Site icon PrishtinaPress

“53-milionëshi”, dëshmitari thotë se kjo pagesë është kosto që doli si rezultat i mospërmbushjes së obligimeve nga Qeveria

Në rastin e njohur si “Rasti i 53 milionë eurove”, dëshmitari Ramë Qupeva, drejtor në Departamentin për Infrastrukturë Rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës, ka deklaruar se pjesa e pagesës “53 milionëshi” nuk është punë shtesë, por është kosto e cila ka dalë si rezultat i mospërmbushjes së obligimeve kontraktuale nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Këtë deklarim, Qupeva e ka dhënë në gjykimin ku ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Qupeva ka thënë se komiteti ndërministror ka vepruar në kuadër të sugjerimeve dhe opinioneve të kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”, kur ato janë dhënë nga ana e kompanisë.

I njëjti ka sqaruar se kompania mbikëqyrëse “Hill” ka menaxhuar me kontratë dhe gjatë procesit të menaxhimit ka përgatitur në vazhdimësi raporte të rregullta të cila i janë dorëzuar njësisë dhe komitetit.

Ai tha se kompania ka përkrahur komitetin me ekspertizë profesionale sa herë që është kërkuar nga ana e komitetit, e që ekspertiza sipas tij ishte kërkuar në mënyrë specifike dy herë. Hera e parë tha se kishte qenë rasti me zgjatjen e afatit të vazhdimit të kontratës në kohën e komitetit kur kishte kryesuar ministri Lutfi Zharku, ku kompania kishte përgatitur dhe dorëzuar opinionin lidhur me këtë çështje.

Ndërkaq, rasti i dytë Qupeva tha se kishte qenë kur është bërë kërkesa nga ana e komitetit në kohën e ministrit Lekaj për vlerësimin e zgjatjes së afatit në fund të vitit 2017.

Sipas tij, këto kanë qenë raporte të cilat janë bërë në lidhje me vlerësimin për vazhdimin e afatit të kontratës në raport me kërkesës e komitetit të KDN-së, ndërsa kompania mbikëqyrëse “Hill International” tha se kishte dhënë raporte specifike gjatë tërë procesit varësisht nga kërkesat dhe nevojat që janë paraqitur në implementim.

Më pas, dëshmitari Qupeva ka sqaruar kontratat “lumsum”, për të cilat tha se nuk janë kontrata tipike për projektet e ndërtimit të rrugëve dhe në këto kontrata eliminohet rreziku i sasive të cilat mund të rriten gjatë implementimit të projektit, por janë kontrata fikse dhe si pjesë e kushteve të kontratës lejohen punët shtesë apo punët e paparashikuara në vlerë prej 10% të kontratës.

Ai tha se implementimi i këtij lloji të kontratës kërkon një disiplinë më të madhe në raport me kontratat e tjera, për arsye se implementimi kryhet në bazë të planit dinamik dhe rrjedhjes së parasë, e cila është në funksion të tij e që kontraktorit nuk i jep shumë hapësirë që të ketë vonesa.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Atdhe Dema, dëshmitari Quvepa tha se si pjesë e kontratës është klauzola 13.1, ku parashihen punët shtesë, e në të cilën tha se janë të përfshira huazimet e materialeve, transporti jashtë trasesë 20 km dhe nëse ka pasur kërkesa qoftë për mbikalime, nënkalime apo rrugë të cilat nuk kanë qenë të përfshira në projekt.

Ai tha se pagesat, certifikimi dhe faturimi për vlerën e 53 milionëve është bërë pas marrjes së vendimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e që para marrjes së këtij vendimi nga Qeveria tha se nuk janë konsultuar si njësi me komitetin dhe nuk kanë marrë pjesë në vlerësimin e propozimit nga ana e “Bechtel Enkas” lidhur me kohëzgjatjen e afatit të kontratës.

I pyetur lidhur me mendimin e “Hill International” për çështjen e zgjatjes së afatit të kontratës dhe pagesën në vlerë prej 53 milionë, dëshmitari Qupeva tha se “Hill” gjatë takimeve të rregullta nuk kishin qenë të pajtimit me çështjen e 53 milionëshit.

Tutje, dëshmitari Qupeva ka sqaruar se sipas alokimeve buxhetore për këtë projekt, nuk ka pasur mundësi të përfundohet projekti në kohë dhe kjo jo nga një Qeveri por 2-3 Qeveri.

