Kuvendi i Kosovës ka votuar sot Qeverinë Kurti në një seancë që ka zgjatur rreth shtatë orë, e cila është përshkuar me akuza të rënda të deputetëve opozitarë, në adresë të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Qeveria Kurti u votua një ditë pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, pas më shumë se dy muajsh nga certifikimi i rezultateve.
Qeverinë e udhëhequr nga Kurti e kanë mbështetur 66 deputetë, ndërsa ka pasur 10 abstenime dhe asnjë kundër. Pak para votimit, partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate e kanë lëshuar sallën e Kuvendit.
Seanca e sotme ka nisur me betimin e deputetëve, të cilët nuk ishin prezentë në seancën e parë të këtij legjislativi.
Menjëherë pas kësaj, Glauk Konjufca, i cili u zgjodh kryetar i Kuvendit në seancën e 26 dhjetorit, deklaroi se udhëheqjen e seancës ia kalon bashkëpartiakes së tij, nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci.
Më pastaj, mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, planin qeverisës.
Kurti ka thënë se ky është një program që adreson secilën fushë dhe prek secilin qytetar të Kosovës.
Albin Kurti
“Me këtë program do të jetësojmë premtimet e 6 tetorit, datë kjo që solli ndryshimin politik në vend. Do të jemi qeveri e kursimit të parasë publike. Para meje do të jenë 15 ministra, e jo 21, sa ishin. Do të kemi 33 zv.ministra e jo mbi 80 sa ishin më herët”, tha ai.
Derisa Kurti po prezantonte programin qeverisës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu është kujdesur që mandatarit për formimin e Qeverisë, t’ia vendos në setër flamurin e Kosovës.
Ndërsa, deputetja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha –Kollçaku në fjalimin e saj ka folur për programin qeverisës të koalicionit dhe ka bërë thirrje për votimin e Qeverisë Kurti.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, duke folur për programin qeverisës që paraqiti mandatari për formimin e Qeverisë, tha se nuk kanë besueshmëri ndaj këtij programi.
Bedri Hamza
Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se programi qeverisës LVV-LDK është program i koordinuar. Ai ka ftuar deputetët që ta votojnë këtë program dhe kabinetin qeveritar.
Arben Gashi
Kritikave ndaj mandatarit për formimin e qeverisë i është bashkuar edhe shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Teuta Haxhiu, duke ia përmendur Kurtit premtimet dhe fjalët që i tha para arritjes së marrëveshjes së koalicionit.
Në disa raste, nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci e cila udhëheqte seancën ia tërhoqi vëmendjen Haxhiut të mos dilte nga tema, por të koncentrohej në ekspozenë e Kurtit, shkruan Telegrafi.
Teuta Haxhiu
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, tha se nuk pret shumë nga qeveria e Albin Kurtit duke e quajtur këtë të fundit si simbol të hipokrizisë politike.
Haxhi Shala
E, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se sot po synon të bëhet kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, i cili as nuk e njeh e as nuk e ndjen Republikën e Kosovës si shtet, prandaj sipas tij, Kurti nuk mendon as të jetojë në Kosovë.
Kadri Veseli
Shumë kritik ndaj Kurtit ishte edhe Shkumbin Demaliaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili tha se nuk do ta votojnë Qeverinë Kurti.
Shkumbin Demaliaj
Demaliaj ka përmendur disa nga premtimet e Kurtit dhe deklaratat e tij të dhëna gjatë karrierës.
Ndërsa, kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se Albin Kurti duhet të fillojë të punojë si kryeministër i Kosovës, shkruan Telegrafi.
“Sot është dita e parë e fillimit të funksionimit të institucioneve. Do të kemi kohë të mjaftueshme që secili ti mbrojmë qëllimet e veta”, ka thënë Limaj.
Fatmir Limaj
Limaj ka parashtruar disa sugjerime për kandidatin për kryeministër Albin Kurti.
Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, tha se koalicioni LVV-LDK është i pazareve të pista që synon ta bëjë kryeministër Albin Kurtin, i cili siç tha Krasniqi, krejt karrierën e vet politike e ka ndërtuar me mashtrime, manipulime dhe dhunë.
Më i ‘reformuar’ nga tabori i opozitës është treguar Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli. Ai tha se partia e tij do të jete konstruktive në këtë legjislaturë, dhe se do të jenë të pranishëm për të votuar gjithçka që është në të mirë të Kosovës. Ai konfirmoi se do të qëndrojë në opozitë këtë mandat.
Behxhet Pacolli
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kritikuar ashpër kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike, Isa Mustafën.
Ganimete Musliu
Në fjalimin e saj në seancën ku pritet votimi i Qeverisë, Musliu tha se koalicioni LVV-LDK nuk do të jetë asnjëherë koalicion i shpresës.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka adresuar akuza ndaj kandidatit për kryeministër, Albin Kurti për të cilin tha se është një mashtrues që iu ka paraqitur popullit me premtime boshe.
Abelard Tahiri
Edhe Hajredin Kuçi i PDK-së ka thënë se nëse Albin Kurti nuk e bën bashkimin kombëtar sa është kryeministër, njerëzit do ta humbin besimin e tij.
Hajredin Kuçi
Në seancën plenare për votimin e Qeverisë së re, Hajredin Kuçi u shpreh kritikues ndaj Kurtit duke e akuzuar për mashtrim karshi qytetarëve.
Deputeti tjetër i PDK-së, Elmi Reçica, ka thënë se Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij qysh në fillim janë lodhur nga marrja e përgjegjësive.
Elmi Reçica
Me fjalime përplot akuza ndaj mandatarit për kryeministër u paraqitën edhe eputetë të tjerë të PDK-së e AAK-së.
Pas rreth shtatë orë diskutimesh, Kuvendi i Kosovës me 66 vota për dhe 10 abstenime e votoi Qeverinë e Re të Republikës të udhëhequr nga Albin Kurti, shkruan Telegrafi.
Të pranishëm në seancë ishin 76 deputetë, kurse para votimit, seancën e kanë braktisur deputetët e PDK-së dhe AAK-së.
Pas betimit që ka bërë, kryeministri Kurti, i është drejtuar deputetëve të Kosovës me një fjalim.
Kurti ka thënë se sot po hapet një kapitull i ri për Republikën e Kosovës.
Ai ka shtuar se me Qeverinë që do ta udhëheq ai kanë fituar qytetarët e Kosovës.
Qeveria Kurti do t’i ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.
Nga ajo që u pa sot në Kuvendin e Kosovës, Qeveria Kurti gjatë mandatit të saj do të përballet me një opozitë të fuqishme, e cila do të jetë shumë kritike dhe agresive ndaj koalicionit qeverisës. /Telegrafi/