12.9 C
Pristina
Friday, November 1, 2024

Buy now

spot_img

Vëllai tjetër i Haki Imerit akuza të rënda ndaj Presidentit: Me ty Hashim Thaci shihemi në Gjykatë Speciale

Faik Imeri, vëllai i Haki Imerit, i vrarë pasluftës në rrethana të pasqaruara, përmes një letre bombë, e paralajmëron Presidentin Thaçi se shumë shpejt do të shihen në Gjykatën Speciale për vrasjen e vëllait të tij. Faiku, përndryshe, thotë se me Thaçin kanë qënë në një klasë, kursë kujdestar e kishin Haki Imerin tashmë të ndjerë.

Shkruan në vetën e parë Faik Imeri, më poshtë shkrimi i plotë

Prej vitit 1998 e  gjer më sot Presidenti Hashim Thaçi ka ndërtuar skenarë të larmishëm kundër familjes sonë si: shantazhe, dhunë, kidnapime dhe të cilat i përmbylli me vrasjen e vëllait Hakiut në vitin 1999.

Në vitet e fundit ka kaluar edhe në ryshfet, joshje, nxitje të përçarjes së familjes, nxitje për vrasje të pajustifikuara ndaj autorëve të shpallur të dyshimtë nga ai vetë, informacione të rrejshme për autorësinë e vrasjes, të orientuara ndaj kundërshtarëve të tij politik apo edhe të një natyre tjetër. Të gjitha këto i ka bërë dhe po i bën duke shpërdorur dhe abuzuar me detyrat dhe obligimet kushtetuese si president.

Të gjitha këto akuza dhe dyshime të parashtruara më lart dhe në vijim nga ne janë të dokumentuara në aspektin kronologjik, pra në hapësirë dhe kohë.

Kemi pas shumë arsye edhe mundësi t’ia kthejmë ndoshta me të njëjtën masë, por në vend të reagimit sipas traditës zakonore shqiptare, jemi pajtuar për zgjidhje sipas modelit kulturor perëndimor, pra e kemi lënë që këtë terror ta zbardhë drejtësia.

Fillimisht kemi pritur nga institucionet e UNMIK-ut, pastaj nga Institucionet e Përkohshme Administrative të Kosovës (IPVQ-të), me pavarësimin e Kosovës shpresonim tek institucionet shtetërore, dhe me vendosjen e Misionit Mbikëqyrës të BE-së, EULEX-it, dhe sot apo tashmë sa vite besojmë tek Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Pra, shpresojmë dhe besojmë se më në fund historia do t’ia çjerrë maskën personalitetit më paradoksal dhe më hipokrit në historinë shqiptare.

T’i kthehemi rrëfimit të ngjarjes sonë tragjike, informacioneve dhe zbulimit të informacioneve që kemi arritur ne për rastet e familjarëve tanë dhe viktimave tjera të dhunës dhe krimit politik.

Historia e krimit

1.

Ishte diku fillimi i Pranverës së vitit 1999. Gjendesha në Lindjen e Mesme, kur e mora lajmin se është arrestuar vëllai im Imer Imeri, në Shqipëri.

Nuk mund ta besoja sepse as nuk mund të arrija ta kuptoja pse mund të arrestohej vëllai im në shtetin amë, si e quanim ne Shqipërinë. Një lajm i këtillë në kohën kur ballafaqoheshim me njëmijë telashe të tjera të shkaktuara nga një regjim kriminal dhe një okupator i egër si Serbia e Millosheviçit, më vinte shumë ters, ishte e pakuptueshme, e pashpjegueshme, anakroni e paimagjinueshme.

Pas këtij lajmi gati kobzi, pranveror e ndërpreva vizitën në lindjen e mesme dhe kontaktova me zyrën e qeverisë në ekzil të Bujar Bukoshit në Bon në Gjermani. Më thanë eja këtu dhe flasim. Ishte fillim  maji i vitit 1999, kur arrita në zyrën e qeverisë Bukoshi.

