1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Hakmarrje e lojtarëve kosovarë ndaj De Biasit? Dëgjoni përgjigjet e katër gazetareve shqiptare

Largimi i lojtarëve kosovarë nga Kombëtarja e Shqipërisë është kthyer në një çështje të rëndësishme për të gjithë. Tre futbollistë të Kombëtares shqiptare deklaruan kalimin e tyre te Kombëtarja kosovare.
Milot Rashica, Alban Meha dhe Herolind Shala i përkasin tashmë skuadrës përfaqësuese të Kosovës, a është kjo një hakmarrje ndaj trajnerit, Gianni De Biasit që nuk i mori në grumbullimet e Euro 2016?
Dëgjoni përgjigjet e katër gazetareve shqiptare për , “Summer Pages”: Enkeleida Zeko, Vilma Masha, Ilda Bejleri dhe Hygerta Sako, të tregojnë më me detaje arsyet që çuan drejt këtij “divorci”, si dhe ç’do të ndodhë tani e tutje me Kombëtaren tonë.

Enkeleida Zeko

enka

“Kosova e vogël”, shembull i madh për Shqipërinë Medalja e artë Olimpike e Majlinda Kelmendit tregoi se Kosova nuk ka pse ta konsideroje veten si Kombëtarja e vogël e shqiptarëve. Serioziteti, investimi dhe rezultatet që në përfaqësimin e parë treguan se synim për ta nuk është vetëm pjesëmarrja, por arritja e majave më të larta sportive. Këto rezultate jo të papritura të Kosovës gëzuan gjithë shqiptarët, por i dhanë edhe një shuplakë Shqipërisë për mënyrën se si politikat sportive funksionojnë dhe përkthehen në rezultate. Kambanat më shumë se kudo tjetër kanë rënë për Komitetin Olimpik dhe Kombëtaren e Futbollit. Pranimi i Kosovës nga FIFA dhe UEFA e bën të pasigurt të ardhmen e Kombëtares sonë. Nëse dikur mendohej se Shqipëria ishte e vetmja mundësi për të shkuar larg në sport, sot është e kundërta; me Kosovën shkohet larg dhe shpejt, prandaj nuk është aspak çudi që lojtarë që deri sot kanë veshur fanellën e Kombëtares shqiptare të mund të ndryshojnë uniformë. Kosova nuk ka pse të jetë Kombëtarja e dytë e shqiptarëve; ajo me strategjitë serioze dhe punën e përkushtuar mund të jetë shumë shpejt një përfaqësuese e fortë, pse jo, edhe në fazën finale të eventeve si Europiani apo Botërori. Po flas shumë për Kosovën jo pa qëllim, për të treguar në një farë mënyre se ajo nuk po merr gjë nga ne, thjesht jemi ne që jemi mbështetur deri tani te forcat e saj. Gabimet duhet t’i gjejmë te vetja, duke u munduar të zhvillojmë sportin në gjenezën tonë dhe jo vetëm të kërkojmë ndonjë familje në emigracion të cilët i kanë stërvitur fëmijët në akademi serioze. Europiani i Futbollit ishte një vitrinë që i dha Shqipërisë mundësinë të mendojë me seriozitet të ardhmen e saj. Nëse lojtarët do të zgjedhin të luajnë futboll për Kosovën, atëherë do të duket sa vlejmë ne.
Vilma Masha

