Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, një ndër repartet më të rëndësishme është ai i lehonave në kuadër të Klinikës Obstetrike Gjinekologjike.
Vetëm në vitin 2023 në këtë repart janë kryer gjithsej 8100 lindje.
Këtë e ka bërë të ditur për Front Online drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj.
Ai ka treguar sa është numri i fëmijëve vajza dhe sa djem.
“Në Klinikën Obstetrike -Gjinekologjike në QKUK në vitin 2023 ka pasur 8100 lindje. Prej tyre 4080 meshkuj dhe 4020 femra”, është shprehur Ndrejaj për Front Online.
Kur është pyetur se si qëndrojnë statistikat e vitit 2023 me vitin 2022 dhe a ka rënie të numrit të lindjeve në këtë klinik, Ndrejaj nuk ka dhënë statistika të sakta, por vetëm ka thënë se numri është përafërsisht i njëjtë.
“Numri i lindjeve është përafërsisht i njëjtë në vitin 2023 me atë në 2022”, ka shtuar ai.
Kohëve të fundit numri i lehonave që po kryejnë lindje në spitale private është shpeshtuar.
Ndrejaj, nuk ka dhënë ndonjë arsye se përse po ndodhë ky fenomen.
Vetëm ka treguar se ka raste që pas lindjes në spitale private, trajtimin e mëtutjeshëm e kryejnë në Gjinekologji.
“Kemi mjaftë raste të cilat lindjen e kryejnë në spitale private, e pastaj vijnë në Klinikën Obstetrike -Gjinekologjike për trajtim të mëtutjeshëm”, ka deklaruar drejtori Ndrejaj për Front Online.
Kurse, mesatarisht numri i lindjeve në ditë arrin shifrën prej 25 lindje.
“Në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike në ditë mesatarisht i kemi dikund 25 lindje”, ka treguar ai.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2022 gratë në moshën 25 deri në 29 vjeçe janë pacientet më të shpeshta në repartin e lindjes në QKUK.
Gratë në grup-moshën 25 deri në 29 vjeçe lindin më së shumti fëmijë në Kosovë, ndjekur nga gratë në grup-moshën 30 deri në 34 vjeçe./Front Online/