Bisedova me disa aty dhe njëri nga ata më tha, “tash arrestimet në Shqipëri janë shpeshtuar dhe ka filluar “gjahu i shtrigave” kundër njerëzve që mbështesin akoma LDK-në dhe Dr.Rugovën. E pyeta atë personin gjerë e gjatë rreth këtyre problemeve, që për mua ishin absurde. Personi që më shpjegoi për këto dukuri negative asokohe, ishte një zyrtar i LDK-së nga Vjena dhe ndodhej për momentin në zyrën e Qeverisë së Kosovës në ekzil të Bujar Bukoshit.

Tash ai është njëri ndër anëtarët e kryesisë së PDK-së. Ky më rrëfeu se edhe Fehmi Aganin dhe Bajram Kelmendin i kanë vrarë këta… Unë nuk e kuptoja kur më thoshte se këta e kanë vra këtë njeri, këta e kanë plagosë atë njeri, këta kanë kidnapuar e arrestuar atë e këtë, etj. E pyeta se kush janë ata që po i bëjnë këto gjëra të tmerrshme? Më tha prerazi, këta janë Hashim Thaçi, Azem Syla, Xhavit Haliti.

Hashim Thaçin e njihja, për Xhavit Halitin kisha dëgjuar se ishte një aktivist i lëvizjes shqiptare  kundër Jugosllavisë, ndërsa për Azem Sylen nuk kisha dëgjuar kurrë më parë. E dëgjova të gjithë narracionin e tij me vëmendje. U trishtova dhe nuk doja ta besoja ende.

E hulumtova rastin e kidnapimit të vëllait në detaje. I identifikuam ata që ishin pjesë edhe e urdhërdhënies edhe e organizimit operativ.

U befasova për të keq kur kuptova se Hashim Thaçi është urdhërdhënësi në këtë rast dhe në raste të tjera… Me zotin Thaçi njiheshim qëmoti. Ai na njihte si familje që të gjithëve. Kishim qenë nxënës në të njëjtën shkollë, ishim madje edhe në të njëjtën klasë për një kohë të gjatë. E kishim edhe kujdestar klase vëllain tim Haki Imerin, ndjesë pastë.

Nuk mund të gjeja as arsye, as argumente, dhe asnjë kujtim të keq, që mund të motivonte një veprim aq bizar dhe kriminal, aq më tepër se mund të ndodhte ndaj vëllait tim, dhe atë në Shqipëri, madje nga persona që veten e quanin “çlirimtar”. Pasi e hetuam dhe gjurmuam rastin na duhej një njeri që të ndërmjetësonte, dhe e menduam si personin më të duhur Rifat Jasharin, vëllai i dy heronjve të luftës, Hamëz dhe Adem Jasharit, ky i cilësuar edhe sot si komandant i UÇK-së, sakrifica e të cilëve me familje u kthye në kult propagande të njerëzve të përmendur më sipër, që tashmë njiheshin si anëtar të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Rifati ishte edhe bashkëpunëtor dhe shok i Imerit. Në organizimet e shqiptarëve për të drejtat dhe liritë e tyre politike kundër Jugosllavisë kishin bashkëpunuar një kohë të gjatë në Gjermani, si anëtar të LPK-së, aso kohe kur akoma nuk ekzistonte LDK-ja. Njiheshin dhe njiheshim me familjen e komandantit të UÇK-së Adem Jasharit, që nga vitet e ‘80-ta, këtë lidhje e kishte ndërtuar vëllai i jonë Imer Imeri në Gjermani sa punonte si ‘gastarbeiter’. Edhe vinin te ne në familje, edhe ne shkonim te ata në Prekaz, për shkak se ishin shokë vëllezërit tanë, të gjithë ishim shokë e dashamirë sipas traditës së mbarë shqiptare.

Prandaj kur merrej parasysh kjo lidhje e gjatë shoqërore vendosëm që baca Rifat të ndërmjetësonte për lirimin e vëllait tonë, i cili ishte kidnapuar në Shqipëri, nga njerëz ose grupe që nuk kishin kompetenca legale të kryenin arrestime (kidnapime), pasi arrestimet në Shqipëri sipas ligjeve dhe Kushtetutës shqiptare mund t’i bënin vetëm autoritetet ligjore shqiptare, nëse dikush i shkelte ligjet e shtetit.

