Java e parë e muajit shtator nuk ka nisur për së mbari. Vetëm në këtë javë kanë ndodhur tri konflikte për shkaqe pronësore.
Rasti më tragjik që ndodhi ishte ai në “Lagjen e Spitalit” ku për shkaqe pronësore ka pasur të shtëna me armë dhe dy persona kanë mbetur të vrarë, kurse dy të tjerë të lënduar, njëri prej tyre shumë rëndë.
Po ashtu si pasojë e një përleshje me thika në Lipjan, një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar rëndë. Edhe këtu sipas Policisë së Kosovës, rasti ka të bëjë me kontekst pronësor.
Kurse ngjarja tjetër ka ndodhur në fshatin Lismir të Fushë Kosovës ku shtatë persona janë arrestuar pas një mosmarrëveshje që kishin pas ndërmjet veti për një pronë.
Këto vrasje të ndodhura së fundmi e rrisin numrin e vrasjeve të përgjithshme në Kosovë, numër që sipas të dhënave duket jo pak shqetësues.
Kjo pasi që, sipas Policisë së Kosovës, në një deklaratë dhënë Telegrafit, vetëm në gjashtë mujorin e parë të vitit 2019 janë evidentuar 12 vrasje.
“Ne në vazhdimësi kemi ndërmarrë veprime konkrete për parandalim qoftë përmes fushatave të ndryshme për vetëdijësim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të dërgojnë tek kryerja e akteve të tilla. Duke ju referuar të dhënave në Policinë e Kosovës për rastet nga Neni 178 ‘Vrasje’ në përgjithësi kemi këto të dhëna: në vitin 2018 janë evidentuar gjithsej 32 raste të vrasjeve. Ndërsa në vitin 2019, për gjashtë mujorin e parë janë evidentuar gjithsej 12 vrasje”, thuhet në përgjigjen e policisë.
E njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, mendon se kjo që është duke ndodhur është edhe si pasojë e institucioneve përgjegjëse.
Islami në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se arsye, sidomos e konflikteve pronësore, është falsifikimi i dokumentacioneve të ndryshme pronësore.
“Shfaqja e kësaj dukurie, këtij fenomeni, ku në javët e fundit kemi tri zënka, ku kemi të plagosur e edhe të vrarë për shkak të konflikteve pronësore, është një indikacion i keq. Kjo për shkak se institucionet përgjegjëse, duke filluar nga gjykatat, pastaj format e ndryshme të bërjes së kontratave jovalide, dhe mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë ka vënë në pah dhe po e rrezikon jetën e palës në konflikte pronësore. Si fenomen mendoj që është rezultat i falsifikimit të dokumentacioneve të ndryshme që nga përfundimi i luftës e deri më sot. Por, si rrjedhojë e kësaj tani ato probleme shfaqen dhe vije deri tek ngatërresat e pronarëve. Ashtu siç e kemi rastin e javës së kaluar kur për çështje pronësore kemi dy të vdekur dhe dy të plagosur”, mendon Islami.
Sipas tij, në të ardhmen mund të ketë edhe raste tjera për shkak që siç theksoi ai, mënyrës së pandërgjegjshme ku është keqpërdorur autoriteti i disa personave nëpër gjykata.
“Kemi raste shembull kur është shitur toka e paluajtshme duke bërë falsifikimin e dokumentacionit, pastaj toka është blerë dy-tre herë nga njerëz të ndryshëm, dhe tani ato po rezultohen që kemi të bëjmë me ngatërresa të cilat po dërgojnë deri tek vrasja. Pra, kjo është si rezultat jo i ditës së sotme por që nga paslufta”, është shprehur ai.
Ndër të tjera ai ka thënë se gjykatat e kanë punën kryesore në kontekstet civile të ndryshme, ku sipas tij duhet të verifikohen dokumentacionet për shkak që njerëzit kanë blerë dy herë prona.
“Gjykata, prokuroria, sistemi i drejtësisë duhet të punojnë në këtë drejtim në mënyrë që të verifikohen kontratat dhe të mos rrezikohet prona e paluajtshme e personave të cilët i kanë ato dokumente, e jo ata që kanë dokumente të falsifikuara. Ka shumë raste që persona të ndryshëm kanë ardhur prej Serbisë kanë bërë dokumente jovalide, dhe kanë shitur pronat. Përgjegjësia bie mbi supet e gjykatës që duhet t’i zgjedhin këto probleme”, ka thënë ai.
Kujtojmë se edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), në një reagim ka thënë se Këshilli Gjyqësorë i Kosovës duhet të vihet në lëvizje duke e shtuar efikasitetin dhe duke e shpejtuar dinamikën e gjykimit të rasteve të kontesteve pronësore në mënyrë që të evitohen rastet potenciale të dhunës në të ardhmen.
“Këto humbje të jetëve të njerëzve, aq sa janë të dhimbshme, me një planifikim, përkushtim më të madh dhe përgjegjësi në respektim të ligjit mund dhe duhet të eliminohen”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.