Dardan Gashi i Nismës Socialdemokrate, i njohur për afërsinë me familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka komentuar mospërfshirjen e kësaj familje në listën e LDK-së në garën për deputetë për zgjedhjet e 6 tetorit.
Në dy mandatet e fundit, Teuta Rugova, e bija e ish-presidentit Rugova, ishte deputete e LDK-së. Edhe pse jo aktive dhe shpeshherë e akuzuar se nuk respektonte qëndrimet e LDK-së, sipas Gashit, ajo s’ka marrë pjesë në zgjedhjet e sivjetme sepse ka pasur nevojë për pushim.
“Është çështje individuale, por diçka mund ta siguroj elektoratin e LDK-së. S’ka qenë që LDK-ja s’i ka pranuar, por familja Rugova ka vendosur të mos futet. Arsyet janë të ndryshme. Arsye janë edhe që duan të pushojnë, e të jenë gati për garat e ardhshme të jenë në dispozicion. S’është aspekti verbal që determinon kush është aktiv a jo”, ka thënë ai në KTV, duke shtuar se ajo nuk kishte votuar për krijimin e Qeverisë Haradinaj.
Për largimin e tij nga LDK-ja, Gashi ka thënë se kjo ka ndodhur sepse nuk është pajtuar me disa gjëra aty. Sipas tij, “Proceset politike s’varen nga një logo, por nga kush është aty. Vetëm logo e LDK-së s’nënkupton që LDK-ja është ajo që ka qenë kur jemi sakrifikuar ne për të”.
Për Listën “Ibrahim Rugova” me të cilën Gashi kishte garuar në të kaluarën ka thënë se kjo ishte një fraksion brenda LDK-së, në formë proteste.
“Ka qenë fraksion kur ka pas turbulenca të mëdha në LDK. Ka qenë formë e protestës. Asnjë nga ne s’jemi larguar si parti nga LDK-ja. Kemi formuar grup të protestës. E dini që Teuta Rugova ishte dy herë aty deputete e njerëz tanë ishin pjesë e LDK-së”, ka thënë ai.
Për kalimin te Nisma, Gashi ka thënë se s’është befasi për shkak se “kam bashkëpunuar shumë moti me kryetarin Fatmir Limaj”. Këtë e ka quajtur kalim të natyrshëm.