2.9 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Preshevari që bëri stemën e UÇK-së

Emblemat e para të UÇK-së ishin shtypur në një fabrikë tekstili në Zvicër. Ardhja e tyre për në Kosovë, siç tregon Adnan Asllani, aktivisti që bëri emblemën e UÇK-së, ishte përcjellë me vështirësi të njëjta sikurse edhe armatimi që hynte për ushtarët e UÇK-së. Stema e UÇK-së, që e bëri Asllani, ishte bartur edhe nga Adem Jashari.

Nuk kishte pasur kundërshtime për versionin që ishte prezantuar. Në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK) vendimet merreshin kryesisht me konsensus të plotë.

“Si për ironi më kujtohet se shumë vonë, diku në verë 1998, pasi emblemat ishin shpërndarë në mesin e luftëtarëve, e ashtuquajtura Ministri e Mbrojtjes e Qeverisë së Bukoshit kishte marrë vendim t’i aprovonte emblemat e UÇK-së”, thotë krijuesi i stemës së UÇK-së.

Asllanit nuk i kishte kërkuar askush leje, që stema që kishte krijuar të përshtatej edhe për UÇPMB-në dhe UÇK-në në Maqedoni.

Zëri: A mundeni në pika të shkurtëra të na thoni se kush është Adnan Asllani, për ata që nuk e njohin?

Adnan Asllani: Kam lindur para 44 vjetësh në Strezoc të Preshevës. Aktivitetin tim atdhetar e kam filluar si nxënës i shkollës së mesme në Ferizaj, ku bashkë me të rinj të tjerë studentë, jemi aktivizuar në kuadër të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës që më vonë njihet si Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK). Në shtator të vitit 1988 bashkë me shokë të tjerë jam arrestuar dhe dënuar me dy vjet burgim.

Pas daljes nga burgu sërish kam vazhduar veprimtarinë në kuadër të po të njëjtës organizatë, duke kryesuar me Këshillin e Rrethit të Preshevës.

Në prill 1993, si përfaqësues i Preshevës, kam marrë pjesë në Mbledhjen Konsultative të LPK-së që është mbajtur në Kollare të Kërçovës, ku ishin prezentë të gjithë përfaqësuesit e rretheve të LPK-së nga Kosova, Maqedonia, Presheva dhe nga Dega jashtë vendit.

Kjo është një nga mbledhjet më të rëndësishme që kishte zhvilluar Lëvizja, për faktin se aty po trajtohej rruga e ardhme e LPK-së dhe me këtë edhe rruga e ardhme e Kosovës dhe viseve tjera të banuara me shqiptarë në përpjekjet për liri.

Mbledhja vendosi që të forcohen aksionet e armatosura kundër pushtuesit. Ndërkaq, në aspektin organizativ ajo vendosi të formojë një Grup të Organizimit dhe Riorganizimit, i cili do të mirrej me riorganizimin e radhëve si dhe organizimin e Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme.

Unë bashkë me Ramadan Avdiun, Bilall Sherifin, Hashim Thaçin dhe Hulusi Beqirin u zgjodhëm anëtarë të këtij Grupi, që kishte në fakt edhe një detyrë: të bëjë identifikimin e anëtarëve më konspirativë e të përshtatshëm për aksione konkrete.

Drejtimi i Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme që është mbajtur në Prishtinë, më 26 dhe 27 korrik 1993, më është besuar mua. Mbledhja ka një rëndësi historike, për faktin se aty është vendosur që të fillohet me përgatitjen e luftës së armatosur.

Përveç kësaj, Mbledhja ka zgjedhur edhe Këshillin e Përgjithshëm prej 7 vetash ku bëja pjesë unë, Bajrush Xhemajli, Xhavit Haziri, Emin Krasniqi, Halil Selimi, Ali Ahmeti dhe Shaban Shala.

Për shkak të burgosjeve që ndodhën në Kosovë, u detyrova unë, Halil Selimi, Ramadan Avdiu, Hashim Thaçi etj. që të kalonim në ilegalitet.

Kjo gjendje ilegaliteti, duke qëndruar herë në Shqipëri e herë në Kosovë e Maqedoni, imponoi një organizim të ri. Disa nga anëtarët e Këshillit të ri të Përgjithshëm ishin burgosur (Xhavit Haziri dhe Bajrush Xhemajli) disa të tjerë kaluam në ilegalitet (unë dhe Halil Selimi) dhe kështu nuk mund të funksiononte Këshilli i Përgjithshëm. Në muajin dhjetor të vitit 1993 do të bëhet një takim i strukturave të larta drejtuese të Lëvizjes Popullore të Kosovës për të analizuar shkaqet e arrestimeve pas Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme dhe për të përcaktuar masat për evoluimin e gjendjes. Së bashku me Halil Selimin kemi paraqitur materialin për shkaqet e arrestimeve, material që ruhet në arkivin e Organizatës. Po ashtu, në këtë takim, u vendos përzgjedhja e një Trupe Drejtuese të përkohshme në nivel të Organizatës, dhe me vendim unanim, jam zgjedhur drejtues i kësaj Trupe, ku bënin pjesë edhe Ali Ahmeti, Hashim Thaçi, Halil Selimi dhe Emrush Xhemajli. Trupa Drejtuese veproi si e tillë deri në maj 1994, kur u vendos që kompetencat t’i kalojnë Degës së LPK-së jashtë vendit dhe për pasojë shumë nga ne si unë, Hashim Thaçi e Azem Syla emigruam në Zvicër.

