Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se adresa e zgjidhjes në të cilën ndodhet vendi është tek partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje. “Vendimi im që e kam nënshkruar që Albin Kurti është mandatuar si kandidat për kryeministër…, është në tavolinën time dhe pret”, tha presidenti Thaçi.
“Ajo që duhet të ndodh është respektimi i plotë i vullnetit të qytetarëve të Kosovës të shprehur me 6 tetor, ku kemi partinë e parë dhe partitë vijuese, të cilat duhet t’i japin zgjidhje këtij procesi në mënyrë që të implementohet vullneti qytetarë. Adresa e zgjidhjes së këtij ngërçi është tek partitë politike ende, ndërsa në momenti kur kalon në një fazë tjetër presidenti i vendit, duke ushtruar të drejtën kushtetuese, do të punojë me tërë potencialin në bashkëpunim me partitë që të garantohet funksionimi demokratik i institucioneve”, tha Thaçi.
I pyetur se edhe sa do të presë që partia fituese të propozojë mandatarin, Thaçi tha se rrjedhojë e zhvillimeve e kërkon zgjidhjen nga partitë.
“Ende procesi është, kjo rrjedhojë e zhvillimeve e kërkon zgjidhjen nga partitë, prandaj dua të shpresoj në përgjegjësitë shtetërore, respektimin e vullnetit qytetarë dhe natyrisht të mos hyjmë në një fazë të një ngërçi ose refuzimi për mos ndërtimin e institucioneve të vendi”, tha ai.
Thaçi tha se Kosova edhe gjatë nuk do të pres.
“Kosova edhe gjatë nuk do të pres, nuk do të jetë e bllokuar, por e theksoi edhe një herë do të shikojmë të gjitha mundësitë e variacioneve politike. Të gjithë qytetarët që kanë votuar duhet t’i respektojmë dhe natyrisht jo vetëm te një adresë politike. Vazhdoj të besoj fuqishëm që do të ecim në drejtimin e duhur në mënyrë që të vazhdojmë në implementimin e prioriteteve që kemi si për liberalizimin e vizave”, tha ai.
Ndërkohë, ka folur edhe për letrat e dërguara Albin Kurtit.
“Për hir të korrektësisë, ju e dini letrat që i kam dërguar dhe ftesat që i kam dërguar partisë së parë në Kosovë të merr siç e do rendi edhe zyrtarisht të drejtën e mandatarit për themelimin e qeverisë, takimi që ka qenë ka qenë një takim i një vullneti të mirë, por në të njëjtën kohë dua të shpresoj dhe e ftoj përsëri që të mos vazhdojë të vonohet. Vendimi im që e kam nënshkruar që Albin Kurti është mandatuar si kandidat për kryeministër. Kështu që nënshkrimi im në vendimin për mandatar ekziston, është në tavolinën time dhe pret. Vullneti i popullit të Kosovës është më i madh se çdo lider dhe vullneti për të lëvizur më shpejt është më i madh sesa për të mbajtur peng një popull. Unë pres që vendimin që e kam nënshkruar, ka qenë kandidat, ka emëruar gjysmën e qeverisë ta pranojë nominimin, nëse jo është e drejtë e tij te refuzimit që nuk është i gatshëm”, tha ai.