-2.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Kosnett: Zhvillimi ekonomik në Kosovë arrihet me ndihmën e bizneseve nga diaspora

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Philip Kosnett, ka theksuar se prioritetet amerikane në Kosovë, së fundi, i ndajnë në tri sosh: në paqe, në drejtësi dhe në prosperitet. Megjithatë, sipas tij, këto nuk janë prioritetet e vetme që Qeveria amerikane synon t’i ketë në Kosovë, pasi që siç tha ai ‘zhvillimi ekonomik i Kosovës duhet të arrihet, më së shumti, nga vetë Kosova”.

Këtë deklaratë, ambasadori Kosnett, e bëri në një takim me përfaqësuesit e bizneseve shqiptaro-amerikane, të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York, më moton “Investimi i Diasporës shqiptare në Kosovë”, ku morën pjesë më shumë se tridhjetë përfaqësues shqiptaro-amerikanë të bizneseve në Amerikë, të cilët shkëmbyen ide rreth investimit të mundshëm në Kosovë, me qëllim të zhvillimit ekonomik të saj.

Ambasadori Kosnett, tha se investimet në sektorin privat do ta zhvillonin më së shumti ekonominë e Kosovës, gjë që do të mund të arrihej edhe me ndihmën e bizneseve nga diaspora.

Duke folur për ndihmën që SHBA-të kanë dhënë për Kosovën, ai shpjegoj se çdo vit, populli amerikan jep miliona dollarë, për të mbështetur programe dhe aktivitete në Kosovë.

“Këto programe ndërtojnë kapacitetin e qeverisë, sigurojnë të drejtat e grupeve minoritare dhe anëtarët më të cenueshëm të shoqërisë, rrisin kapacitetin e sistemit ligjor dhe ndihmojnë bizneset që të përmbushin standardet ndërkombëtare të produkteve dhe të fitojnë qasje në tregjet e reja. Ne gjithashtu, kemi partneritet me qeverinë, në iniciativat për të inkurajuar pjesëmarrjen më të madhe të grave në ekonomi, të mbështesim sipërmarrësit nga të gjitha komunitetet e ndryshme të Kosovës, të krijojmë një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt të energjisë, dhe të përgatisim më mirë të rinjtë që të jenë motorët e rritjes në të ardhmen. Ne mbështesim zhvillimin e gjykatave dhe policisë, si dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha mes tjerash, ambasadori Kosnett, raporton Telegrafi.

Ai shtoi se e di se sa shumë janë mirënjohës qytetarët e Kosovës për ndihmën që kanë marrë nga ShBA-ja këto dy dekada të fundit.

Duke folur për prioritetet e përbashkëta, sidomos për prioritetet e Amerikës, dhe shpresat e tyre  për Kosovën, ai tha se ne i grupojmë këto çështje në tre kategori: paqe, drejtësi dhe prosperitet.

“Me paqe, dua të them marrëdhënie më të mira midis Kosovës dhe fqinjëve të saj, veçanërisht Serbisë, por edhe lidhjeve paqësore, fqinjësore midis bashkësive etnike brenda Kosovës. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë të drejtë të jetojnë në liri pa pasur frikë nga fqinjët e tyre, dhe gjithashtu pa pasur frikë se nëse arrijnë një miqësi me fqinjët e tyre nga një komunitet tjetër, dikush nga komuniteti i tyre do të kundërshtojë, dhe paqja, me këtë përkufizim, është e lidhur ngushtë me drejtësinë. Kur njerëzit në Kosovë ngrenë temën e drejtësisë, konstatoj se ata zakonisht flasin për luftimin e korrupsionit dhe ndërtimin e një sistemi gjyqësor dhe një forcë policore që ka besimin e njerëzve. Kjo është jetësore.

Ndërkaq, ambasadorja Teuta Sahatqiu, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York, këtë takim e quajti shumë të rëndësishëm, mes  ambasadorit Kosnett dhe komunitetit te biznesit shqiptaro amerikan.

Ajo tha se Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York, është bërë vend i takimeve të shumta substanciale, një shtëpi e vërtetë e Kosovës dhe e shqiptarëve në New York.

Ambasadorja Sahatqija, në fjalën e saj përshëndetëse, krahas një falënderimi për Ambasadorin Kosnett dhe për përfaqësuesit e bizneseve nga diaspora shqiptare, prezentë në këtë ngjarje, e informoi atë për vizitën në Kosovë të një sërë bizneseve amerikane, disa prej të cilave tashmë i kanë instaluar bizneset atje.

“Shpresoj se ky takim do të jetë frytdhënës , në mënyrë që bizneset nga diaspora të investojnë në vendin e tyre të origjinës, pasi që një mundësi e tillë tashmë ekziston”, tha ambasadorja Satahqija.

Përndryshe, gjatë këtij diskutimi, kishte një përfaqësim dinjitoz të bizneseve shqiptaro-amerikane, të cilët patën pyetje të ndryshme  dhe shumë të artikuluara në fushat e ndryshme.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img