Pak ditë pas kontratës së dyshimtë për lobim të Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE), me kompaninë “Madison Global Strategies, LLC”, një kompani tjetër amerikane ka fituar kontratë qindra mijëra euro nga Qeveria e Kosovës.
Kësaj radhe është Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), e cila ka angazhuar kompani ligjore për ta këshilluar për ecurinë e mëtejmë të implementimit të projektit “Kosova e Re”, ani pse ka ende paqartësi rreth të ardhmes së këtij projekti, përcjell Buletini Ekonomik.
Në një proces shumë të shpejt, me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kjo ministri ka kontraktuar kompaninë amerikane “Hunton Andrew Kurth”, për ofrimin e këshillave ligjore rreth projektit.
Për shërbimet e kësaj kompanie do të paguhen plot 800 mijë euro nga buxheti i shtetit.
Njoftimi për dhënien e kësaj kontrate është publikuar këtë javë në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP). Kontrata mban nënshkrimin e ministrit Valdrin Lluka, Sekretarit të Përgjithshëm në MZHE, Nazmi Zenelaj dhe Udhëheqësit të Zyrës së Prokurimit, Selami Berisha.
Në arsyetimin e saj të dhënë në dokumentacionin e dorëzuar në KRPP, kjo ministri thotë se për angazhimin e një kompanie ligjore për fazat e mëtutjeshme për projektin “Kosova e Re” ka pasur një vendim nga Qeveria e Kosovës në fillim të këtij viti.
“Qeveria e Kosovës me vendim nr.11/102 të datës 7 maj 2019, ka njohur nevojën për fillimin e procedurave për kontraktimin e shërbimeve këshillimore juridike duke u bazuar në rekomandimin e Komitetit Drejtues të Projektit të Asistencës Teknike Energjia nga Linjiti përgjegjës për projektin Termocentrali “Kosova e Re”, thuhet në shkresën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të publikuar në KRPP.
Nënshkrimi i kësaj kontrate, sipas arsyetimit të MZHE, erdhi edhe pas tërheqjes së Bankës Botërore, nga projekti për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Qeveria e Kosovës kishte marrëveshje për shërbime këshillimore me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), që është pjesë e Bankës Botërore. Por pas vendimit të kësaj të fundit për tu tërhequr nga projekti, u shkëput edhe kjo marrëveshje për këshilla ligjore.
Ndërkaq, nënshkrimin e kontratës së re, zyrtarët e MZHE e quajnë jetik për të ardhmen e këtij projekti.
“Duke marrë në konsideratë, ekspertizën, përvojën dhe dijen intelektuale të kompanisë ligjore në fjalë e po ashtu, statutin e projektit TC Kosova e Re, kontraktimi i shërbimeve juridike këshillimore është jetik ngase në këtë mënyrë sigurohet vazhdimësia e punës së Komitetit Drejtues Të Projektit TC Kosova e Re”, thuhet në shkresën e MZHE.