Një shtet paralel nuk besoja që mund të ekzistonte në Shqipëri, por ekzistencën e tij e kuptuam më vonë. Kontaktuam Rifat Jasharin, i shpreha ngushëllime për tragjedinë dhe heroizmin familjar të dëshmuar në mënyrë kolektive, dhe i thashë se ishte e padëgjuar dhe e paparë gjer më tani që dikush të ishte sakrifikuar në atë mënyrë me tërë familje për liri të vendit. Shembull tipik heroik me nuanca hyjnore.

Rifat Jashari na tha, “po kam dëgjuar që e kanë arrestuar Imerin në Shqipëri”. Një veprimtar të çështjes kombëtare ta arrestonin ishte e papranueshme dhe e panevojshme. Fjalët tjera të Rifat Jasharit po i parafrazojë: “Kur unë dhe Imeri kemi organizuar demonstrata kundër Jugosllavisë komuniste në Perëndim, këta që sot po arrestojnë shqiptarë nuk ishin askund. Po këta nuk ia donë të mirën luftës sonë, as Kosovës bre bacë”. Kështu mu shpreh Rifat Jashari.

Më premtoi se do të merrte masa sa më shpejt që të ishte e mundur. Pas 4 ditëve e thirra përsëri dhe ma konfirmoi edhe njëherë se Imerin e kishin arrestuar, por tani më tregoi se atë e kishin arrestuar me urdhër të Hashim Thaçit… Për të tjera gjëra nuk do të flasë në këtë pjesë të kujtimit të luftës.

I shpreha falënderim Rifat Jasharit për kujdesin që kishte bërë që Imeri të lirohej edhe pse komanda supreme e drejtuar nga Hashim Thaçi nuk e kishte liruar. Përpjekjet e mia që të bëja diçka më shumë në atë drejtim kishin stagnuar. Kosova po digjej flakë.

Nipi im Kastrioti, djali i vëllait tim, Hakiut, kishte qëndruar gjatë gjithë kohës së luftës në Kosovë. Kujdesi i tij për gjyshin Tahir dhe babain e tij Hakiun është heroizëm i pashoq kur e kujtojë edhe sot se çfarë ka bërë ai djalë, kur dihen rrethanat e kërcënimit të dyfishtë të cilat i ka sfiduar.

Anëtarët tjerë të familjes ishin pjesë e një eksodi në esencë biblik, që po e përjetonte populli shqiptar i pambrojtur nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe të regjimit të Milosheviçit. Eksodi masiv me pamje trishtuese dhe tregime nga më rrëqethëset të të mbijetuarve nga përndjekja e okupatorit serb, bëhej edhe më tronditës për ne. Përballë këtyre sjelljeve gjenocidale serbe, ata që po thirreshin si atdhetarë dhe luftëtarë të lirisë, po i vazhdonin ato që i kishin nisur, keqtrajtimet, persekutimet dhe ekzekutimet e shqiptarëve të njohur për atdhetari dhe si njerëz që e mbështesnin me devotshmëri Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugovën.

Institucionet shtetërore, si udhëheqësi kryesor i tyre që ishte Rugova, kishin krijuar struktura ushtarake të mirëfillta, dhe që vërtetë kishte raste që i kishin tronditur forcat serbe si në Betejën e Loxhës, dhe veçmas në Luftën e Koshares. Disa nga udhëheqësit e këtyre strukturave nuk kishin pasur fat aspak më të mirë se dy vëllezërit e mi, Imeri në luftë, dhe Hakiu pas lufte.

Ata që po e udhëhiqnin këtë luftë të përndjekjes së atdhetarëve të devotshëm mund të ishin gjithçka tjetër, por jo UÇK. As çlirimtar. Këtë e dëshmuan për dy dekada. Vazhduan me të njëjtën metodë pune, eliminimin e kundërshtarëve politik edhe pas lufte.