“Nuk ka pas alokime të mjaftueshme në mënyrë që projekti të përfundojë brenda 42 muajve sikurse ka qenë i planifikuar me kontratë. Për këtë arsye komiteti ka qenë ai që ka kërku shtyrjen e afatit të kontratës në kohën e ministrit Zharku dhe si rrjedhojë e kërkesës për shtyrje ka ardhur deri te propozimi për kosto, i cili fillimisht ka qenë 14 milionë e 700 mijë euro, mirëpo në fillim të vitit 2015 propozimi i parë në fillim të këtij viti ka qenë me kosto 0 duke pasur parasysh që nuk është miratu nga ana e ish-komitetit, propozimi i dytë ka ardhur me 14.7”, ka thënë dëshmitari.

I njëjti tha se në kuadër të kontratës bazë janë të parapara edhe dënimet në rast të mospërmbushjes së kushteve të kontratës. Në këtë kontratë, vlera e dënimit në baza ditore tha se është 40 mijë euro, vlera maksimale sipas kushteve të kontratës nuk mund ta kalojë 10% të vlerës së kontratës.

Por, sipas tij në këtë kontratë është aplikuar forma e zgjidhjes së mospajtimeve mes palëve me marrëveshje, jo me dënime.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuari Palë Lekaj, avokatit Musa Damati, dëshmitari Qupeva ka thënë se gjatë implementimit të këtij projekti në vazhdimësi ka pasur probleme me alokimin e mjeteve buxhetore, e që problemet kishin filluar prej vitit 2015 e tutje, e të cilat tha se i kishin pasur deri në përfundim të këtij projekti.

I pyetur lidhur me opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”, se a ishte dorëzuar në rrugë zyrtare për në Ministrinë e Infrastrukturës dhe a ekziston në arkivin e Ministrisë, Qupeva tha se opinioni nuk është pranuar nga Njësia për Implementimin e Projektit (NJIP) dhe se nuk e kanë gjetur në evidencën në arkivë.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjen e të akuzuarit Pal Lekaj, dëshmitari ka sqaruar se vazhdimi i kontratës ishte bërë për më pak se 4 muaj nga afati i rregullt i përfundimit të kontratës, i cili tha se ishte bërë në bazë të vendimit paraprak të komunitetit ndërministror e që për vazhdimin e kësaj kontrate ishte marrë edhe opinion ligjor nga ana e KRPK-së si institucion kompetent për çështjet e prokurimit dhe zyrës ligjore.

“Në bazë të këtyre dokumenteve unë si udhëheqës i NJIP, jam pajtuar që të bëhet zgjatja e afatit”, tha dëshmitari.

Sipas tij, nëse ishte nënshkruar aneksi i kontratës bazë në kohën kur komiteti ishte drejtuar nga ministri Zharku, nuk do të kishin ardhur deri tek kjo situatë që janë sot.

Po ashtu, dëshmitari sqaroi se nuk ka qenë çështja e vonesave në pagesa, pasi që pagesat kryheshin sipas afateve ligjore, por që problemi kishte qenë të alkimi i mjeteve.

“Problemi ka qenë alokimi, se kur nuk ki mjete të mjaftueshme në buxhet, ti nuk ke mujt me realizu punë më shumë se sa mjetet që i ke pas të buxhetume, se vonesa në pagesa nuk ka, ta sqarojmë këtë aspekt”, shtoi ai.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuari Eset Berisha, dëshmitari Qupeva lidhur me shkresën drejtuar ish-kryesuesit të komitetit drejtues në vitin 2016, ka thënë se është e saktë që kishin shkruar një shkresë përmes arkivës, ku kishin kërkuar që të rritet niveli i alokimeve për arsye se projekti gjendej në fazë kritike për shkak të alokimeve të mangëta.

Ai tha se në takimet mes njësisë dhe kompanisë mbikëqyrëse, kanë qenë krejtësisht për çështje operacionale të realizimit të projektit, e që sipas tij nuk janë marrë me çështje tjera.

Në fund, i pyetur se a kishte qenë e arsyeshme pagesa në vlerë prej 53 milionë euro, dëshmitari Qupeva tha se pagesë ishte bërë sipas vendimit të Qeverisë ndërsa çështja e vlerës së 53 milionit sipas tij është çështje ekonomike dhe juridike e jo teknike.

Paraprakisht në këtë seancë, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani ka njoftuar se i akuzuari Eset Berisha ka dhënë disa vërejtje sa i përket procesverbalit të 6 shkurtit 2023, me arsyetimin se shumica e pyetjeve nuk janë konstatuar, për të cilat gjykatësja Namani tha se gjykata ka vlerësuar se të njëjtat përgjigje janë dhënë vazhdimisht nga dëshmitari ashtu që nuk janë konstatuar, duke kërkuar nga i akuzuari Berisha që deri të hënën t’i plotësojë vërejtjet konkrete.

Seancat e radhës lidhur me këtë çështje penale janë caktuar të mbahen më 3 dhe 4 prill, si dhe 15 dhe 16 maj 2023.

Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më 19 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Exit mobile version