Konfliktet pronësore në Kosovë janë shtuar shumë kohëve të fundit.
Edhe pse këto çështje duhet t’i zgjidhë vetë drejtësia, për shkak të zvarritjes së procedurave nga ana e Gjykatave të Kosovës, qytetarët kanë vendosur që ta marrin vetë drejtësinë në duar.
Si pasojë e mosmarrëveshjes për prona, tre persona mbetën të vdekur nga plagosjet me armë vetëm këtë muaj.
Mirlinda Gashi nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në një përgjigje për arbresh.info kë bërë të ditur se janë rreth 4076 lëndë në gjykatë që kanë të bëjnë me kontestet pronësore.
“3833 lëndë të pazgjidhura në fillim. Vetëm në gjashtë mujorin e vitit 2019 janë rreth 4076 mijë lëndë, përderisa 3839 mijë lëndë janë ende të pazgjidhura nga pengimi i posedimit të pronës”, thuhet në përgjigjen e Gashit.
“Nga pengimi i posedimit të pronës gjithsej kanë qenë 118 lëndë, ndërsa për vërtetim të pronësisë kemi pasur 3361 lëndë të pazgjidhura, dhe kemi pranuar 218 lëndë. Kontestet lidhur me largimin nga shtëpia-banesa, kemi pasur 143 lëndë të pazgjidhura në fillim, kurse 5 lëndë janë në punë” thuhet në përgjigje.
IKD: Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar
Sa i përket këtyre rasteve Gëzim Shala, hulumtues në ‘Institutin e Kosovës për Drejtësi’, thotë se sistemi i drejtësisë ka dështuar dhe se as ngritja e numrit të gjyqtarëve nuk ka arritur ta sanoj problemin e zvarritjes së lëndëve në gjykata.
“Në kuadër të monitorimit sistematik që Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) bënë tash e disa vite, ne kemi gjetur se sistemi i drejtësisë ka dështuar në sigurimin e një mjeti efektiv juridik. Kjo për arsye se pothuajse në shumicën absolute të rasteve, lëndët zvarriten pothuajse me dekada, derisa një lëndë të marrë epilog. Fatkeqësisht, këtë problem nuk e ka sanuar as ngritja e numrit të gjyqtarëve, pasi sistemi i drejtësisë vazhdon të përballet me këtë fenomen”, tha Shala.
Sipas Shalës në një situatë të tillë, qytetarët po detyrohen të marrin vetë drejtësinë në duar, pasi që nuk kanë shpresë tek Gjykatat e Kosovës.
“Mbi këtë situatë, ajo çfarë mund të konkludojmë është se asnjë person nuk mund ta “kërcënojë” një palë se do të kërkojë zgjidhje nga Gjykatat e Republikës së Kosovës, për shkak se të njëjtat nuk garantojnë një mjet efikas juridik. Në këtë mënyrë, kjo zvarritje e procedurave shndërrohet në faktorë kriminogjen, ku pastaj qytetarët marrin drejtësinë në duar, pasi nuk kanë shpresë në zgjidhje efektive nga Gjykatat e Republikës së Kosovës”, thotë Shala.
Shala thotë se pas dy rasteve të fundit Gjykatat e Kosovës nuk duhet më të kalojnë sy mbyllur mbi këto raste, por të reflektojnë përballë tyre.
“Në këtë drejtim, ne mund të themi se si faktorë nxitës drejt kryerjes së këtyre veprave penale janë kryesisht Gjykatat e Republikës së Kosovës. Raste të tilla kur palët në mungesë të gjetjes së zgjidhjes nga ana e Gjykatave të Republikës së Kosovës kanë marrë drejtësinë në duar, ka pasur vazhdimisht edhe në të kaluarën, të cilat raste janë intensifikuar 2 javët e fundit. Për këtë arsye, sistemi i drejtësisë duhet të reflektojë përballë kësaj situate tanimë të krijuar, dhe jo që thjesht të kaloj symbyllurazi mbi këto raste”, thotë Shala.
Që nga janari i këtij viti për të njëjtin motiv janë vrarë edhe 19 persona tjerë./arbresh.info