Një përndjekje e tillë ka ndodhur me vite. Të gjithë jemi dëshmitar të kësaj golgote famëkeqe që ka marrë jetëra njerëzish vetëm pse mendonin ndryshe.

Informacionet kredibile perëndimore, të publikuara, por edhe ato që do të merren vesh më vonë, gjatë gjykimeve nga Gjykata speciale pritet t’i konfirmojnë këto, se edhe pas luftës ishte i njëjti grup që organizonte vrasje duke përdorur skuadra vrasjesh, të cilat kryenin aksione kriminale, që përmbylleshin me kidnapime dhe ekzekutime njerëzish në stilin mafioz.

Lirimi i Imerit dhe zhdukja e menjëhershme

Informacionet që vinin nga terreni na treguan se Imeri ishte liruar. U gëzova pa masë. Por, fatkeqësisht doli se ishte një gëzim i shkurtër. Pastaj u informuam se ai ishte zhdukur. Nuk na vinin më lajme nga terreni për vendndodhjen e tij. E kuptuam më vonë se e kishin “internuar” në Prizren në një kamp të burgosurish së bashku me disa persona të tjerë me të vetmin qëllim ekzekutimin. Deklaratat e mëvonshme nga dëshmitarët e gjallë na konfirmuan dyshimet që kishim në lidhje me internimin.

Fatbardhësisht erdhi liria, me ardhjen e saj edhe vëllai Imer Imeri u lirua dhe gjithë personat tjerë që ishin aty, fal ndërhyrjes së KFOR-it gjerman.

Filluam të merrnim frymë të lehtësuar. Menduam se më në fund mori fund saga e dhunës ndaj familjes sonë. Kosova ishte e lirë!

Imeri iu bashkua familjes në një vatër të djegur nga forcat e regjimit të Milosheviçit. Filluam të gjallërojmë. Erdhi vjeshta dhe ishim duke u përgatitur për zgjedhjet nacionale, kur një tragjedi shumëfishë më e madhe po trokiste befas në derën tonë!

Kidnapimi dhe ekzekutimi i Hakiut

Me datën 2 nëntor 1999 u kidnapua dhe u vra mësuesi dhe kujdestari im dhe i Hashim Thaçit, Haki Imeri, vëllai i autorit të këtyre rreshtave. E pabesueshme, por e vërtetë. Tragjeditë të shkaktuara në familjen tonë, i ka bërë faktori njeri dhe ai është i njohur për ne dhe ne po kërkojmë drejtësi tashmë gati qe një çerekshekull. Protagonistit të këtyre mundimeve dhe vrasjeve, do t’ia çjerrë maskën  e ardhmja e afërt. Golgota e vuajtjeve dhe persekutimeve ndaj nesh ndodhi vetëm pse ne ishim dhe mbetëm pjesë e lëvizjes për liri dhe pavarësi të prirë nga Ibrahim Rugova.

2.

Kush është Hashim Thaçi?

Një personalitet që i han kokën edhe shokut edhe mikut

Lufta e lansuar dhe e organizuar nga Hashim Thaçi është me tipare klasike udëbë-eske, e cila do të ndriçohet dhe qytetarët do të jenë dëshmitar për dëmet që ia ka shkaktuar Kosovës dhe shqiptarëve në 22 vitet e fundit. Motivi i tij për pushtet e shpërfaqi një personalitet që ia han kryet edhe shokut e mikut, edhe bashkëpunëtorit, vetëm e vetëm për t’i realizuar ambiciet e tij toksike (helmuese).

Motivi i veprimeve të tij nga këndvështrimi i një njeriu që e presin aktakuza të bujshme është i kuptueshëm, pasi tenton t’u shpëtojë akuzave për krime të rënda, vrasje, rrëmbim, keqtrajtim…, por i patolerueshëm për drejtësinë, viktimat, familjarët… sistemin demokratik. Pra, për të arritur te pafajësia, e hamendësuar, Thaçi shpreson që pista e akuzave të jetë e drejtuar përtej tij, tek dikush tjetër dhe jo në drejtimin e duhur ose të saktë.

