1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

6 muaj nga vërshimet, komunat ende nuk janë kompensuar

Në janar, në Kosovë pati vërshime për shkak të reshjeve të shumta që më pas kanë shkaktuar dëme të mëdha në disa komuna. Ndonëse kanë dërguar raportet e tyre me vlerësimin e dëmeve, komunat ende nuk janë kompensuar nga Qeveria e Kosovës. Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka kritikuar ekzekutivin për vonesën në ekzekutimin e mjeteve.

Janari ishte i rëndë për shumë qytetarë të Kosovës, shtëpitë e bizneset e të cilëve u vërshuan pas reshjeve të shumta të shiut. Disa nga komunat më të prekura ishin Skënderaj, Mitrovica, Peja e Podujeva.

Për dëmet që iu shkaktuan, asnjë nga komunat nuk kanë pranuar kompensim nga Qeveria.

Kryetari i komunës së Skënderajt, Fadil Nura, në një bisedë me Gazetën Express, ka thënë se kompensimi është dashur të bëhet më herët, pasi komisioni qendror i ka aprovuar vlerësimet e komisionit komunal.

Në Skënderaj, vlera e dëmeve të shkaktuara është 12 milionë e 200 mijë euro.

“Jo ende nuk kemi marrë diçka. Vlera e dëmeve të shkaktuara ka qenë 12 milionë e 200 mijë. Kjo punë u dasht mu kry më herët, sepse e di që komisioni qendror i ka aprovu vlerësimet që i ka bo komisioni komunal, kështu që mesa e di ka mbet në nivelin e vendimmarrjes në Qeveri”, u shpreh Nura.

Ndërkaq, zëdhënësi i komunës së Pejës, Faik Zekaj, ka thënë se nuk ka informacione nëse qytetarët janë kompensuar. Ai në një përgjigje për Express tha se mjetet që ndahen nga qeveria shkojnë drejtpërdrejt te qytetarët.

“Të janarit e kemi dërguar, por ato i marrin qytetarët e nuk e di nëse i kanë kompensuar. Sepse i kanë llogaritë dhe shkojnë drejtpërdrejt te qytetarët”, deklaroi ai.

Dëme nga vërshimet në janar, ka pësuar edhe komuna e Podujevës. Zëdhënësi Fatri Zhitia i tha Gazetës Express se vlera e dëmeve është 3 milionë e 185 mijë euro.

Ai tha se ende nuk është bërë kompensimi i dëmeve të shkaktuar nga vërshimet, derisa bëri të ditur se para disa ditësh ata kanë dorëzuar në Qeveri dokumentet e qytetarëve të prekur nga vërshimet.

Zhitia deklaroi se kanë informata që kompensimi do të bëhet në shtator.

“Dëmet ende nuk janë kompensuar të shkaktuara nga vërshimet, komuna para disa ditësh i ka dorëzuar në Qeverinë e Kosovës dokumentet (kopjet e llogarive bankare) të qytetarëve të prekur nga vërshimet dhe të cilëve iu është aprovuar kërkesa për aprovim. Sipas informatave që kemi nga ana e zyrtarëve kompetent deri në muajin shtator do të kompensohen të gjithë qytetarët e dëmtuar. Vlera e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në muajin janar në Komunën e Podujevës është 3,185,686.47 euro. Janë aprovuar gjithsej 286 kërkesa të qytetarëve për kompensim të dëmeve. Vlera e dëmeve në ekonomi familjare sipas raportit është 292,651.50 euro, vlera e dëmeve të shkaktuara në bujqësi 335,065.97 euro, ndërsa vlera e dëmeve në infrastrukturë 2,557,969.39 euro”, tha Zhitia.

Për këtë çështje, për Express ka folur edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Ai tha se komunat i kanë kryer të gjitha obligimet, mirëpo Qeveria vendos se kur t’i bartë mjetet.

“Sipas informatave që i kam prej javës së kaluar, ende nuk janë kompensuar dëmet e shkaktuara në janar. Komunat i kanë kryer të gjitha obligimet ligjore që i kanë, tash mbetet në nivelin e qeverisë me vendos se kur me i bart mjetet”, tha ai.

Ibrahimi ka kritikuar Qeverinë për vonesën në kompensimin e dëmeve të shkaktuara.

“Nëse kuvendi komunal e miraton listën përfundimtare, atëherë niveli qendror duhet ta ekzekutojë e jo të bëjë verifikime e kërkesa plotësuese, sepse atëherë tregon mosbesim ndaj komunave. Kryetarët janë ankuar, ata janë tu i prit. Ka edhe biznese që janë mbyllur pasi nuk kanë pasur mundësi me rifillu pas vërshimeve. Ata kanë kërkuar përkrahjen e shtetit dhe kjo po mungon. Prandaj ne kemi kërkuar krijimin Fondit Emergjent për komunat, që më shpejt me i dal shteti në ndihmë qytetarëve, e jo prej janarit mos me pas asnjë intervenim financiar nga niveli qendror.”

Komuna e Mitrovicës ka ndarë nga 2500 euro për familjet e prekura nga vërshimet

Komuna e Mitrovicës, më 6 korrik, ka marrë vendim që të ndajë nga 2500 euro për 186 familjet e prekura nga vërshimet.

Gjithsej, shuma e ndarë ka qenë 465,000.00 €.

“Bazuar në propozimin e kryetarit Bedri Hamza dhe vendimin e asamblesë komunale për ndarjen e 2500€ për ekonomitë familjare që kanë pësuar dëme si pasojë e vërshimeve të janarit në komunën e Mitrovicës, pas pranimit të listës nga komisioni sot është bërë ekzekutimi i mjeteve financiare në llogaritë bankare të përfituesëve. 186 familje kanë përfituar nga buxheti komunal, në vlerë totale 465,000.00 €”, thuhej në njoftim

Vërshimet fatale në Pejë

Të shtunën e 24 qershorit, pas orës 20:00 në Pejë ka rënë shi aq sa ka rënë gjatë gjithë muajit qershor në këtë komunë. Si pasojë e reshjeve të mëdha, Peja është vërshuar, kështu duke çuar në humbjen e dy jetëve – nëna me djalin 5 vjeçar në lagjen “Asllan Çeshme”. Përpos tyre, lëndime pësuan edhe dy persona tjerë, të cilët më pas janë liruar nga spitali.

Zëdhënësi i komunës së Pejës, Faik Zekaj, ka thënë për Express se ende nuk përfunduar raporti me shumën e vlerësimit të dëmeve, që më pas pritet të dërgohet në Qeveri.

Ai tha se sipas komisionit preliminar, vlera e dëmeve është diku mbi 1 milion euro.

“Ende nuk është përfunduar raporti me shumën e vlerësimit të dëmeve. Sipas komisionit preliminar, diku mbi 1 milion është vlera e dëmeve të shkaktuara”, tha Zhitia.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img