Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga afati kushtetues për formimin e Qeverisë, dy partitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë përafruar qëndrimet për bashkëqeverisje.
Dakordimi për koalicion LVV-LDK u bë pas shumë takimesh mes vete të cilat nuk sollën rezultat deri me tani – përkundër që janë bërë dy muaj nga certifikimi i rezultateve e rreth katër muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.
Së fundi dy subjektet politike ishin pajtuar pothuajse për gjithçka, por kishte mbetur pezull çështja e Kryetarit të Kuvendit, për të cilën LDK insistonte t’u takojë atyre.
Pas këmbënguljes së LDK-së, Vetëvendosje do të lëshojë pe, dhe Glauk Konjfuca pritet që nesër të japë dorëheqje nga posti i kryeparlamentarit duke marrë tjetër post, bëjnë të ditur burimet e Telegrafit brenda dy partive.
Marrëveshja përfundimtare pritet të nënshkruhet të dielën dhe të bëhet publike edhe zyrtarisht nga këto parti.
Sa i përket ministrive ndarja parashihet të jetë 5 me 5, edhe pse ende nuk është e definuar saktë nëse do të shtohen më shumë ministri.
Ndërkaq, janë marrë vesh që çështja e presidentit të mbetet kur t’i përfundojë mandati presidentit aktual Hashim Thaçi.
Me 3 shkurt, e hënë, është thirrur seanca për votuar për formimin e qeverisë së re, sipas kërkesës së mandatarit për kryeministër, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor 2019.
Ato u nxitën nga një dorëheqje e kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi mori ftesë për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë.