2.9 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Po ravijëzohet ideja e një „modeli norvegjez“ për Ballkanin Perëndimor

Zgjerimi i BE ka vdekur me kohë, Macron vetëm e ka varrosur, thotë njëra palë. Politikë shkatërrimtare, thonë të tjerët. Tani po ravijëzohet ideja e një „modeli norvegjez“ për BP. Çfarë është kjo e a mund të ketë sukses?

Gerald Knaus duhet ta dijë se ç’po ndodh. Ai është drejtor i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, një “think tank” me shumë ndikim në Bruksel.

Knaus ka qenë ideatori kryesor i marrëveshjes mes BE dhe Turqisë për refugjatët, e cila uli ndjeshëm valën e refugjatëve në Ballkan.

Në tekstin e publikuar javën që shkoi Knaus e quan dhënie fund të torturës (coup degrâce) veton, me të cilën Emmanuel Macron bllokoi fillimin e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën, e në fakt ngriu gjithë procesin e zgjerimit të BE.

Sikur afrimi i Ballkanit Perëndimor të kishte qenë një dem, shkruan Knaus, atëherë pikadorët e shumtë ndër vite e kanë vrarë kafshën pak nga pak. Macron u shfaq si matador për t‘i dhënë fund mundimit.

BE do të duhej t‘u ofronte të gjitha shteteve të BE mundësinë e aderimit në një treg të vetëm (të përbashkët) si Norvegjia apo Islanda”, shton analisti me ndikim.

Macron e ndërpreu lojën

Knaus nuk është i vetmi. Po shtohen zërat, që thonë se ka rënë ora zero e politikës evropiane në Ballkan, momenti që të varroset koncepti i vdekur prej kohësh i zgjerimit dhe të gjendet diçka e re.

Diçka më pak se zgjerimi, por aq sa duhet joshëse për t‘i mbajtur shtetet e vogla të Ballkanit në oborrin e BE. Gazeta Večernje Novosti duke iu referuar burimeve anonime informoi se Parisi dhe Berlini janë duke përgatitur ofertën për në pranverë.

Në maj liderët e shteteve të rajonit do të mblidhen në samitin e BE në Zagreb. A do të jetë modeli norvegjez mbi tryezë?

„Vetoja e Macronit e ka torpeduar të gjithë procesin e zgjerimit. Mendoj se ky ishte qëllimi i tij”, thotë Andreas Ernst, gazetar me përvojë i Neue Zürcher Zeitung, i cili për vite me radhë ka qenë korrespondent i kësaj gazete në Beograd.

„Por e mira e kësaj është, se është bërë evidente natyra e gënjeshtërt e marrëdhënieve të BE dhe Ballkanit Perëndimor.” Macron qe i gatshëm të ndërmarrë rolin e matadorit.

Disa thonë, sepse i druhet forcimit të Marine Le Pen në vendin e tij, 58 përqind e francezëve e kundërshtojnë zgjerimin e BE. Të tjerë mendojnë, se Macron po merr peng Ballkanin Perëndimor, derisa të realizojë vizionin e tij për Evropën.

Mes rreshtave lexohet se presidenti francez dëshiron një BE të disa shpejtësive apo qarqeve koncentrike. Bërthama do të rëndonte rreth boshtit Paris-Berlin, jashtë do të ishin vendet e integruara ne treg, dhe krejt jashtë vendet e asociuara, mes tyre Ballkani Perëndimor. Macron nuk është i vetëm.

Ai mori mbështetje diskrete nga Holanda dhe Danimarka. Kritikat nga Berlini për Macronin vijnë me një të shkelur syri – është dashur të lejojmë Shkupin e Tiranën të hapin bisedimet, gjithsesi ata nuk do të hyjnë në BE për të paktën dhjetë vjet. Kjo loja gjermane, thotë Ernst, është edhe më perfide.

Rregullat, thotë gazetari zviceran, janë prej vitesh të tilla: BE bën sikur dëshiron të marrë vendet ballkanike si anëtare, dhe udhëheqjet e këtyre vendeve sikur zbatojnë reformat.

