Kjo Prokurori ka bërë të ditur se ka lëshuar 57 urdhra për arrestimin e shtetasve serbë nën dyshimet se kanë kryer krime lufte, por tha se nuk do të japë emrat e personave të kërkuar.
Prokuroria serbe 100 urdhërarrestet për udhëheqësit e luftës së Kosovës i ka lëshuar për të dyshuarit ndaj të cilëve hetimi është në vazhdim e sipër, dhe personave ndaj të cilëve janë ndërprerë hetimet, shkruan lajmi.net.
Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se 57 urdhërarrestet e lëshuar nga Kosova për serbët e dyshuar për krime lufte janë të vlefshme vetëm për territorin e Kosovës, për shkak se Kosova nuk është anëtare e Interpolit.
Pra, pa përfshirjen e UNMIK-ut apo EULEX-it, të cilët mund të kërkojnë nga Europoli dhe Interpoli për zbatimin e këtyre fletarresteve, ato mbeten të efektshme vetëm në territorin e Kosovës.
Megjithatë, sipas burimeve tona, fletarrestet e lëshuara nga institucionet e Kosovës mund të kenë efekt ndërkombëtar, në qoftë se Kosova dhe një shtet tjetër kanë marrëveshje dypalëshe që kjo çështje të rregullohet.