Sjelljet e tij antinjerëzore i kemi përjetuar dhe po i përjetojmë akoma ne si familje, fatkeqësisht që Kosova ecën në tehun e shpatës dhe të pasigurisë për shkak të skenarëve dhe apetiteve të një njeriu që inspirimet dhe financimet për përçarje i ka ushqim jetese.

Ditën e nis me frazën “gjuaje gurin e fshehe dorën”. Këtë taktikë e ka ushtruar për dy dekada, ka shembuj të shumtë që e provojnë këtë rrëfim. Fatkeqësisht i ka funksionuar për mrekulli për më shumë se 22 vite. Viktimat kanë qenë të ndryshme, duke filluar prej  bashkëpunëtorëve të tij e gjer te rivalët politik, e tani në ciklin e ri jetësor ose thënë ndryshe në, “Epokën e Gjykatës speciale”, po duket përsëri se ka lansuar metodat e zejes së tij me agresivitet publik dhe klandestin.

E ka pasion joshjen, intrigën dhe hipokrizinë dhe shumë vese të tjera që e kanë shndërruar në karikaturë të mjerë kriminale. E ka kthyer shtetin në paçavure duke shpërdorur edhe kompetencat ceremoniale, duke zbrazur burgjet (nëpërmjet amnistimit) me një qëllim të vetëm, që të rrënojë shtyllën kryesore të shtetit – sistemin e drejtësisë, dhe t’i krijojë vetes favore për tu mbështetur nga krimi, dhe për këtë përfitim e ka vënë veten në plotëni në shërbim të ligësisë. ‘Ritet’ e takimeve të tij zyrtare i përdor kudo dhe kurdo që atij i nevojiten, për interesa personale, klanore dhe partiake.

Meqë, postin e fituar e ka grabitur në saje të një kompromisi të dhimbshëm, kompromis që në rrafshin nacional dhe juridik, Kosovës mund t’i kushtojë me ndarje.

Për ta realizuar këtë kompromis, e theu mirëbesimin – marrëveshjen e bashkëqeverisjes, dhe atë kompromis e shndërroi në instrument për të goditur partnerin e vet, në këtë rast Isa Mustafën (që i kishte ofruar pajtim me kompromiset e Thaçit) dhe LDK-në. Sjellje që është në natyrën e tij.

Lojaliteti i tij ndaj shtetit është shkelja e ligjit në të gjitha format, d.m.th. Presidenti është luajal vetëm ndaj nëntokës me të cilën është në simbiozë dhe nëpërmjet së cilës e drejton shtetin.

Skenari i Thaçit për shpërbërjen e shtetit

Në këto katër vitet e fundit e ka çuar shtetin dhe institucionet e tij në qorrsokak këtë po e pohojnë zyrtar të lartë të SHBA-së në Kosovë, dhe po ashtu zyrtarë të BE-së. Kjo çoroditje e ka kap shtetin nga lart-poshtë dhe anasjelltas, kuptohet se edhe odën, dikur institucion i kuvendimit popullor shqiptar, po e përdor si mjet ekzistence… Ekzistojnë argumente sa të duash se shteti është i kapur nga një njeri.

Presidenti zhvillon një PROXY ËAR në disa fronte. Meqenëse institucionet e Kosovës janë në fazën finale të agonisë, sepse sindromi i kapjes së shtetit është shtylla kyçe e shpërbërjes së shtetit dhe nga ky kënd benificionet personale ia atribuon vetes, ithtarëve që i josh me të mira materiale, atyre që  verbërisht i besojnë, po që më në fund ky besim do t’ju sjellë bumerang.

