Sekretari i PDK-së për Prishtinë, Bujar Cakolli, nëpërmjet rrejtit social në Facebook, shkruajti se duhet të hiqet taksa 100% e vendosur nga Qeveria Haradinaj.
Këtë ai e arsyeton se është kërkesë e ShBA-ve e që të cilat duhet të realizohen duke pas parasysh miqësinë me ta, e kontributin që e dhanë për Kosovën, shkruan gazeta inFokus.
“Problem kishte me qenë nëse Amerika dhe Grenelli kishin me thanë “hiqeni taksën dhe bleni produkte serbe”. Mirëpo përderisa kërkesa e Amerikës është vetëm “hiqeni taksën”, qeveria e Kosovës qoftë ajo e Haradinajt qoftë kjo e Kurtit, këtë duhet ta bënin mbrenda 24 orëve! Kjo kërkesë është shumë e vogël në raport me SHBA-të të cilët shumëherë gjatë historisë na shpëtuan nga fundosja si popull, dhe roli i saj ishte përcaktues për lirinë dhe krijimin e shtetit tonë!”, ka shkruar Cakolli.
Mirëpo, këtë mendim, nuk e ka edhe shefi i Cakollit, Kadri Veseli.
Kjo të paktën duket nëpërmjet një deklarate të tij që e kishte bërë në rrjete sociale, e ndaj të cilës i ishte përgjigjur edhe i dërguari special i Donlad Trump, Richard Grenell.
Ky i pati thënë Veselit, se ShBA po e kërkojnë heqjen e taksës, e për arsyen e kësaj do të ishte i lumtur t’ia shpjegonte Veselit
“Taksa ndaj importeve serbe ka qenë vendim dinjitoz i shtetit tonë për t’iu kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Shpreh shqetësimin për ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës. Një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën. Prandaj, nuk duhet të ketë manovrime politike për këtë temë të ndjeshme, e cila rrezikon ta dëmtojë më tej vendin tonë. Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, kishte thënë Veseli.