Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke komentuar raportin e Departamentit të Shtetit për terrorizmin në vitin 2018.
Thaçi ka thënë se Kosova do ta luftojë pa kompromis radikalizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin e çdo forme.
“Më gëzon fakti që Kosova sërish lavdërohet në raportin e Departamentit të Shtetit për terrorizmin në vitin 2018, si shtet që ka bashkëpunuar me SHBA-në në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit, si dhe vlerësohet si anëtare e Koalicionit Global kundër ISIS-it.
Kapitulli për Kosovën numëron të arriturat e të gjitha agjencive, gjyqësorit, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, por edhe të KFOR-it dhe EULEX-it, duke vlerësuar bashkëpunimin e tyre në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë. Kosova do ta luftojë pakompromis radikalizmin, ekstremizmin dhe terrorizmin e çdo forme. Jemi partner i barabartë i aleatëve tanë dhe kontribuues për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë”, ka shkruar ai në Facebook.
Departamenti amerikan i Shtetit publikoi Raportin për Terrorizmin ku përmblidhen arritjet dhe sfidat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate për të luftuar dhe mposhtur organizatat terroriste gjatë vitit 2018.
Në raport thuhet se Kosova vazhdoi të luftojë rrezikun e terrorizmit nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Kosova vazhdon të jetë vend anëtar i Koalicionit Global për Mposhtjen e ISIS-it.
Mbi 400 burra, gra dhe fëmijë kosovarë kanë udhëtuar drejt Sirisë dhe Irakut për t’iu bashkuar grupeve terroriste. Rreth 70 prej tyre kanë humbur jetën. Rreth 130 individë u kthyen në Kosovë, ndërsa rreth 200 të tjerë vazhdonin të qëndronin në zonat e konfliktit. Situata politike dhe e sigurisë në veriun e Kosovës vazhdoi të kufizojë mundësitë e qeverisë për të ushtruar autoritetin e saj. Megjithatë qeveria e Kosovës forcoi masat ligjore kundër terrorizmit dhe miratoi një strategji të re anti-terror për periudhën 2018-2022.