Nëntë minuta u janë dashur dy shqiptarëve për t’u arratisur nga burgu i Koridhalos në Greqi.
Me një litar të improvizuar ata kapërcyen murin rrethues të burgut të Koridhalos, që është 2-3 metra i lartë, dhe u gjendën në anën tjetër të rrugës. Më pas u arratisën në drejtim të paditur.
Arratisja nga burgu e Elvis dhe Leonardo Pepës u konstatua mëngjesin e 2 Janarit. Në orën 07:00 të mëngjesit, gardianët vunë re mungesën e tyre në qeli dhe dhanë alarmin për thyerje të sigurisë.
Autoritetet e burgut të Koridhalos panë kamerat e sigurisë dhe zbuluan se si kishin kaluar në zona të caktuara të këtij institucioni. Roja që ndodhej në dhomën e kontrollit të kamerave nuk kishte parë në monitor lëvizjet e Elvis dhe Leonardo Pepës në oborrin e burgut.
Kur ata mbërritën në “zonën e vdekur”, që është midis reparteve 4 dhe 1, një gardian ndodhej 25 metra larg tyre, por nuk i vuri re. Kurse në vendin ku ata shkuan për të kapërcyer murin rrethues, 2 metra më larg ndodhej një vendroje, por aty nuk kishte asnjë njeri. Kur ora shënoi 20:39, Elvisi dhe Leonardi gjendeshin në rrugën përballë burgut Koridhalos dhe ishin të lirë.
Dy shqiptarët janë ende në kërkim, ndërsa autoritetet greke kanë nisur edhe hetim të brendshëm për shkelje të rregullores nga ana e gardianëve. Elvis dhe Leonardo Pepa kanë qenë të dënuar për vjedhje dhe grabitje me dhunë.