Këtë betejë të zhbërjes së shtetit e filloi  me qellim te shberjes se Gjykates Speciale

Qëllimi – shpërbërja e Gjykatës speciale

Një betejë tjetër është duke e zhvilluar që nga data 5 tetor 2017 kundër Gjykatës Speciale. Këtë e bëri jo vetëm publike, por kjo tendencë u thye nga SHBA-të, kur tentoi ta përdorte parlamentin e Kosovës për shpërbërjen e saj. Jo se mund ta shpërbënte Gjykatën Speciale, por tentativa e tij zbuloi dëshirën e tij, pasi u alarmua me vonesë se Gjykata Speciale është armiku i tij final dhe i pakapërcyeshëm.

Që prej atij momenti i ka shërbyer shpërbërjes së saj në të gjitha rrafshet duke bërë luftë speciale dhe psikologjike kundër dëshmitarëve, duke përdorë paranë për të shantazhuar e blerë dëshmitarët, pastaj duke sajuar situata e armiq ndaj dëshmitarëve, familjeve të viktimave etj, por që këta një ditë do t’ia çjerrin maskën prej psikopati.

Me gjithë përpjekjet titanike që të ushtrojë ndikim ose të ketë qasje në Gjykatë speciale, ai deri më tani ka dështuar. Qasja e tij ndaj kësaj kauze është e kuptueshme. Por, beteja në këtë drejtim nuk fitohet në asnjë mënyrë pa e thënë drejtësia fjalën e vet.

Drejtësia do ta sjellë Hashim Thaçin në bankën e të akuzuarve. Unë autori i këtyre rreshtave do të ballafaqohem me të jo për krimet e luftës, por për të gjithë skenarët e persekutimit që i ka ndërtuar kundër nesh si familje, dhe familjeve të viktimave të vrasjeve politike, për më shumë se 20 vite.

Skenarët për ekzekutime dhe zhdukje dëshmitarësh

Nga pozicioni i Presidentit shfrytëzon gjithë potencialin politik dhe ekonomik për të sajuar më tutje drama me skenarë, që i shkojnë teatrit e jo politikës, në të cilin ai loz protagonistin e mjerë, me qëllim të krijimit të një situate të re, në favor të tij.

Rrjedha e ngjarjeve kronologjike duket të jetë natyrore dhe Presidenti as nuk do të ketë ndikim, as nuk mund të shkëputet nga situatat që do të pasojnë në këtë vit. Por, do të ishte njerëzore që në rrugëtim e sipër të mos targetojë më dhe të mos shkaktojë viktima në familjet tona sepse mjaft ka punuar në këtë drejtim.

Makina e tij është duke udhëtuar drejt gërmadhës, shpresojmë që historia të ketë mëshirë për ndonjë etapë të jetës së tij, edhe pse vështirë të gjendet ndonjë fragment i tillë në udhëtimin e tij politik -klandestin.

Frika nga aktakuzat e mundshme e kanë përdhos integritetin e tij nëse ndonjëherë ka pas. Si mësues i revolucionit dhe propagandës prodhoi persekutime, dhunë e vrasje politike, këtë e dëshmojnë tashmë shumë shokë të tij, edhe publikisht edhe pas perdeve. Besoni se Dita po vjen, dhe ballafaqimi me të kaluarën dhe të sotmen e tij është i pashmangshëm.

Lufta klandestine e tij kundër familjeve të viktimave të vrasjeve politike është përshkallëzuar në një magnitudë të frikshme.

Ka informacione valide se Presidenti Thaçi ka autorizuar persona për blerje dëshmitarësh, për goditje të prokurorëve të Gjykatës Speciale, për vrasje të kundërshtarëve politik nëse ka, gjatë procesit që gjykata speciale e fillon funksionimin.

Nëse analizojmë thjesht aktivitetin e tij të tanishëm klandestin jep për të kuptuar se shqetësimi i tij i papërmbajtur buron nga vendime, të cilat nuk i ka peshuar dhe i ka shndërruar në veprime me pasoja, të cilat po i përjetojmë sot e do t’i përjetojmë edhe nesër… kemi dronë!