„Kjo do të kishte mundur të zgjaste edhe dhjetë vite të tjera ose përgjithmonë. I gjithë ky teatër dhe gjuha politike për ‘perspektivën evropiane’ dhe ‘vlerat evropiane’ kanë marrë tani goditje të rëndë dhe është mirë kështu”, shton ai për DW. „Tani duhet të vijë oferta e re dhe ajo duhet të jetë e mirë.

“Justifikim për sundimtarët e Ballkanit?

Kur dy dekada të rrugëtimit evropian duket se përfundojnë në qorrsokak, nuk është e lehtë ta kuptosh atë brenda natës. Të gjitha karrierat politike, skenat e organizatave joqeveritare dhe analistëve kanë qëndruar mbi idenë se rruga drejt Bashkimit Evropian është e vetmja e mundshme, dhe nëse të gjithë bëjmë përpjekje, ajo përfundon me anëtarësimin e plotë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq përdori një analogji futbolli: gjyqtari ndryshon rregullat gjatë lojës, terreni është i rrëshqitshëm e duhet ndryshuar taktika, por qëllimi strategjik mbetet i njëjti – hyrja në BE.

Homologu i tij maqedonas Stevo Pendarovski kërkoi madje një samit rajonal, në të cilin „të gjitha alternativat ndaj integrimit evropian do të refuzoheshin”.

Ky është momenti për të festuar nacionalistët dhe euroskeptikët në të gjithë rajonin në stilin: A ju kemi thënë se BE nuk na do? „Nuk ndjehem i tradhtuar”, thotë për DW Vladimir Paviçeviq, njeriu i cili në dy shtete ka mbrojtur politikën e hyrjes në BE.

Fillimisht ka qenë nënkryetar dhe deputet i partisë së Re në Serbi, dhe tani në Podgoricë është lider i partisë së vogël, Crnogorska.

„Askush nga BE nuk ka thënë se nuk do të pranohemi, nëse i pranojmë të gjitha kriteret. Iluzionin se BE sillet në mënyrë të pandershme, mundohen ta krijojnë strukturat qeverisëse, që të fshehin simulimet e reformave dhe të justifikojnë mungesën e suksesit në procesin e bisedimeve” pohon Paviçeviq.

Në fokusin e analistëve

Me këtë pajtohet edhe Andreja Stojkovski, analist politik nga Shkupi. Ai nervozohet sidomos, kur politika e zgjerimit shpallet e „dështuar”.

„Në Ballkanin Perëndimor ka shtete, që janë të vendosura për të bërë reforma, disa që kryejnë herë pas here reforma dhe ato që herë pas here thonë, se po bëjnë diçka”, shton Stojkovski për DW.

Paviçeviq dhe Stojkovski arrijnë në përfundimin se do të ishte fatale, të hiqej dorë nga premtimi, që BE u ka dhënë vendeve ballkanike në Selanik në vitin 2003 – që BE nuk është i plotë pa Ballkanin.

„Vetëm procesi i hyrjes në këtë hapësirë sjell stabilitet dhe perspektivën e vendosjes së rregullit, dhe i sjell Evropës forcim të mëtejshëm. Gjithçka tjetër do të ishte një eksperiment i pamatur”, shton Paviçeviq.

Megjithatë duhet theksuar se Macron nuk e justifikoi veton me mungesën e reformave, por me problemet e brendshme të BE. Sipas kritereve tashmë të rrepta të Komisionit Evropian, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë merituar të hapin bisedimet, ashtu siç e ka merituar prej kohësh Kosova liberalizimin e vizave.

Në vend që të ecet në shtigjet e rrahura nga Bullgaria, Rumania apo Kroacia – që patën kritere shumë më të zbutura – tani Ballkanit Perëndimor i ofrohet diçka, për të cilën mediat janë ende në kërkim të emrit më të mirë. Flitet për partneritet të privilegjuar, por më shpesh për modelin norvegjez.