Duke qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së edhe jashtë vendit, jam angazhuar edhe në redaksinë e gazetës “Zëri i Kosovës”. Më 1998 jam zgjedhur pastaj kryeredaktor i saj. Pas çlirimit të Kosovës, disa muaj kam qëndruar në Kosovë. Më pas jam kthyer në Zvicër, ku kam mbaruar studimet për film dhe animacion dhe ku tani punoj, krahas si disajner grafik edhe në projekte të ndryshme filmike.

Emblema e UÇK-së, pas punës njëjavore

Zëri: Zotëri Asllani, Ju keni qenë ideatori i stemës së UÇK-së? A mund të na tregoni nga kush ishte kërkuar krijimi i një steme për UÇK-në?

Adnan Asllani: Ishte diku fundi i vitit 1997. Isha në zyrën e redaksisë së gazetës “Zëri i Kosovës”, kur jam kontaktuar nga anëtari i Kryesisë së LPK-së, Gafurr Elshani, për të parë mundësinë e disajnimit të emblemës së UÇK-së. Kemi biseduar edhe rreth idesë se çka do të ishte mirë të përmbante ajo etj., dhe pas një pune njëjavore kam paraqitur emblemen e dizajnuar, e cila me një shpejtësi të jashtëzakonshme do të bëhej simbol i luftës për liri. E vetëkuptueshme që kjo kërkesë vinte tek unë edhe për shkak të njohurive që kisha me disajnin grafik, por edhe se unë isha brenda radhëve dhe isha në rrjedha të plota të organizimit. Ishte një punë me shumë përgjegjësi për të cilën dinin shumë pak veta.

Zëri: Në çfarë stade të konsolidimit ishte UÇK-ja në kohën kur u bisedua për stemën e saj?

Adnan Asllani: Ishte pra fundi i vitit 1997 dhe UÇK-ja kishte shënuar hapa të rëndësishëm në organizimin e saj. Më 28 nëntor të po këtij viti ajo kishte dalur publikisht në varrimin e mësuesit, Halit Geci, të vrarë nga forcat serbe. Tashmë nuk mund ta mohonte askush se UÇK-ja ishte një realitet, edhe pse nëpër konferenca shtypi e aktivitete të tjera hidhej mjegull pa pushim kundër saj, nga strukturat legale të kohës. Dukej shumë qartë se hovi i UÇK-së ishte i pandalshëm. Kjo, jo vetëm për shkak se ajo po shtohej në numër, por edhe për shkak se populli po ndjehej i dëshpëruar nga politika e durimit, të cilën po e aplikonte udhëheqja e atëhershme. Ndërkaq, dhuna serbe ishte i vetmi mjet me të cilin regjimi serb komunikonte me shqiptarët. Ishte pra vetëm një rrugë që kishte mbetur dhe ishte njëkahëshe, nga e cila s’kishte kthim: rruga për çlirimin e Kosovës me luftë.

Adem Jashari, me stemën e UÇK-së

Zëri: Adem Jashari në Prekaz gjatë luftës heroike kishte në veshjen e tij stemën e UÇK-së, kur ai ra heroikisht me familjen e tij?

Adnan Asllani: Në fillim të vitit 1998 u bë shtypja e emblemave të para të UÇK-së. Në një fabrikë tekstili në Zvicër janë shtypur ekzemplarët e parë. Rrugës për në Kosovë e kanë përcjellë vështirësi të njëjta sikur ato të armatimit, ku duhej të kalonte malin me plot rreziqe. Me sa kam njohuri, ka edhe filmime të dërguara nga Zona Operative e Drenicës, konkretisht nga Adem Jashari. Ademi paraqitet i uniformuar, duke mbajtur stemën e UÇK-së. Po ashtu, edhe sipas rrëfimit të mbesës së Ademit, Besartës, e vetmja që i mbijetoi luftës së marsit 1998, ka treguar, mes të tjerash se, Adem Jashari gjatë gjithë kohës këndoi dy këngë, të Çerçiz Topullit dhe të Kamber Loshit dhe se ishte në uniformën e UÇK-së.

