1.5 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

Qeveria Kurti pa zëdhënës për media, AGK kërkon që të ndërpritet kjo praktikë

Kanë kaluar tri javë prej kur Kosova ka Qeveri dhe institucione të reja. Më 3 shkurt 2020 në Kuvendin e Kosovës u votua Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, me koalicionin LVV-LDK.

Pas formimit të Qeverisë, dhe ndarjes së posteve ministrore, kryeministri Albin Kurti ka filluar emërimin e pozitave të rëndësishme në institucione si zëvendësministrave por edhe të këshilltarëve të tij .

Por, kryeministri Kurti ende nuk ka marrë vendim për emërimin e një zëdhënësi të Qeverisë për media, duke bërë kështu që gazetarët të hasin në pengesa në kryerjen e punës së tyre.

Gentiana Begolli, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka thënë për Telegrafin se kanë marrë ankesa nga ana e gazetarëve se nuk mund të marrin përgjigje për pyetjet që ju parashtrojnë Qeverisë.

Ajo ka shtuar se AGK rekomandon emërimin e një zëdhënësi nga Qeveria, në mënyrë që të jenë sa më transparent jo vetëm ndaj gazetarëve, por edhe ndaj qytetarëve përgjithësisht.

“Pozita e Zëdhënësit të Qeverisë është e një rëndësie të veçantë për transparencën e këtij institucioni publik, por edhe për punën e gazetarëve, pasi që ata duhet të kenë një burim nga ku mund të marrin përgjigje lidhur me temat që trajtojnë. Bordi i AGK-së, rekomandon emërimin e një zëdhënësi nga qeveria, në mënyrë që të jenë sa më transparent jo vetëm ndaj gazetarëve, por edhe ndaj qytetarëve përgjithësisht. Kemi hasur në ankesa të gazetarëve se nuk marrin përgjigje për pyetjet që ja parashtrojnë qeverisë. Kjo praktikë duhet të ndërpritet dhe nuk duhet të vazhdoj më tutje”, ka thënë Begolli.

Mungesa e zëdhënësit për media në Qeverinë e Kosovës, i shkakton pengesa në kryerjen e punës së saj si gazetare edhe Ardiana Thaçi-Mehmetit e cila punon në Kohavision.

Thaçi-Mehmeti ka thënë për Telegrafin se nevoja për një zëdhënës është imediate.

“Pavarësisht që ne e kuptojmë faktin se Qeveria ende nuk i ka 30 ditë pune, nevoja e një zëdhënësi është imediate. E them këtë kur kihet parasysh “misteri” apo pa qartësia që është krijuar pas marrjes së disa vendimeve që në realitet kanë qenë të mëdha, por që prapa tyre ishin një mori pikëpyetjesh. Si shembull ne mungesë të zëdhënësit mediat ende e kanë të pa qartë se si do të veprohet tash pas shkarkimit të Bordit të Telekomit, se çfarë do të ndodhë me sekretarët e shkarkuar të ministrive apo ta zëmë se kur do të votohet Buxheti i Kosovës”, ka thënë Thaçi-Mehmeti.

Gazetarja Aridana Thaçi-Mehmeti, më tej ka theksuar se nuk është transparenca nëse vendimet merren në një mbledhje qeverise dhe me aq përfundon sqarimin rreth tyre, duke ua mohuar gazetarëve që të shtrojnë pyetjet e tyre dhe ta plotësojnë lajmin për publikun.

“Besoj së kryeministri Kurti e ka të qartë dhe e di mirë rendësin e zëdhënësit, pasi si parti e kanë pasur mjaftë të zhvilluar këtë sektor. Është jetike për të bërit gazetari të dihet adresa nga ku do të marrin përgjigje pyetjet tona”, u shpreh ajo.

Ndryshe Telegrafi një javë më parë i ka shkruar zyrës për informim në Qeverinëë e Kosovës për të marrë një përgjigje rreth mos emërimit të zëdhënësit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img