“Nuk është një model humbës”

Çfarë është modeli norvegjez? Vendi nordik është krahas Islandës dhe Lichtenshteinit anëtar i Zonës Ekonomike Evropiane (EEP), një mekanizëm i krijuar në vitin 1992, në të cilin bëjnë pjesë të gjithë anëtarët e BE-së. Një opcion është, që kur Britania e Madhe të largohet përfundimisht nga BE, të mbetet prapë pjesë e EEP.

Tregu është i hapur, ekziston liria e lëvizjes, nuk ka dogana – përveç se për ushqimet dhe pijet, prodhime që subvencionohem shumë në BE, kështu që Norvegjia nuk do t‘ua hapë krejtësisht derën.

„Pasaporta e Kosovës do të kishte në EEP të njejtën vlerë si ajo norvegjeze dhe shljivovica serbe do të kishte të njëjtin akses në tregun evropian si brandy zvicerian”, shkruan publicisti kosovar Veton Surroi për Koha Ditore.

„Një investitor belg do të kishte të njëjtë siguri juridike në Bosnjë-Hercegovinë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut si në Islandë.”

„Ky nuk është aspak një model humbës për Ballkanin”, thotë edhe gazetari Andreas Ernst. „Është më mirë që në një afat të shkurtër të bëhen hapa të vegjël integrimi, se sa të shpresosh për anëtarësim në BE dhjetë apo njëzet vjet”.

Gerald Knaus në tekstin për Iniciativën Evropiane për Stabilitet propozoi që shtetet ballkanike të integrohen gradualisht në fondet evropiane. P.sh. nëse Serbia do ta rregullonte në mënyrë shembullore sektorin e peshkimit, atëherë në këtë fushë mund të trajtohej thuajse si pjesë e BE.

Dhe anasjelltas – nëse gjendja përkeqësohet, mund të përjashtohet përsëri nga ky sektor. Këto janë joshje, që mund ta bënin Macronin dhe qeveritarët në Balkanin Perëndimor të dalin me një propozim të tillë.

Vuçiqi dhe fqinjët, momentalisht të zënë me planet e Shengenit të Vogël, do të fitonin perspektivë për të futur shpejt vendet e tyre në tregun e një gjysëm miliard njerëzve.

Nga ana tjetër presidenti francez do të kishte rast ta ngrinte nën zero historinë e zgjerimit klasik të BE, së paku deri në një rast më të përshtatshëm.

Lajtmotiv i kritikave të shumta në drejtim të Macronit është se po ia lë në dorë rajonin Rusisë, Kinë, Turqisë. „Nga ana gjeopolitike është e pamundur ta kalosh pa e parë betejën në Ballkanin Perëndimor”, tha Anna Wieslander nga Këshilli Atlantik për New York Times. „Franca ose nuk e sheh, ose ajo është e pranueshme për të.”

Gazetari zviceran Andreas Ernst është i bindur se modeli zviceran është mjaftueshëm që BE të mos ia lërë Ballkanin lojtarëve të tjerë. „Aksesi në EEP është esenciali – këtu është aksesi në fondet e infrastrukturës, është një instrument që i bën më pak tërheqëse për shembull projektet kineze të infrastrukturës apo marrëveshjen me Unionin Euroaziatik.

Pra kjo ka pushtet dhe ndikim për BE”, thotë ai për DW.

Llogaritja ka shumë të panjohura. A është e gatshme Gjermania të pranojë? Si do t‘ua shesin këtë histori qytetarëve stabilokratët ballkanas?

A është më mirë për Ballkanin Perëndimor të ketë trumcakun në dorë apo pëllumbin në degë? Sidoqoftë statusi quoja është prishur dhe nuk ka vakuum në politikë. Diçka e re po vjen.

Një njohës i rajonit kujtoi këto ditë fjalët, që i atribuohen Churchillit: „Është gjynah ta çosh dëm një krizë të mirë.” /DW

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img