Pas paralajmërimit të kryetares së Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli se do të kërkoj nga gazetarët që ta bojkotojnë përcjelljen e takimeve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për shkak të trajtimit që po u bëhet, ka reaguar zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka.
Sipas tij, reagimi dhe thirrja e AGK-së për të bojkotuar këto takime është i papranueshëm.
“Personalisht jam kujdesur që me të arritur te Kuvendi, në çdo takim, gazetarët të presin brenda në Kuvend, madje edhe në kohën kur Kuvendi nuk ishte i konstituuar. Nuk ka asnjë nevojë që dikush të qëndrojë në të ftohtë dhe këtë e kemi evituar në secilin takim”, shkruan Manxhuka.
Pak minuta para kësaj, Begolli përmes një shkrimi në facebook kishte shkruar se “gazetarët janë të detyruar të qëndrojnë jashtë, në temperatura të ulëta”.