjet më parë.

Ulja nuk do të ndodhë menjëherë; ajo do të kryhet gjatë një periudhe prej disa muajsh dhe mund të ngadalësohet, ndalet ose edhe të kthehet, nëse marrëveshja e paqes shkelet.

Ndërsa sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, të dielën tha se SHBA do t’i mbajë forcat e talebanëve dhe Afganistanit në angazhimet e tyre për të zvogëluar nivelin e dhunës dhe parashikoi një rrugë “të vështirë dhe me gunga” përpara.

“Nuk ka të bëjë me besimin, por ka të bëjë me atë që ndodh në tokë jo vetëm dje, e cila ishte një ditë e rëndësishme, por në ditët që do të pasojnë”, tha ai për CBS.

Ndërkohë gjeneral Mark Milley, kryetar i Shefave të Përgjithshëm të Shtabit dhe një ish-komandant i forcave amerikane në Afganistan, tha: “E gjithë kjo varet nga kushtet dhe varet nga sjellja e talebanëve”.

Veç këtyre është deklaruat edhe republikani Liz Cheney: “Do të ishte ‘marrëzi’ për t’ju besuar talebanëve, të cilët po drejtonin Afganistanin dhe po strehonin al-Kaidën kur forcat amerikane sulmuan në tetor të vitit 2001”.

Si pjesë e marrëveshjes së negociuar me Uashingtonin, talebanët premtuan të mos lejojnë al-Kaidën të përdor vendin si një vend inskenues për të sulmuar Shtetet e Bashkuara ose aleatët e saj.

Nëse procesi i paqes ka sukses dhe SHBA përfundon të tërhiqet tërësisht, në këtë rast, trupat e operacioneve speciale të SHBA-së do të vendoseshin në një ose më shumë vende të afërta si Uzbekistani dhe kur të ishte e nevojshme për të monitoruar ose për të sulmuar luftëtarët e Al-Kaidës ose IS do të ishin më afër tyre.

Nivelet e forcave amerikane në Afganistan u tërhoqën me kalimin e viteve. Më herët, amerikanët shpresuan që një forcë e vogël mund të mbante kontroll mbi al-Kaidën dhe të stërviste një ushtri afgane. Por nga rreth 2.500 trupa në fund të vitit 2001, forca u rrit në rreth 22,000, pesë vjet më vonë. Ish-presidenti Barack Obama vendosi numrin nga rreth 34,000 në fillim të mandatit të tij të parë në 100,000. Në kohën kur ai u largua nga Shtëpia e Bardhë, numri kishte rënë në 8.400.

Donald Trump e mori detyrën në janar të vitit 2017 pa oreks për vazhdimin e ngërçit afgan. Ai u bind, megjithatë, në gusht të vitit 2017 për të shtuar disa mijëra trupa si pjesë e asaj që ai e quajti një strategji të re për rajonin. Kjo përfshinte caktimin e Zalmay Khalilzad, një ish-ambasadori amerikan në Kabul, për të udhëhequr negociatat me talebanët që përfundimisht prodhuan marrëveshjen e së shtunës dhe një shans për Shtetet e Bashkuara të lëvizin përtej Afganistanit.

PostAdssFotoja e reklamës