Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës në Kaçanik, ku një shtetas turk ka mbetur i lënduar rëndë si pasojë e një sulmi fizik nga një person i panjohur për të. 55-vjeçari është dërguar me urgjencë në spital, ndërkohë që kanë nisur hetimet lidhur me rastin.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktimës i është dhënë ndihma e parë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, por për shkak të natyrës së lëndimeve, ai është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur që ta marrin dëshminë e viktimës.
Sipas 55-vjeçarit, derisa ka qenë duke lëvizur në këmbë, një person e ka goditur me veturë nga mbrapa dhe më pas e ka sulmuar me mjet të fortë.
Njësitë policore janë vënë në lëvizje për të identifikuar personin e dyshuar, i cili është arritur që të prangoset.
52-vjeçari i dyshuar është shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa nuk dihen ende motivet që shtynë atë të bëjë këtë veprim.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje.