Shkruan: Milazim Krasniqi
Rikthimi i temës së kishës ortodokse serbe, që është ngritur në kampusin e Universitetit të Prishtinës gjatë regjimit gjakatar të Millosheviqit, është një spin tipik, për ta ndërruar agjendën, duke futur një temë të vjetër, të rëndë dhe që me këso qasjesh, realisht nuk ka zgjidhje.
Kushdo që e ka bërë, duhet të vlerësohet për aftësinë e tij si spin doctor. Me këtë veprim edhe mund t’i ketë bërë shërbim ndokujt, por e sigurt është që Kosovës i ka bërë dëm.
Por, dëmet serike që po i shkaktohen Kosovës me vite, jo vetëm nga spin doctorët por nga kush po çohet i pari, më as nuk mund të numërohen. Për këtë arsye edhe imazhi i saj është kështu si është.
Pra, as në këtë rast, të një gare se kush do të pështyjë më larg, nuk është menduar fare për imazhin e Kosovës. Nëse do të shihej interesi i Kosovës, çështja e kësaj kishe deri tash do të kishte marrë një zgjidhje.
Pra, interesi i Kosovës është që edhe kjo çështje të mbyllet, e jo të mbahet si plagë e infektuar, e cila në lojërat e ndyra mediatike a politike, kutërbon sa herë që t’i hiqet një fashë. Si do të mund të zgjidhej? Çështja e saj do të duhej të zgjidhej në kuadër të një projekti shtetëror të Kosovës për integrimin e serbëve në shtetin tonë të ri, në këtë rast me theks tek serbët prishtinas. Brenda atij projekti integrues do të duhej të përfshihej lirimi i pronave të uzurpuara, mundësia e kthimit të serbëve në pronat e tyre në kryeqytet dhe zgjidhja e statusit të universitetit serb në Zveçan, që mban emërtimin “Universiteti i Prishtinës”.
Në këtë kuadër, pra, edhe çështja e kishës në oborrin e UP-së do të ishte pjesë e pakos së integrimit të serbëve, me çka do të mund të përmiërsohej imazhi i shtetit tonë e në të njëjtën kohë edhe të rritej lojaliteti i qytetarëve serbë të Prishtinës ndaj tij.
Në këtë kontekst, argumentet që përdoren për godinën e kësaj kishe, se është ndërtuar në kohën e Millosheviqit, janë klithma pseudopatriotësh naivë, por jo një rezon shtetëror. Pse? Sepse po qe se do të rrëzoheshin me këtë kriter objektet që i kanë ngritur pushtuesit, prej Millosheviqit e tutje Rankoviqi, Titoja e krajlat serbë, Prishtina do të dëmtohej rëndë. Edhe ndërtesa ku është Kuvendi dhe qeveria, do të duhej të rrënoheshin! Prandaj, nuk ka pse përdoret kjo kartë naïve.
Në fakt, sipas rezonit shtetëror, me pavarësimin e Kosovës, Millosheviqi, Serbia dhe gjithë serbët, e kanë paguar çmimin e politikës së tyre gjakatare. Një kishë më shumë a më pak, kurrë nuk do ta ndërrojë këtë epilog të humbjes së shtetit serb dhe të kombit serb. Përkundrazi, pikërisht kjo kishë do të mund të mbahej si referencë e dështimit të politikës pushtuese serbe dhe e triumfit të Kosovës si një shtet i ri, që funksionon mbi parimet e respektimit të lirive dhe të të drejtave fetare e kombëtare të ish patronëve të dhunshëm të këtij vendi. Kisha në oborrin e UP-së, është ngritur në kohën e Millosheviqit, por ajo nuk është përdorur, për të bekuar ushtarët e paramilitarët serbë, kur shkonin në operacionet e tyre gjenocidale, siç kanë mundur të përdoren disa kisha të tjera serbe. Kjo thjesht nuk ka qenë në funksion.
Nga perspektiva e rezonit shtetëror duhet të rishikohet, jo vetëm çështja e kësaj kishte po edhe i gjithë perceptimi i shoqërisë dhe shtetit ndaj serbëve të Kosovës: ata tashmë duhet të trajtohen si qytetarë të Kosovës, e jo si falanga të Serbisë brenda Kosovës. Serbisë i konvenon që serbët e Kosovës të mbeten si falangë e saj, sepse ashtu ajo e ruan ndikimin destabilizues në Kosovë.Por, shteti ynë duhet të aftësohet t’ia prishë Serbisë kalkulimet, duke u ofruar serbëve të Kosovës një ofertë më të mirë se sa manipulimi që u bën Serbia. Kjo nuk është lehtë e arritshme, por është test i rëndësishëm i suksesit të Kosovës si shtet.
Thënë thjesht, serbët duhet të trajtohen si qytetarë të barabartë. Nëse do të trajtoheshin ashtu edhe në rastin e çështjes së kishës në kampusin e UP-së, nuk do të përdoreshin dy kritere të ndryshme, sepse kemi edhe shembull të ndërtimit të tempullit fetar në truallin e një shkolle. Natyrisht që nuk mund të vihet shenjë barazimi ndërmjet tyre, por nga aspekti i rezonit shtetëror, edhe kisha serbe duhet të trajtohet në pajtim me interesat e besimtarëve dhe me imazhin e shtetit tonë. Krejt kjo nuk është e lehtë, por tetëmbëdhjetë vjet të mbarimit të luftës, e pakta duhet të hapet debat serioz. Dhe të unifikohen kriteret edhe për statuset e objekteve fetare.
Emocionet ne duhet t’i mbajmë secili për vete, në debate private, publike e edhe partiake, ku mund të ngrihen si stërkala hipokrizia, pseudopatriotizmi, demagogjia e retorika boshe. Por, përtej këtyre debateve, që mund të jenë edhe të kontaminuara, shteti duhet të veprojë në bazë të rezonit shtetëror. Rrëzimi i kishës nuk është zgjidhje e duhur për rezonin shtetëror, në asnjë variant. Siç nuk është zgjidhje rrënimi i asnjë objekti fetar dhe as pengimi i ndonjë objekti fetar që synohet të ngrihet brenda rregullave dhe për nevojat e besimtarëve në vendin tonë. Dhe e fundit: shteti nuk duhet të lejojë që imazhi dhe fatet e tij të varen nga humori i spin doktorëve. As nga emocionet e disa shtetasve të hakërryer. Aq më pak nga mënia e armiqve. 19 shtator 2016