Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Selim Selimi, e ka quajtur padinë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, drejtuar Haradinajt, diversion politik.
Përmes një shkrimi në Twitter, ka thënë se me të i ndihmon vetëm presidentit të Serbisë, Alekandar Vuçiq.
“Nuk ka nevojë që me padi t’i ndihmohet Vuçiqit në zgjedhje”, ka shkruar Selimi.
Ai tha se Rama do ta humbë betejën juridike ndaj Haradinajt.
“Ashtu si e humbi betejën politike do t’a humb edhe atë juridike. Prej Konispoli deri në Vërmos ju kemi vëllezër e motra!”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, Haradinaj sërish ka folur për Ramën.
Në një intervistë në Top Channel ka përsëritur se Rama ka lobuar për ndarjen e Kosovës.
“U kërkoj falje popullit shqiptar. Padia e Ramës është një akt i turpshëm. Ai ka qenë ideator dhe ka lobuar për ndarjen e Kosovës”, tha Haradinaj.
Po ju insitoni që ai ka qenë pro ndarjes sepse Rama nuk ka një qëndrim konkret- e pyeti Eni Vasili.
“Po ai ka qenë pro ndarjes. E ka thënë qartë në një emision që pro ndarjes ka qenë edhe presidenti Rugova. Ai ka lobuar në media, dhe me aktorë të tjerë në biseda me të huaj. Madje këtë bisedë e ka bërë edhe në tavolina ku unë kam qenë prezent”, u shpreh Haradinaj.
Kryeministri në detyrë, Haradinaj shtoi se Rama me pafytyrësi bëri padi ndaj tij.
“Nuk e di pse bën këtë tallje dhe hajgare ndaj meje. Unë kam vuajtur, familja ime ka vuajtur për të mbrojtur kombin. Ndërsa kryeministri me marre dhe pafytyrësi bëri padinë i cili është akt i turpshëm”, tha Haradinaj.