Pse po zgjerohet aq shpejtë nëpër Itali coronavirusi, për vetëm 48 orë humbin jetën 5 persona – dy rajone të vendit bllokohen totalisht

125
Advertisement

E përditshmja italiane Corriere della Sera shkruan se pritet që numri i të infektuarve me coronavirus në Itali të rritet nga çasti në çast, dhe se makthi në Itali ka filluar të premten në orët e para të mëngjesit kur ndërroi jetë personi i parë i infektuar me virusin vdekjeprurës.

Advertisement

Për vetëm 48 orë kanë humbur jetën 5 persona, kurse rajonet e Lombardisë dhe Veneto janë bllokuar totalisht – janë futur në karantinë, derisa nëpër rrugë kanë dalë policia dhe ushtria, e shkollat, kinematë, pishinat e shumë objekte tjera janë mbyllur për të paktën një javë, transmeton Telegrafi.

Personi kyç në agjencinë e mbrojtjes civile, Angelo Boreli, ka thënë se nuk duhen fajësuar mjekët pasi nuk kanë identifikuar me kohë simptomat e coronavirusit.

Kjo e përditshme shkruan se në spitalin e Kodonjës ku është hospitalizuar pacienti i parë i prekur me coronavirus, janë infektuar edhe pesë mjekë dhe infermierë, derisa në spitalin e Doles ku është hospitalizuar edhe një person i infektuar, janë infektuar edhe tre punonjës shëndetësorë.

“Nuk bëhet fjalë për numrin e testeve të realizuara. Ka pasur situata kur nuk kemi arritur t’i identifikojmë me kohë simptomat e coronavirusit. Mjekët kishin probleme me identifikimin e tyre”, ka shtuar Boreli.

Personi i parë i infektuar me coronavirus në Itali është një 38-vjeçar, i cili javën e kaluar u shfaq në spitalin e Kodonjës me probleme shëndetësore, megjithatë ata e kishin liruar duke i thënë se ka simptoma të gripit.

Por, ajo çfarë e bën më të mistershëm tërë këtë histori, është fakti se ky burrë nuk kishte udhëtuar askund jashtë vendit. Disa ditë më pas, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua edhe më shumë, kështu u rikthye në spital ku edhe u zbulua se është infektuar me coronavirus.

Virologu nga universiteti i Milanit, Fabricio Preliasko, ka thënë se asnjë prej mjekëve nuk kishte menduar për coronavirusin, pasi që në Itali deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast, përveç dy turistëve të cilët qysh në fillim të janarit u hospitalizuan dhe raportohet se kishin ardhur nga Kina.

“Nuk ka pasur arsye të dyshohet në coronavirusin, sidomos në këto ditë kur është shpërndarë një grip. Italia ka gjetur veten në një situatë në të cilën ka qenë Kina, është ballafaquar me një virus të ri. E vërteta për coronavirusit po përfolët prej muajsh, por në Itali nuk ka pasur asnjë rast përveç atyre turistëve”, ka shtuar ai.

Profesori Davy  Shridhar nga fakulteti i mjekësisë në Edinburg, konsideron se epidemia ka përjetuar kthesë të madhe në 48 orët e fundit, pasi ka ardhur deri te rritja e numrit të infektuarve jashtë çerdhes së epidemisë në Kinë. E ajo çfarë e bën më të komplikuar është fakti se ata nuk kanë pasur kontakt me askënd që ka qenë i diagnostifikuar me këtë sëmundje. /Telegrafi/

PostAdssFotoja e reklamës