Për sistemet raketore ruse, Serbia mund të sanksionohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa, në Kosovë janë shprehur shqetësime lidhur me armatosjen e fqinjit verior.
E quajnë “Bisha S400”, ky është sistemi i sofistikuar raketor që Rusia zbarkoi këtyre ditëve në Serbi. Armatimi i rëndë u soll për ushtrimin “mbrojtja sllave”, që u mbajt në fund të tetorit për derisa menjëherë nikoqirët ushtarak e politik thanë se janë të interesuar që të blejnë për ushtrinë e tyre.
Ky dhe koketimet e tjera të forta ushtarake të Beogradit me Moskën kanë ngritur alarmin në Ushaington.
I dërguari i Posaçëm i Amerikës për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer, gjatë qëndrimit në Shkup e kërcënoi Serbinë me sanksione speciale në rast se shteti që nuk do anëtarësim në NATO blen pajisje ushtarake nga Rusia, raporton Klan Kosova.
Për amerikanët mbetet shqetësuese edhe veç prezenca militarizuese ruse në Serbi qoftë për një ushtrim.
Palmer ka shumë gjasë që këtë qëndrim ta ketë përmendur edhe të hënën kur qëndroi në Beograd, por nuk e përmendi në konferencën e përbashkët me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit kishte vlerësuar se sanksionet do të ishin padrejtësi e madhe.
E armatosja e fqinjit verior e ka shqetësuar shumë Kosovën.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se armatosja e vazhdueshme e Serbisë me pajisje ushtarake nga Rusia dhe Kina është kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën.
Zëvendësministri i Mbrojtjes në largim, Burim Ramadani, ka thënë se këto janë mesazhe kërcënuese për krejt rajonin jo vetëm për Kosovën dhe si të tilla janë mesazhe të logjikave të kaluara.
“Mos të harrojmë atë që institucionet qofshin ushtarake, policore, politike institucionet e Serbisë kanë trashëgiminë e gjenocidit, dhunës dhe tentim shfarosjes së popujve të tjerë në Ballkan”, ka thënë Ramadani.