12.9 C
Pristina
Tuesday, November 5, 2024

Buy now

spot_img

Bizneset në Kosovë nuk preferojnë arbitrazhin

Zgjidhja e një kontesti ekonomik mes bizneseve në gjykatat e Kosovës mund të zgjasë me vite të tëra. Ndërkohë në zyrat e arbitrazhit, të cilat funksionojnë në kuadër të odave ekonomike në vend, thuhet se kontestet mund të zgjidhen brenda një periudhë gjashtëmujore.

Por, pavarësisht kësaj, bizneset vazhdojnë të mos iu drejtohen këtyre qendrave të arbitrazhit dhe numri i rasteve që trajtohen nga këto qendra mbetet i ulët.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane (OEAK), Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga funksionimi i qendrës së arbitrazhit në OEAK, numri i kontesteve ekonomike të zgjidhura është mbi dhjetë raste, që sipas tij, është i ulët.

Ai thotë se bizneset nuk po shfrytëzojnë arbitrazhin për zgjidhjen e kontesteve ekonomike, pavarësisht përfitimeve që mund t’i kenë.

“Procedurat për zgjidhjen e kontesteve përmes arbitrazhit janë shumë efikase. Në rastin e një kontesti më kompleks, ato nuk zgjasin më shumë se gjashtë muaj dhe të njëjtat aktvendime që lëshohen nga Tribunalet e Arbitrazhit, vetëm konfirmohen nga gjykatat përkatëse të shtetit dhe të njëjtat mund të përmbarohen. Aktgjykimet në arbitrazh apelohen vetëm në aspektin procedural”, thotë Zeka.

Kontestet ndërbiznesore të cilat paraqiten në Tribunalin e Arbitrazhit në Odën Amerikane, thotë Zeka, janë të natyrave të ndryshme. Kryesisht bëhet fjalë për moszbatim të dispozitave kontraktuale ose keqinterpretim të këtyre dispozitave ndërmjet bizneseve.

“Përdorimi i arbitrazhit do të zvogëlonte edhe numrin e rasteve që shkojnë në gjykatë dhe i nënshtrohen vonesave që bëhen në zgjidhjen e tyre. Prej dy deri tri vjet në njërën prej instancave gjyqësore, mund të zgjasë një zgjidhje e një kontesti ekonomik mes bizneseve”, thotë Zeka.

Që nga viti 2011, në Kosovë janë hapur disa qendra të arbitrazhit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve biznisore, të cilat mund të shfrytëzohen për t’i shmangur proceset e gjata gjyqësore.

Qendrat e arbitrazhit funksionojnë në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Eksperti për çështje financiare, Milazim Abazi, thotë për Radion Evropa e Lirë se kontestet e shumta ekonomike, lëndët e të cilave presin për vite në gjykatat në Kosovë, do të mund të zvogëloheshin vetëm në rast të krijimit të Gjykatës komerciale.

“Një gjë e mirë që ka ndodhur në zgjidhjen e kontesteve është aktivizimi i përmbaruesve privatë, por ajo nuk është e mjaftueshme për të zgjidhur problemet e shumta që janë mes bizneseve. Krahas reformave që duhet të ndërmerren në sistemin gjyqësore, duhet të jetë edhe krijimi i Gjykatës Komerciale, pasi që vetëm ajo si e tillë do të ndihmonte në zgjidhjen e kontesteve të shumta ekonomike mes bizneseve”, thotë Abazi.

Krijimin e Gjykatës Komerciale e kishte paralajmëruar ministri i Drejtësisë në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri.

Gjykata Komerciale ishte theksuar të jetë e rëndësishme për Kosovën, pasi që ajo do të rriste efikasitetin e trajtimit të lëndëve të biznesit dhe do të ndihmonte në krijimin e një ambienti më të mirë për bizneset vendore dhe për investitorët e huaj.

Numri i përgjithshëm i lëndëve në gjykatat të regjistruara në Sistemin e Menaxhimit Informativ të Lëndëve, është mbi 100 mijë lëndë. /REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img