Në pritjen e fundvitit të Policisë së Kosovës, ka qenë prezentë edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
Ai para të pranishmëve e ka vlerësuar vitin 2019, si një vit të suksesshëm për Policinë e Kosovës.
“Jemi këtu me nderu punën e policit, sepse e kanë mundësuar që përmbyllet një vit i suksesshëm, që siguria dhe rendi publik të jenë në tërë vendin”, ka shtuar Haradinaj.
Ai ka thënë se Kosova e ka kthyer fokusin në punën e Policisë, duke filluar nga pagat, orët shtesë, çështje tjera të rrezikshmërisë, që sipas tij, janë kyqe për integritetin profesional, personal dhe familjar të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Mendoj se ende ka punë, ku ligji për pensionet, për sigurimet shëndetësore janë ato që na presin në të ardhmen”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht identitetit të tyre etnik, janë meritor për suksesin e Policisë së Kosovës.
“Mendoj se përmes policisë Kosova e ka mbuluar vakumin e sigurisë në vend, më një ndjeshmëri ndaj problemit të terrorizmit dhe ndikimit rus në Ballkan, ku është rritur frekuenca e vizitës së shtetasve rus në Kosovë”, ka shtuar ai.
Haradinaj e ka nderuar me medaljen “Skënderbeu”, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, sepse sipas tij, gjatë bashkëpunimit me të si ai ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë kanë ndier siguri dhe kanë pasur bashkëpunim shumë të mirë.