Gjyqi në Senat që do të përcaktojë nëse do të shkarkohet ose jo presidenti amerikan, Donald Trump, fillon sot me procedurat fillestare, ku do të jenë të përfshirë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që do të shërbejnë si prokurorë, duke paraqitur akuzat para senatorëve që do të shërbejenë si juri.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, John Roberts do të bëjë betimin për rolin e tij në mbikqyrjen e procesit dhe më pas 100 senatorët do të bëjnë betimin para tij për rolin e tyre në juri.
Kreu i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell tha se hapi i fundit të enjten do të jetë njoftimi i Shtëpisë së Bardhë dhe “thirrja e Presidentit për t’iu përgjigjur akuzave dhe për të dërguar avokatin e tij”.
Pjesa kryesore e gjyqit fillon të martën. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi i dërgoi të mërkurën në Senat akuzat ndaj Presidentit Donald Trump, pas javësh debat mbi rregullat e gjyqit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson Senati njofton nga Kongresi:
Në një ceremoni të pazakontë ….procesi për shkarkimin e një presidenti zhvendoset nga Dhoma e Përfaqësuesve në Senat.
Katër javë pasi Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë demokrate, votoi pro akuzave për presidentin Trump.
“Dhoma e Përfaqësuesve votoi pro akuzave për shkarkimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, një vendim që hyn në histori”, tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Pelosi emëroi të mërkurën shtatë ligjvënës që do të luajnë rolin e prokurorëve në gjyqin që zhvillohet në Senat. Ata kryesohen nga kreu i Komisionit të Zbulimit, Adam Schiff dhe ai i Komisionit Juridik, Jerrold Nadler.
“Dokumente të reja dhe dëshmitarë shtesë, provojnë pa mëdyshje fajin e presidentit dhe ne kemi zbuluar përpjekjet e disa personave nga shumica në Senat për të mbajtur një gjyq të sajuar. Populli amerikan e kupton që një gjyq pa prova, pa dëshmitarë, nuk është gjyq por një lojë dhe kjo nuk do të pranohet”, tha Nadler.
Demokratët do të përpiqen të provojnë se zoti Trumë shkeli postin e presidentit kur inkurajoi ndërhyrje të huaj për zgjedhjet e vitit 2020, në një telefonate më 25 korrik me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelinskiy.
Pelosi kishte shtyrë dërgimin e akuzave, në një përpjekje të pasuksesshme për të detyruar udhëheqësin e shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell që të pranonte kërkesën e demokratëve për dëshmitarë.
“Nuk bëhet fjalë për nuancat e ndihmës së huaj për Evropën Lindore. Është një lojë e pastër politike”, tha McConnell.
Zoti McConnell ka thënë se secila palë do të paraqesë argumentat, para se të konsiderohet çështja e dëshmitarëve. Një pikëpamje, e mbështetur nga senatorët e tjerë republikanë.
“Pasi të kemi një ide për çfarë bëhet fjalë përsa u takon provave, argumentat e prokurorëve dhe ato të mbrojtjes, duhet të pyesim veten: a na duhet të dëgjojmë prova shtesë? Kemi nevojë të dëgjojmë dëshmitarë të tjerë?”, thotë senatori republikan John Kennedy.
Shtëpia e Bardhë u tha gazetarëve se do të jetë aq e lehtë të mbrohet presidenti Trump, saqë gjyqi do të zgjasë vetëm dy javë.
“Është një mashtrim. Le t’i japim drejtim”, tha Presidenti Trump.
Por gjyqi i fundit për shkarkimin e një presidenti, ai i vitit 1999 për Bill Clintonin, zgjati mbi një muaj. /VOA/