vilma

Sinjalet për largimin, që te grumbullimi për “Euro 2016” Që prej muajit maj të këtij viti, muaj në të cilin Kosova u pranua me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA, ky largim i futbollistëve kosovarë ishte i pritshëm. Për hir të së vërtetës, kjo ishte një çështje mjaft e ndjeshme për opinionin publik në përgjithësi dhe atë sportiv në veçanti. Të gjithë diskutonin se çfarë do të ndodhte tani me të dyja skuadrat, atë shqiptare dhe përfaqësuesen së Kosovës. Cilët do të ishin futbollistët që do të largoheshin? Çfarë ndikimi do të kishte kjo lëvizje për Shqipërinë? Sa prej tyre mendohej se do të luanin për Kosovën? E të tjera pyetje rreth temës. Ajo që pritej ndodhi tanimë, por nuk e kam fjalën për vendimet konkrete të 2­3 ditëve të fundit. Sinjalet erdhën që në momentin që trajneri i Kombëtares shqiptare, De Biassi, shpalli listën e 23 futbollistëve, të cilët do të ishin pjesë në “Euro 2016”, duke larguar 4 nga 27. Milot Rashica, Herolind Shala, Berat Gjimshiti dhe Armir Rrahmani. 2 prej të cilëve, Rashica dhe Shala, deklaruan 2 ditë më parë largimin nga Kombëtarja jonë dhe vendimin për të luajtur me përfaqësuesen e Kosovës. Këtyre iu bashkua edhe Alban Meha, një tjetër kuqezi. Duke u ndalur pak te Rashica, një talent i madh, një ndër premtimet e futbollit shqiptar në vitet e ardhshme, mendoj se vendimi erdhi absolutisht për shkak të mosgrumbullimit në “Francë 2016”. Ndërkohë që De Biazi nuk e mori, trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki punoi shumë që ta bindte që ai të zgjidhte Kosovën. Të njëjtën gjë duket se bëri edhe Shala e Meha më pas. Një zhurmë e madhe ka plasur sidomos në rrjetet sociale rreth kësaj teme, me pro dhe kundër, megjithatë unë mendoj se këto lëvizje do ta forcojnë më tepër Kosovën, por ne nuk do të dëmtohemi, kjo s’do të thotë aspak se Shqipëria do të vuajë për të gjetur talente të tjerë. Sinjale shumë pozitive kemi nga U19, kombëtare në të cilën ndodhen rreth 10 futbollistë shqiptarë të talentuar, që mund të afrohen në Kombëtaren A. Mirë do të ishte që të gjithë të luanin bashkë, por në pamundësi të kësaj, do të na duhet t’u gëzohemi të dyja ekipeve. Unë besoj se Shqipëria, ashtu dhe Kosova kanë talente plot, më pas se cila do të ketë më tepër sukses, këtë do t’ia lëmë kohës.
Hygerta Sako

hyga

S’është dramë, duhet investuar te futbolli shqiptar Qysh me anëtarësimin e Kosovës në organizmat e mëdha të futbollit, UEFA dhe FIFA, kjo ishte një gjë e pashmangshme… Deklarata e Mavrjat në vigjilje të Evropianit ishte një sinjal, që ndoshta ambienti rreth Kombëtares e dinte që shumë shpejt do të kishte futbollistë që do lëviznin. Për përfaqësuesen e Shqipërisë nuk është dramë largimi i Rashicës, sepse lojtarët kryesorë aktualë kanë deklaruar besnikërinë ndaj ekipit që drejtohet nga De Biasi, por kjo është një kambanë për FSHF­në. Duhet investuar dhe duhet kthyer vëmendja tek futbolli që luhet në Shqipëri, qysh tek moshat dhe deri tek kategoritë më të larta. Lojtarë si Çekiçi, Bare apo Manaj tregojnë se edhe Shqipëria ka talente të rëndësishme. Ndoshta nuk na vjen mirë që jemi një komb me dy përfaqësuese, por ky tashmë është fakt dhe duhet të kthejmë vëmendjen tek “prodhimi­ made in Albania”.
Ilda Bejleri

aa

Do donim t’i shikonim në Shqipëri, megjithatë i mbështesim Pa diskutim që vendimi i Milot Rashicës, Alban Mehës apo Herolind Shalës nuk është një lajm që na gëzon, pasi unë dhe tifozët do të dëshironim që t’i shihnim këta lojtarë të veshur me fanellën kuqezi. Duke pasur parasysh faktin që të gjithë këta lojtarë kanë minutat e tyre në këmbë me ekipin kuqezi. Por, gjithsesi dhe vendimin e tyre nuk mund ta paragjykojmë, sepse gjatë gjithë kohës kemi thënë “Jemi një”. Nëse jemi vërtet një, atëherë ky është momenti për të treguar se nëse luajnë për Shqipërinë apo Kosovën, pak rëndësi ka. Duhet t’i vlerësojmë dhe mbështesim maksimalisht këta lojtarë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img