84 mijë qytetarë nga diaspora kanë votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka konfirmuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të martën.
Gjithsej, 104 mijë votues ishin regjistruar për votime në proces.
Nga ky numër, 80.1 për qind e të regjistruarve, apo 84 mijë qytetarë, e kanë hedhur votën e tyre më 9 shkurt.
Njoftimi i plotë:
Sipas të dhënave preliminare, numri i votave në përfaqësitë diplomatike në të cilat u zhvillua votimi më 8 shkurt 2025, është 15,352 nga 20,324. Ndërkaq, lidhur me pjesën tjetër të votimit nga jashtë Kosovës, votimin përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së në shtete të ndryshme janë pranuar 68,712 pako me fletëvotime.
Në përgjithësi, nga votimi në përfaqësi diplomatike dhe nga pakot e pranuara, përqindja e pjesëmarrjes në votimin jashtë Kosovës është 80.10% (kjo përqindje mund të ndryshojë pas procesit të vlerësimit).
Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për votimin jashtë Kosovës ishte 104,924 votues.
Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.