Site icon PrishtinaPress

81 organizata të shoqërisë civile letër Macronit: Jepni fund izolimit të qytetarëve të Kosovës

81 organizata të shoqërisë civile në Kosovë, i janë drejtuar sot përmes një letre presidentit të Francës, Emmanuel Macron lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se procesi i liberalizimit është ndalur në Këshillin e Bashkimit Evropian si institucioni më i lartë i BE-së dhe i fundit i cili duhet ta aprovojë propozimin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën.

“Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon dhe ndër të vetmit në Evropë qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen”, thuhet në njoftimin për media nga organizatat e shoqërisë civile.

Përmes letrës dërguar presidentit Macron, shoqëria civile ka kërkuar nga lidershipi i tij dhe të Francës që në prag të Konferencës për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në qershor në Paris, të fusin në agjendë dhe të aprovojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Ndër të tjera në këtë letër organizatat e shoqërisë civile rikujtojnë që dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën ka hyrë në vitin e 10-të të tij dhe ka zgjatur më shumë sesa procesi i liberalizimit të vizave i të gjitha vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Duke e vlerësuar lëvizjen e lirë si të drejtë themelore të njeriut nga mungesa e të cilës më së shumti vuajnë qytetarët e zakonshëm, përmes kësaj letre, organizatat e shoqërisë civile të Kosovës, i bëjnë thirrje Presidentit Macron që gjatë Presidencës Franceze të BE-së ta çojë zgjerimin evropian në një epokë të re, duke i dhënë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës dhe duke hapur bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si një moment ringjallje për perspektivën e rajonit drejt BE-së”, thuhet në letrën e tyre.

Letrën e plotë të organizatave të shoqërisë civile drejtuar presidentit Macron mund ta lexoni më poshtë:

I nderuar President Macron,

Dëshirojmë t’ju përgëzojmë për rizgjedhjen! Fitorja juaj vjen në një moment të rëndësishëm për Francën, Evropën dhe botën. Megjithëse në muajt dhe vitet e ardhshme ju do të jeni me të drejtë të preokupuar me shqetësimet dhe mirëqenien e popullit francez, sytë e botës janë kthyer sërish drejt Francës për ta udhëhequr botën në këto kohë të vështira.

Dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën ka hyrë në vitin e 10-të të tij. Si i tillë, ky proces ka zgjatur më shumë sesa procesi i liberalizimit të vizave i TË GJITHA vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku, shumëzuar me dy. Ose për ta thënë ndryshe, i gjithë procesi i aderimit për Kroacinë, që nga statusi i kandidatit e deri tek anëtarësimi i plotë, zgjati më pak sesa procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, që nga fillimi, u krijua për të qenë i vështirë. Fillimisht, lutja e Kosovës për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave u refuzua ashpër. Ne, qytetarët e Kosovës, i vështronim me dëshpërim qytetarët e vendeve tjera të rajonit duke e gëzuar të drejtën e tyre për të lëvizur lirshëm nëpër BE. Dhe kur më në fund erdhi momenti në vitin 2012 për të filluar procesin e liberalizimit të vizave, Kosovës iu dorëzua një udhërrëfyes i cili përmbante dy herë më shumë kritere sesa për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Përkundër kësaj, Kosova përgjatë gjashtë viteve të ardhshme i përmbushi të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Kjo gjë u konfirmua zyrtarisht në korrik të vitit 2018, dhe më pas u rikonfirmua përsëri disa herë nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Thirrjet e vazhdueshme drejtuar Këshillit të BE-së për t’i dhënë fund izolimit të Kosovës kanë qenë pa rezultat.

Tregimi për venitjen e premtimit për liberalizim të vizave nga BE-ja është përcjellë me lulëzimin demokratik të Kosovës. Vitin e kaluar Kosova rikonfirmoi pjekurinë e saj demokratike me zgjedhje shembullore dhe tranzicion të lehtë të pushtetit. Që atëherë, Kosova ka bërë përparim të qëndrueshëm në të gjitha frontet. Përpjekjet e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë vënë në dukje nga Transparency International. Në raportin e saj të fundit, Kosova ka bërë përmirësimin më të madh vjetor në histori. Ngjashëm, Kosova ka bërë përmirësimin më të madh vjetor në histori dhe është renditur më lartë se asnjëherë sa i përket cilësisë së demokracisë së saj, sipas raportit të fundit të Freedom House. Në këtë aspekt, nuk ishte befasi kur disa ditë më parë Reporerët pa kufinj publikuan renditjen më të lartë të Kosovës në dhjetë vitet e fundit. Me pak fjalë, vendi ynë sot është më i lirë e më demokratik se kurrë më parë. Dhe kjo është pjesërisht arsyeja pse Kosova shënoi vitin e kaluar numrin e dytë më të ulët të azilkërkuesve në BE nga të gjitha vendet e rajonit, sipas Eurostat.