Kërcënimet nga skenarët e Thaçit

Sipas informacioneve të besuara mësojmë se persona të afërt me Presidentin Thaçi, të autorizuar, kanë marrë përsipër një tjetër aktivitet bizar dhe kriminal, në kundërshtim me rrjedhat dhe proceset e Gjykatës Speciale. Pritet e vërteta ta marrë dhenë. Jemi të vetëdijshëm se realiteti do ta nxjerr lakuriq Presidentin tonë të “dashur”. Provat janë në rrugëtim e sipër.

Janarin e vitit të kaluar i janë vënë themelet këtij komploti të ri kundër gjykatës speciale, dhe ky komplot është hartuar direkt nga Hashim Thaçi.

INFORMACIONET FLASIN se personat e involvuar janë duke zhvilluar aktivitet klandestin financiar  për arsye tashmë të njohura. Vendndodhja e këtij operacioni është në Vjenë, Baden Baden dhe Bruksel. Dëshmitarët janë të gjallë dhe nënshkrimet e tyre janë dëshmia më e mirë sesi e përndjek drejtësinë Presidenti nëpërmjet rrugëve gjarpërore klandestine.

A është kjo ndërhyrje shkelje flagrante ligjore dhe kushtetuese apo kategori tjetër me sens kriminal, mbetet të shihet në të ardhmen, se si do t’i atribuohen këtyre krimeve disa politikanë, madje edhe intelektualë.

Sipas autorëve të një raporti të klasifikuar mësohet se personat që i kanë hyrë kësaj rruge janë njerëz të afërt me Presidentin Thaçi. Kjo dukuri karakteristike pasqyron gjendjen mendore të një protagonisti, që është duke kaluar në zonën ku rrit rrezikshmërinë fizike të atyre që mund të dëshmojnë në Gjykatën speciale si dhe të stafit të saj. Gjendje që ai duhet trajtuar me kujdes psikiatri. Është tmerr, por edhe për keqardhje se në çfarë shkalle është deformuar kreu i një shteti që po përjeton goditje si nga brenda edhe nga jashtë.

Akuzat që rëndojnë

Lista e veprimeve të tij është e gjatë, por disa po i listojmë që opinioni publik ta kuptojë origjinën e dhunës politike në Kosovë dhe më gjerë. Jo që opinioni nuk i njeh këta “margaritar”, por që në këtë kontekst të shihet aktiviteti i tij aktual, që sinkronizohet nga posti i kreut të shtetit.

Hartuesi i komunikatës 59, tash President i shtetit, me atë komunikatë i terrorizoi për më shumë se 20 vjet vëllezërit Geci, target ishte Gani Geci. Bilanci faktik i kësaj komunikate rezultoi me dy të vrarë dhe një të plagosur. Këto janë evidenca, të dhëna nga dëshmitarë dhe bashkëpunëtorë të Hashim Thaçit… se kush qëndron prapa këtij atentati.

Ekzekutimi brutal i Ali Ukës – gazetar në banesën e Thaçit në Tiranë (1997) vështirë të besohet që ishte fatkeqësi ose grindje familjare, skenar disi si ky që tash e ndërtoi në familjen tonë.

Gjatë sundimit të Qeverisë së Përkohshme në Kosovë është lansuar një dhunë politike e paparë. Viktimë e asaj dhune ka rënë edhe vëllai im Haki Imeri – kujdestar klase i Hashim Thaçit.

Kemi dëshmi të pakontestueshme dhe dëshmitarë se Hashim e Gani Thaçi qëndrojnë prapa këtij planifikimi dhe organizimi ogurzi, bilanci tragjik i të cilit ishte kidnapimi i vëllait tim Haki Imerit dhe ekzekutimi i tij. Merret mësuesi në fshatin Burojë – vendlindja e Hashim Thaçit, dhe ekzekutohet në fshatin Aqarevë. Kuptohet qartë kalkulimi i kësaj vrasje, pse është bërë në Aqarevë.

Murin e përçarjes e vuri me datën 22 nëntor 2016, kur shkoi në Vojnik për tu larë për mëkatet e tij.

Shefi që dukej se pretendonte se është dikush tjetër (duke u paraqitur me emër tjetër), ka maltretuar pengje lufte, të arrestuar gjatë luftës. Të arrestuarit kryesisht ishin anëtarë ose drejtues të LDK-së, të nivelit lokal dhe qendror.

