Autostrada e cila lidh Nishin me Prishtinën dhe Durrësin, e cila ndryshe njihet si “Rruga e Paqes”, tashmë ka filluar së ndërtuari. Kështu ka thënë dje ministrja serbe e Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajloviq, për mediat serbe.
Ajo ka thënë se tashmë punimet janë duke u zhvilluar intensivisht.
Ministri Pal Lekaj në një prononcim për Indeksonline ka thënë se ndonëse ky projekt e ka rëndësinë e vet, punimet serbe me ato të Kosovës janë krejtësisht të ndara.
“Ky projekt e ka rëndësinë e vet për lidhjen e Kosovës me korridorin X, i cili është pjesë e procesit të Berlinit, por si projekte praktike janë të ndara dhe nuk kemi të përbashkët thuajse asgjë më atë se si do ta zhvillojë Serbia këtë projekt”, ka thënë Lekaj.
Ndërsa, për pjesën e kësaj autostrade në Kosovë, Lekaj ka treguar se në vjeshtë të këtij viti do të jetë gati projekti.
“Sa i përket pjesës tonë, deri në vjeshtë ne e kemi gati projektin për këtë autostradë nga Besia deri në Merdare. Pastaj ne nga momenti kur ta kemi projektin do të dimë kur do te fillojë e kur do të përfundojë kjo autostradë”, ka shtuar Lekaj.
Kujtojmë se kjo rrugë do të jetë e gjatë rreth 40 kilometra, ndërkaq çmimi i saj është paraparë të kap shifrën prej 212 milionë eurove.