15.8 C
Pristina
Friday, September 20, 2024

Buy now

spot_img

Muzika, moda dhe vizualja shkrihen në Prishtina Open Air Music Nights

Në mes të Sheshit “Skënderbe” ishte vendosur një skenë e cila në mbrëmje u ndez me dritat kaltër e kuq, gjë që e krijonte një atmosferë ngrohtësie në këtë mbrëmje të ftoftë të së mërkurës.
Sheshi kësaj radhe do të mirëpriste një muzikë ndryshe e cila do të vinte e shoqëruar me performancë. Kjo mbrëmje po vinte si rezultat i një eventi që do të sillte ritme të muzikës alternative nga artistët të dalluar të kryeqytetit. Mbrëmja filloi me bendin Oborri, të cilët fillimisht ftuan publikun të afrohet sa më afër skenës e të këndonin e vallëzonin bashkë me ta sepse ndoshta kjo ishte mënyra më e mirë për të sfiduar të ftohtin që sillte mbrëmja. Ky ishte vetëm fillimi nga ajo që ishte përgatitur për koncertin e Prishtina Open Air Music Nights, organizim ky nga Culture for All.
Pas interpretimin të Oborrit të cilët sollën tri këngë dhe bënë që atmosfera të merrte kahje të mirë dhe t’i tërhiqte njerëzit sa më shumë në vendin e ngjarjes, radha i erdhi interpretimit të artistit Andos Sinani i cili doli në skenë i shoqëruar nga violinisti Taulant Rruci. Një interpretim interesant ku këngët të shoqëruara me violinë vinin ndryshe dhe me shumë ritëm.

Por, gjatë interpretimit të artistëve, në anën tjetër, në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës po ndodhte një performancë. Kësaj radhe shkallët ishin shndërruar në një pasarelë ku vajzat të cilat i kishte sjellë Agjensioni ModelMNG nga Dhurata Lipovica, prezantonin kreacione nga dizajneret tashmë të dëshmuara si Berna Saraçi, Nita Bllacaku, Yllka Brada dhe Flutura Dedinja.
Vajzat prezantonin kreacionet e secilës dizajnere me radhë. Ato dilnin nga ndërtesa e Teatrit e vazhdonin të performonin në shkallët e teatrit të cilat ishin ndriçuar me drita të kuqe. Me disa lëvizje interesante ato përfundonin sfilatën e parë e tutje vazhdonin me të dytën, kështu deri në prezantimin e të gjitha kreacioneve.
Ndërsa mbi teatër kishin marrë formë disa pamje vizuale, dizajne shumë të veçanta të cilat i kishin sjellë Erik Qorolli, Granit Halili, Berin Hasi dhe Qëndrim Uka.

Drejtori artistik i këtij evenimenti, Alban Nimani tregoi për KultPlus se qëllimi i këtij organizimi është që njerëzit të vijnë e të dëgjojnë muzikën e prezantuar së bashku me dizajn dhe fashion.
“Sonte u prezantuan bendet më të reja dhe disa pak më të vjetra të Prishtinës. Kjo është skena muzikore e Prishtinës, skena e modës në Prishtinë si dhe skena e dizajnit që u paraqit mbi Teatër, e cila erdhi nga artistë të rinj. Ky koncert tashmë është tradicional, këtë vit kemi vendosur të sjellim muzikë alternative” tha Nimani për KultPlus duke pohuar gjithashtu se të tilla organizime i mungojnë qytetit.
Tutje skenën e rrëmbeu Dren Abazi i cili interpretoi disa nga këngët më të dalluara të tij të cilat i solli së bashku me bendin Asgjë Sikur Dielli, madje Dreni tha që kjo është hera e parë që ata performojnë bashkë. Bendi Asgjë Sikur Dielli interpretoi gjithashtu disa këngë me të cilat edhe u përmbyll ky koncert i cili erdhi në qiellin e hapur por të ngrohur me muzikën dhe performancat që sollën artistët.
Ndërsa artisti Andos Sinani i cili në këtë koncert u prezantua me dy këngë të tijat, në fillim, dhe kënga e tretë ishte kënga “Të gjitha rrugët të qojnë në Prishtinë” të Gjurmëve, tha që kjo mbrëmje ju duk shumë interesant.

“Meqë jemi në Prishtinë dhe kjo këngë e bendit Gjurmët është pritur shumë mirë nga koncerti që kemi pasur së bashku me Gjurmët në Tiranë, atëherë vendosa ta sjellë edhe sonte. Sonte interpretimi ishte vetëm akustik në bashkëpunim me Taulant Rrucin në violinë sepse desha ta sjellë më ndryshe. Mendoj që ishte një mbrëmje interesante, muzikë dhe fashion, besoj që publiku janë kënaqur edhe pse pak ftoftë”, tha Andos Sinani për KultPlus.
E të njëjtin mendim ishte edhe kreatorja Yllka Brada, e cila tha që ky event ishte diçka ndryshe.

“Shumë interesant, në të njëjtën kohë muzikë, dizajn dhe fashion. Unë i kam prezantuar pesë kreacione prej koleksionit ‘Personna’, me pesë modele nga modelMNG. Ftesën ma kanë bërë Alban Nimani dhe Domenique nga Culture for All”, tha kreatorja Yllka Brada për KultPlus.
Ky ishte koncerti Prishtina Open Air Music Nigts që edhe këtë vit erdhi i mbështetur nga Culture for All.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img