Lëvizja Vetëvendosje, pas takimit të sotëm me LDK-në, që nuk rezultoi me arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, ka paralajmëruar se këto dy subjekte politike nesër do të kenë një takim të përbashkët me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.
Lidhur me këtë, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se ishte kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje, që nesër të ketë një takim të përbashkët me QUINT-in.
“Ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që kërkoi takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it”, tha Veliu, për televizionin T7.
Veliu bëri të ditur se LDK tashmë i ka të qarta qëndrimet dhe pozicionin në bisedimet me LVV-në. Sipas tij, këto qëndrime janë konfirmuar në Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.
Me këtë deklaratë, Veliu ka demantuar nënkryetaren tjetër të LDK-së, Vjosa Osmani, e cila pas takimit të sotëm LVV-LDK, ka thënë se ka qenë kërkesë e përbashkët e LVV-së dhe LDK-së që të mërkurën të kenë takim të përbashkët me ambasadorët e QUINT-it.
Pas takimit të sotëm të krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, e që rezultoi i paskuksesshëm, LVV dhe LDK kanë dalë me komunikata zyrtare për media.
Në deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se “Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së”.
Ndërsa, LDK ka thënë se në takim kanë shpalosur qëndrimet e tyre tashmë të njohura për opinionin. “Konsiderojmë që këto qëndrime janë të balancuara për të dy palët dhe që i shërbejnë stabilitetit të qeverisjes së vendit”, thuhet në komunikatën e LDK-së.