Site icon PrishtinaPress

51 vjeçari që vdiq dje në gurthyes në Suharekë, një ditë më parë i kishte shpëtuar jetën kolegut të tij

Nysret Mustafa, 51 vjeçar, ndërroi dje jetë në vendin punës, teksa për familjarët, rrethanat janë akoma të panjohura.

Mustafa ndërroi jetë teksa po punonte në një gurthyes në Suharekë, punë kjo që e bënte për rreth 2 dekada.

Ndonëse nga kompania me të cilën punonte, familjarët nuk morën një sqarim konkret se si ndërroi jetë, të njëjtin sqarim nuk e kanë gjetur as nga institucionet.

Një i afërm i Mustafës ka deklaruar për Indeksonline se familja e të ndjerit është shumë e shqetësuar sa i përket trajtimit të rastit të vdekjes së tij.

Sipas tij, e tëra çka familja po kërkon është të dijë shkaqet e vdekjes së Nysretit, e jo të mos marrë një përgjigje as nga Spitali e as nga Policia.

“Një ditë para se të vdiste e ka shpëtu një koleg aty në punë. Kur ka ardhë në shtëpi i ka tregu gruas së tij. “E shpëtova” – i ka thanë. Kolegun e tij e kishte zënë rryma e ky e ka shty, e ka shpëtu” deklaroi familjari.

“Na veç po dojmë me e ditë se si ka vdekë. Neve na ka njoftu QKMF e Suharekës, na kanë thirrë na kanë thanë “Nysreti ka vdekë”. As nuk e dimë qysh ka vdekë, a e ka zënë edhe këta rryma, apo si ka ndodhë. Policia na thanë se e ka pas të thyer një kockë në dorë. Tash, qysh mundet me vdekë njeri me një kockë të thyme në dorë. Nysretin s’mujë me e kthy në jetë, po veç po dojmë me e ditë atë që na takon, qysh ka vdekë” shtoi ai.

Familjari në fjalë i ka thënë Indeksonline se ata që ka lënë pas Nysreti, nuk janë edhe në kushte të mira sociale.

“E ka lanë grunë, ni djalë e ni çikë të martuar, por tash ne duhemi me u kujdesë për ta. Kjo gjë është serioze, pa kurrfarë mbrojtje me punu, pa kurgjo. Duhemi me u vetëdijesu edhe ne të gjithë se sa duhet me qenë të kujdesshëm po edhe sa është e rëndësishme që me pasë kujdes se si trajtohen punëtorët” përfundoi ai./Indeksonline/

Exit mobile version