Një shpërthim i COVID-19 në veri të Italisë u përkeqësua të premten, me zyrtarët që njoftuan 14 raste të konfirmuara në rajonin e pasur të Lombardisë, ndërsa dy raste u raportuan në rajonin e Venetos.
Vetëm disa orë pasi zbuluan se gjashtë persona kishin virusin vdekjeprurës, zyrtarët thanë që tetë të tjerë po ashtu kishin testuar pozitivë me këtë sëmundje, përfshirë pesë punonjës shëndetësie.
Agjensia e lajmeve ANSA tha se dy persona ishin diagnostikuar se vuanin nga sëmundja shumë ngjitëse në Veneto, megjithëse nuk ishte menjëherë e qartë nëse rastet ishin të lidhura.
Zyrtarët u thanë banorëve nga tre qytete të vogla rreth 60 km në juglindje të Milanos, për të qëndruar në shtëpi pasi mjekët testuan qindra njerëz që mund të kishin ardhur në kontakt me gjashtë të sëmurët nga coronavirusi.
Asnjë nga gjashtë rastet e para të raportuara nuk besohet se kishte vizituar Kinën, e cila është epiqendra e virusit.
Kryeministri Giuseppe Conte tha se ekzistonte një karantinë e detyrueshme për të gjithë ata që kanë qenë në kontakt me pacientët e infektuar, pasi autoritetet lokale vazhduan të gjurmojnë të gjithë ata me të cilët kishin rënë në kontakt.
“Shumica e kontakteve të atyre që testuan pozitivisht për koronavirus janë identifikuar dhe janë nënshtruar testeve dhe masave të nevojshme”, thuhet në një deklaratë.
Para të premtes, vetëm tre persona ishin konfirmuar në Itali se kishin virusin që u shfaq në qytetin kinez Wuhan në fund të vitit të kaluar.