Si shtetasit e Shqipërisë ashtu dhe ata të Kosovës e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit, sipas rezultateve të fundit të sondazhit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për Barometrin e Ballkanit për vitin 2023.
49% e të anketuarve nga Shqipëria do të merrnin në konsideratë që të jetonin dhe të punonin jashtë vendit. Kjo përqindje është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin e mëparshëm, kur treguesi ishte 42%.
Shtetasit e Kosovës janë ata që duan më shumë se të gjithë që të jetojnë e punojnë jashtë vendit, me 57% të të anketuarve që e kanë dhënë këtë përgjigje.
Por, ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë ka treguesi ka një përmirësim të lehtë me 2 pikë përqindje (nga 59% në 2022).
Shtetasit që mendojnë të lëvizin më pak janë atë të Maqedonisë së Veriut, 35%, Bosnjë dhe Hercegovinës, 38%, Serbisë 41%, Malit të Zi 45%.
Mesatarja e Ballkanit Perëndimor është 44%.
Sondazhi
Për të nëntën herë radhazi, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal publikon rezultatet e Barometrit Ballkanik – sondazhi vjetor i realizuar me gjashtë mijë qytetarë nga i gjithë Ballkani Perëndimor, duke dhënë një pasqyrë mbi opinionet e tyre rreth bashkëpunimit rajonal, integrimit në BE, besimit tek institucionet publike dhe media, shqetësimet e tyre më të mëdha, punësimi, ndryshimet klimatike, siguria, jeta digjitale, transporti, sundimi i ligjit, udhëtimet, etj.
Sioas njoftimit për shtyp, ‘Barometri Ballkanik zbulon 3 tendencat kryesore të opinionit publik në Ballkanin Perëndimor. Së pari, lajmi i mirë, 76% e njerëzve besojnë se bashkëpunimi rajonal është i mirë për zhvillimin e ekonomive të tyre. Për më tepër, 69% janë dakord se ajo që i bashkon qytetarët e Ballkanit Perëndimor është më e rëndësishme se ajo që i ndan ata, raporton Monitor.
Lajmi i dytë, mbështetja për integrimin në BE: rezulton 59% ose 3% më pak se në 2021.
Dhe i treti është shqetësimi mbi shpopullimin, pasi 44% mendojnë të jetojnë jashtë vendit, 5% më shumë se në 2022. Është gjithashtu jashtëzakonisht shqetësuese se 71% e të rinjve po mendojnë të largohen nga vendi i tyre”, tha Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu.
Balkan Barometri 2023, edicioni i Opinionit Publik rezultatet kryesore:
➢ 1 në 5 qytetarë e lidh Ballkanin me shpresë ose bashkëpunim.
➢ Për 15% të qytetarëve, Ballkani do të thotë besim, por për 1 në 10, do të thotë frikë.
➢ 51% janë të pakënaqur me situatën ekonomike
➢ 27% thonë se korrupsioni është problemi më i madh
➢ 69% thonë se ligji nuk zbatohet për të gjithë në mënyrë të barabartë – 7% më shumë se në 2022
➢ 45% ndihen të kërcënuar nga mbajtja dhe keqpërdorimi i paligjshëm i armëve
➢ 71% thonë se lufta në Ukrainë ndikoi ndjeshëm në fuqinë e tyre blerëse
➢ 75% nuk u besojnë partive politike
➢ 65% shprehën një shqetësim të shtuar në lidhje me përhapjen e lajmeve të rreme.