Erdogan i shkon Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, ja çka diskutuan

45
Advertisement

Presidenti amerikan, Donald Trump, vlerësoi marrëdhënien e Shteteve të Bashkuara me Turqinë e presidentit Recep Tayyip Erdogan, ndërsa dy udhëheqësit fillonin një takim për të kapërcyer mosmarrëveshjet mes dy aleatëve të NATO-s, nga politikat për Sirinë, e deri tek blerja nga Turqia e një sistemi rus të mbrojtjes ajrore.

Advertisement

Mirëseardhja e ngrohtë e zotit Trump ndaj presidentit turk, vjen në klimën e zemërimit të Kongresit lidhur me ofensivën e 9 tetorit të Ankarasë në Siri për të zmbrapsur një grup kurd, partneri kryesor i Uashingtonit në luftën kundër Shtetit Islamik.

“Kemi qenë miq për një kohë të gjatë, pothuajse që në fillim. Ne i kuptojmë vendet e njëri-tjetrit. I kuptojmë pozitat e njëri-tjetrit”, i tha zoti Trump homologur të tij, ndërsa ishin ulur krah për krah në Zyrën Ovale.

“Ata janë shumë të respektuar në vendin e tyre dhe në gjithë rajonin”, tha zoti Trump për presidentin Erdogan dhe bashkëshorten e tij, Emine.

Ai tha gjithashtu se do të diskutonin për blerjen nga Turqia të sistemit rus të raketave S-400.

Zëdhënësi i Presidentit Erdogan, Fahrettin Altun, tha në Twitter se Turqia ka qenë e qartë për arsyet e blerjes së raketave ruse.

“Nevoja e Turqisë për një sistem mbrojtjeje me raketa është urgjente. SHBA-ja duhet ta pranojë këtë dhe të mos lejojë dëmtimin e marrëdhënies tonë. Pjesëmarrja e Turqisë në programin e avionit F-35 është jetësore për partneritetin tonë të mbrojtjes”, tha zoti Altun.

Presidenti Trump shtoi gjithashtu se të dyja palët do të flisnin gjithashtu për një marrëveshje të mundshme tregëtare me vlerë 100 miliardë dollarë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s kanë shprehur shqetësim të thellë për blerjen nga Turqia të sistemit rus të raketave S-400, duke thënë se ato nuk përputhen me sistemet mbrojtëse të aleancës, dhe se përbëjnë rrezik për programin amerikan të avionit luftarak F-35.

Uashingtoni dhe Ankaraja u gjetën në një moment tjetër krize muajin e kaluar mbi Sirinë, pasi zoti Erdogan mori vendimin për një inkursion kundër aleatëve kurdë të Shteteve të Bashkuara. /VoA

PostAdssFotoja e reklamës