Pas rënies së Adem Jasharit dhe familjes së tij kam punuar një pano që njëkohësisht ishte edhe emblemë e Fondit “Vendlindja Thërret”, Fond ky i themeluar nga LPK-ja e që i dedikohej UÇK-së. Në këtë pano shihen Shaban, Hamzë e Adem Jashari kurse në sfond të tyre ishte emblema e UÇK-së. Ata, me sakrificën e tyre sublime, vulosën emrin e tyre dhe të UÇK-së, në historinë tonë, me shkronja të arta. Kësaj sakrificë dhe këtij emri, unë i përkulem përjetësisht.

Zëri: Sa ide ishin dhënë për stemën e UÇK-së? Kush ishin personat e tjerë që kishin dhënë ide?

Adnan Asllani: Përveç versionit të aprovuar kisha disajnuar edhe disa versione të përafërta dhe me sa kam njohuri janë konsultuar edhe disajnerë të tjerë, sidomos në Shqipëri.

Zëri: A kishte ndonjë konkurs intern apo si erdhi deri tek kërkesa për një stemë?

Adnan Asllani: Nuk ka pasur konkurs. Ishte kohë kur gjithçka duhej të bëhej në fshehtësi, për shkak të rrethanave të kohës. Ishte diçka që e kërkonte niveli organizativ në të cilin ndodhej UÇK-ja

Zëri: Si u bë përzgjedhja e saj?

Adnan Asllani: Në një nga mbledhjet e Kryesisë së LPK-së, janë diskutuar të gjitha propozimet dhe është vendosur, që ky variant që e njohim edhe sot, të përdorej si shenjë dalluese e UÇK-së.

Zëri: Kush ishin njerëzit që e miratuan idenë Tuaj, duke thënë: “Po, kjo është stema ideale për UÇK-në”?

Adnan Asllani: Këtë e ka vendosur Kryesia e LPK-së që atëherë përbëhej nga Fazli Veliu, Muhamet Kelmendi, Emrush Xhemajli, Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Gafurr Elshani etj.

Zëri: A kishte kundërshtime nga ndonjë grup apo person lidhur me atë që kishit paraqitur?

Adnan Asllani: Nuk kam njohuri të ketë pasur kundërshtime. Në LPK zakonisht vendimet janë marrë me koncensus të plotë. Si për ironi më kujtohet se shumë vonë, diku në verë 1998, pasi emblemat ishin shpërndarë në mesin e luftëtarëve, e ashtuquajtura Ministri e Mbrojtjes e Qeverisë së Bukoshit kishte marrë vendim t’i aprovonte emblemat e UÇK-së.

Zëri: A kanë ndonjë simbolikë ngjyrat e vendosura në stemën e UÇK-së?

Adnan Asllani: Patjetër, aty është ngjyra e gjakut dhe flamuri.

Zëri: Konkretisht, na intereson ngjyra e verdhë që e rrethon stemën e UÇK-së. A ishte vetëm çështje e dekorit apo kjo ngjyrë thotë diçka më shumë për Ju si ish-aktivist i Lëvizjes Popullore të Kosovës?

Adnan Asllani: Ngjyra e verdhë është shkëlqimi i së artës dhe simbolizon diellin e dritën, të cilën ushtarët e UÇK-së do ta sillnin në trojet tona ashtu edhe siç ndodhi.

Zëri: Më vonë stema e UÇK-së u përshtat edhe gjatë luftës në Preshevë dhe në Maqedoni. E njëjta pësoi vetëm pak ndryshime. A e pëlqyet këtë përshtatje?

Adnan Asllani: Po patjetër, pasi ishte fjala për vazhdimësinë e së njëjtës ushtri dhe nuk kishte si të bëhej ndryshe. Ajo në fakt i ka dhënë kuptimin e plotë emblemës.

Zëri: A iu kërkoi dikush nga udhëheqësit e luftës në Preshevë apo në Maqedoni aprovim paraprak për këtë?

Adnan Asllani: Jo, nuk ka pasur nevojë, pasi emblema ishte një arritje e përbashkët e të gjithë anëtarëve të LPK-së dhe të UÇK-së. Unë vetëm kisha kryer detyrën time. Shumë më e rëndësishme se puna ime ishte bartja e asaj embleme në frontet e luftës.

Zëri: Edhe formacioni i Armatës Kombëtare Shqiptare ka të njëjtën stemë. Ndryshojnë vetëm shkronjat. Në vend të UÇK, shkruhet AKSH. Kjo organizatë cilësohet terroriste, për dallim prej UÇK-së. Si e shihni këtë përshtatje të stemës së UÇK-së nga kjo organizatë?

Adnan Asllani: Mendoj se ne nuk kemi nevojë për ushtri të tjera, qoftë edhe aso të internetit, pasi sot shqiptarët janë në një pozicion politik në Ballkan dhe në Evropë dukshëm më të favorshëm. Ndikimi i tyre në fakt është në rritje e sipër, duke u falënderuar edhe miqve tanë amerikanë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img