7.3 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Agim Bahtiri, nxënësve të shkollës së mjekësisë: Sot një javë do ta fillojni mësimin

Qindra nxënës të shkollës së mesme të mjekësisë “Dr Xheladin Deda” në Mitrovicë, kanë protestuar sot për një orë para objektit të ri shkollor, në shenjë pakënaqësie të zvarritjes së punimeve në këtë objekt, të cilat kanë filluar para shtatë vitesh.
Ata u shprehën të indinjuar duke qenë se tash e sa vite mbajnë procesin mësimor në një objekt me nxënësit e Shkollës Teknike, ndërsa këtë vit nuk kanë filluar akoma mësimin, dhe kjo sipas tyre paraqet problem serioz.
Drejtori i shkollës së mesme të mjekësisë ‘Xheladin Deda’, Gani Rama, tha se nxënësve të kësaj shkolle po iu bëhet e padrejtë tash e sa vite.
Ai ka apeluar tek organet përgjegjëse që të bëjnë gjithçka që është e mundur në mënyrë që nxënësit e kësaj shkolle t’i kthehen normalitetit.
“Që nga viti 2009 është nisur ndërtimi i shkollës së Mesme të Mjekësisë. Tash që shtatë vite zvarritet, ndërsa arsyet ne nuk i dimë. Edhe përkundër premtimeve se shkolla do të lëshohet më 10 shtator, ne përfunduam javën e dytë pa proces mësimor, dhe sot kemi hyrë në javën e tretë. Ne kërkojmë nga organet përgjegjëse të arsimit që të bëhet një trysni e vazhdueshme në mënyrë që këta nxënës t’i kthehen normalitetit”, ka thënë Rama.
Krenar Hyseni, nxënës i kësaj shkolle, u shpreh i shqetësuar për shkak të vonesës së procesit mësimor tash e tre javë.
“Jemi të shqetësuar për shkak të mosmbajtjes së mësimit. Shkolla është pothuajse në përfundim dhe ne nuk e dimë se ku është problemi, por kjo si nxënës na shqetëson shumë pasi që tash jemi tre javë në vitin e ri shkollor dhe nuk kemi mësuar…Kemi probleme qoftë në zhvillimin e mësimit, po ashtu edhe në atë profesional…Deri para disa viteve mësimin e kemi mbajtur në shkollën e mesme teknike, mirëpo këtë vit nuk është i mundur realizimi i mësimit në atë shkollë për shkak të mbushjes së numrit të nxënësve”, tha ai.
Në mesin e nxënësve u pa edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili premtoi se ky problemi do të zgjidhet për një javë.
“Jam pa tekst, por megjithatë do të mundohem t’ua spjegoj. Është vështirë për mua si kryetar i komunës t’iu shoh në rrugë, në vend se t’iu shoh në bankat shkollore. Por, kam bërë dhe do të bëjë të pamundurën që sot një javë ju te jeni në bankat shkollore”, theksoi Bahtiri.
Në anën tjetër, derisa nxënësit po protestonin, punëtorët e Kompanisë ‘Ferda’ që është kontraktuar nga Ministria e Arsimit për ndërtimin e objektit shkollor, ishin në vlugun e punës.
Artan Zeneli, përfaqësues i kësaj kompanie, ka potencuar se disa punime minore të cilat kanë mbetur pa përfunduar janë në mbarim e sipër, dhe se gjithçka do të përfundojë  në fillim të tetorit.
“Punimet janë duke u zhvilluar sipas planit të paraparë…Punët më 8 tetor përfundojnë. Për këtë gjë ka qenë i njoftuar edhe drejtori. Jemi disa punë minore duke i përfunduar dhe gjithçka më 8 tetor përfundon”, tha Zeneli.
Ndryshe, kostoja e ndërtimit të kësaj shkolle që ndodhet në lagjen ‘Bair’ pranë spitalit rajonal në Mitrovicë, është rreth 2 milionë euro, investim i MASHT-it, ndërsa punimet është dashur të përfundojnë më 2012.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img