Teoria politike thotë se çdo qeveri bën lëvizje dhe vendime të mëdha në vitin e parë të mandatit të saj, në mënyrë që të mund të menaxhojë pasojat e saj eventuale deri në zgjedhjet e ardhshme.
Kështu shkruan BBC në gjuhën serbe, sipas të cilit medium presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për pak më shumë se një muaj hyn në vitin e fundit të një mandati pesë-vjeçar të shënuar nga bisedimet e papërfunduara Beograd-Prishtinë.
Dhe lidhur me këtë, ky medium ka intervistuar presidentin Thaçi, përcjell Telegrafi.
“Nëse diçka ndodh në negociatat me Serbinë, do të ndodhë këtë vit. Nëse nuk ndodh këtë vit, kam frikë se do të humbasim dekada”, ka thënë Thaçi në një intervistë për BBC në gjuhën serbe.
Po sipas të njëjtit medium, ndërsa negociatorët e tjerë thonë se nuk ka presion dhe nxitim, Thaçi sqaron se viti i fundit i mandatit të parë të presidentit Donald Trump është koha më e mirë për të arritur një marrëveshje në Ballkan.
“Unë nuk mendoj se mund të marrim përsëri vëmendjen e presidentit Trump, SHBA-së dhe ekipit të tij. Ky kthim i vëmendjes së SHBA-së në rajonin tonë është një dhuratë nga Zoti, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë – ne duhet ta shfrytëzojmë këtë”.
Presidenti i Kosovës gjithashtu ka folur edhe rreth marrëveshjeve të fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që kanë të bëjnë me trafikun ajror dhe hekurudhor midis Beogradit dhe Prishtinës, marrëveshje të sponsorizuar nga i Dërguari Presidencial i SHBA-së, Richard Grenel.
Në intervistën e tij, presidenti Hashim Thaçi ka folur edhe rreth mesazhit të Uashingtonit që Serbia duhet të ndalojë fushatën e saj për tërheqjen e njohjes së Kosovës, ndërsa Prishtina duhet të heq tarifat prej 100 për qind të mallrave nga Serbia – duke e parë si një iniciativë të mirëseardhur.
“Çdo sukses i Kosovës është për shkak të meritës së institucioneve të Kosovës, por edhe rezultatit të bashkëpunimit me partnerët në SHBA dhe në Evropë. Unë nuk mund ta imagjinoj që Kosova të ecë përpara pa bashkëpunim me partnerët tanë”.
Ndërkaq rreth deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se është i gatshëm të zëvendësojë “taksën” me “masa reciprociteti”, Thaçi, i cili as nuk e kritikoi, e as e miratoi vendimin e qeverisë së mëparshme Ramush Haradinaj, thotë se Prishtina duhet të mendojë shumë.
“Ne nuk duhet të marrim vendime që janë populiste – në këtë mënyrë ne gjoja po e ndëshkojmë Serbinë, por në fakt po largohemi nga Bashkimi Evropian dhe SHBA”, ka thënë ndër tjerash Thaçi. /Telegrafi/