Ai është përgjegjësi kryesor për zhdukjen e Behajdin Hallaqit dhe Shaban Shalës.

Ai ishte në rolin e Shefit të burgut të Kleqkës dhe të prokurorit të atij burgu, kërcënuesi i kolonel Ahmet Krasniqit, më vonë kërcënimi i tij u përmbushë në plotëni, pasi këtë premtim që ia bëri kolonelit Krasniqi edhe e mbajti.

Shefi i Drejtorisë Politike kërcënues i kolonel Tahir Zemajt, që më vonë është ekzekutuar me kushëririn dhe djalin.

Shefi që publikisht ka ndëshkuar Presidentin Ibrahim Rugova, më vonë u bënë dy atentate ndaj tij…

Fingerprinti i veprave të ish shefit të Drejtorisë Politike të UÇK-së është prezentë dhe me efekte toksike, madje edhe tani ndërton mure përçarjeje me qëllim të vetëm që pista e hetimeve ta ndërroj kahjen.

Nuk lëvizim nga pozicioni jonë me asnjë çmim. Kërkojmë që sa më shpejt Gjykata Speciale të bëjë realitet hetimet disa vjeçare para se situata të eskalojë. Eskalimi i situatës i konvenon vetëm Hashim Thaçit, por asnjë situatë tronditjeje nuk do ta shpëtojë atë nga e kaluara e tij “brilante e errët”.

Hashim Thaçi nuk e ka problem të madh Gjykimin dhe verdiktin në HAGË, sa e ka problem elaborimin e të gjitha mistereve, deshifrimin e të gjitha kurtheve dhe ndërskamcave që do t’ia përplasin në fytyrë shokët e tij, ata që i ka frymëzuar për të ekzekutuar rival politik. Dhe koha e pas përplasjeve dhe gjykimeve do të jetë përsëri një fushëbetejë me njerëzit e frustruar nga humbja e më të dashurve dhe situatat e rënda që i kanë kaluar. Kjo nuk duhet nënvlerësuar.

Në gjithë këto vite shumë gjëra na janë sjellë vërdallë në mendjet tona, në shpirtrat tanë për shkak të vuajtjes, torturave ndaj vëllezërve dhe vrasjes së më të dashurit tonë, Hakiut. Askush nuk mund ta kuptojë, t’i ndjejë, përcjellë mesazhet e ndjesive tona, të shoqëruara përveç me dhimbje, stres, shqetësim e ankth, përveç ndoshta atyre familjeve shqiptare që patën një fat tragjik si tonin!

Rrallë kush që ka denjuar të shkruajë, transmetojë ato mesazhe tonat, që përcjellin mospajtimin dhe refuzimin e plotë, të një strukture kriminale të vendosur mbi shtetin dhe interesin e shumicës absolute në Kosovë. Por, kishte edhe të tillë, gazetarë, politikanë dhe familje, tek të cilët gjetëm kurajon për të vazhduar! Edhe pse gjithnjë vinin duke u pakësuar, dukë rënë mbështetja, nga dorëzimi për shkak të lodhjes dhe molisjes nga varfëria, mbyllja e rrugëve të ekzistencës, shantazheve dhe metodave tjera kriminale që përdorte dhe po i perfeksionon klani kriminal.

Por, sot shpresojmë dhe besojmë se do të dëgjohen mesazhet tona, që burojnë përveç se nga sinqeriteti ynë, edhe nga shpirtrat e qindra atyre atdhetarëve të devotshëm, të cilët nuk mund të pushojnë të qetë pa drejtësi dhe shpagim, ndëshkimin e dorasve nga drejtësia dhe mbi të gjithë të atyre që porositën këto vrasje.

Fragmente nga Biografia reale Hashim Thaçit.

(Autori është vëllai i ish zyrtarit të LDK’së Haki Imeri, i vrarë në rrethana të pasqaruara pas përfundimit të luftës).

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img