Kosova është vend i vogël, por përkundër vogëlsisë gjeografike, u rreshtua përkrah dhe mbështeti përpjekjet e Aleatëve për paqe globale. Vitin e kaluar Kosova strehoi më shumë se 1300 të evakuuar afganë duke treguar kësisoj jo vetëm solidaritet me refugjatët, por edhe përkushtimin tonë të vërtetë dhe afatgjatë ndaj NATO-s. Kosova është në harmoni të plotë me politikën e jashtme të BE-së në aspektin e sanksioneve kundër Rusisë dhe ka treguar gatishmërinë e saj për të akomoduar 5000 refugjatë ukrainas, ndërkohë që veç ka filluar të akomodojë gazetarë ukrainas. Shoqëria civile e Kosovës vazhdon të promovojë vlerat e BE-së në baza ditore dhe e konsideron perspektivën e BE-së si rrugën e vetme për ndërtimin e një shoqërie demokratike. E njëjta gjë vlen edhe për qytetarët e Kosovës, pasi BE-ja ende gëzon mbështetje pothuajse absolute në mesin e popullsisë së Kosovës, me afër 94% mbështetje. Ky është tregues i qartë i përkushtimit për integrimin, standardet dhe vlerat e BE-së nga të gjitha segmentet e shoqërisë kosovare.

Përderisa institucionet e Kosovës vazhdojnë të përballen me sfida të rëndësishme sociale, ekonomike dhe politike, ne shoqëria civile vazhdojmë ta mbajmë qeverinë tonë përgjegjëse. Ne presim që institucionet shtetërore të shumëfishojnë përpjekjet e tyre në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, për të na fuqizuar në aspektin e shfrytëzimit të perspektivës së BE-së si kornizë e besueshme që do të nxiste avancimin e reformave në vazhdim, ne kemi nevojë për një Bashkim Evropian të besueshëm që respekton premtimet e veta.

Lëvizja e lirë e njerëzve paraqet të drejtë themelore të njeriut dhe promovon zhvillimin socio-ekonomik. Këtë izolim në mënyrë joproporcionale e vuajnë qytetarët e thjeshtë, të rinjtë e të rejat dhe studentët, aktivistët e shoqërisë civile, komuniteti i biznesit, si dhe ata që kanë nevojë për trajtim mjekësor në vendet e BE-së. Vazhdimi i izolimit vetëm se do të nxisë qytetarët e zakonshëm që të gjejnë rrugë alternative për të udhëtuar për arsye legjitime, e ato rrugë janë shpesh të paligjshme, të kushtueshme dhe të rrezikshme.

Meqë Komisionit Evropian i është kërkuar të përgatisë opinione formale për gatishmërinë e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë për të filluar procesin e anëtarësimit në BE, Këshilli i BE-së pritet të diskutojë aplikimin e tyre në takimin e muajit qershor. Ne, sinqerisht i mirëpresim këto përpjekje! Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje BE-së të njohë rëndësinë e Ballkanit Perëndimor si pjesë kyçe e arkitekturës evropiane të sigurisë, duke pasur parasysh përpjekjet e Rusisë për të minuar konsolidimin e vazhdueshëm të progresit demokratik dhe integrimin euroatlantik të rajonit. Dhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe hapja e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të jetë pikënisja e këtij diskutimi.

Në këtë këndvështrim, ne i bëjmë thirrje Presidencës Franceze të Këshillit të BE-së të përforcojë ndikimin afatgjatë të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Sharl de Gol ka thënë: “Franca nuk mund të jetë Francë pa madhështi”. Nuk ka pasur ndonjëherë kohë më të përshtatshme për ta treguar këtë madhështi. Prandaj, i bëjmë thirrje Francës që ta çojë zgjerimin evropian në një epokë të re, duke i dhënë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës dhe duke hapur bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne presim me padurim Konferencën e Parisit për Ballkanin Perëndimor i cili mbahet në qershor dhe shpresojmë se i njëjti mund të jetë moment ringjallje për perspektivën e rajonit drejt BE-së.

Exit mobile version